Ekonomi

Ndërtesat që po hanë njerëz

Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 02 April 2018

E shtuna ishte dita e fundit e punës për Gentian Krasniqin. Mungesa e mbrojtëseve ku vendoseshin skelet dyshohet se u bë shkaktare e vdekjes së 22 vjeçarit nga Malisheva, në vendin e tij të punës.

Ai ra nga kati i shtatë i një ndërtese në „Rrugën B“ në Prishtinë, mëngjesin e ditës së shtunë. Plagëve që mori nuk mundi tu mbijetonte më shumë se një ditë.  Ai ndërroi jetë të hënën në emergjencën e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, shkruan Infokusi.com.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që një punëtor humb jetën sikurse Gentiani.

-Advertisement-

Në vend nuk janë të rralla rastet kur punëtorët e humbin jetën në vendin e punës për shkak të mungesës së kushteve për punë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka treguar për Infokusin se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2018,  në vendin e punës e kanë humbur jetën katër persona.

Ndërsa në 2 vitet e fundit ky numër arrin në 32 persona, shkruan Infokusi.com.

“Në vitin 2016 e kanë humbur jetën 12 punëtorë, ndërsa në vitin 2017 e kanë humbur jetën 20 punëtor, ku për katër dyshohet të jenë vdekje të natyrshme”, ka thënë Azemi.

Azemi thotë se mosha e personave që kanë humbur jetën në ambientet e punës sillet rreth 35 vjeç dhe se ishin nga rajone si ai i Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit.

Kryetari Azemi deklaron se të drejtat e punëtorëve nuk po respektohen. Shton se vetëm një numër i vogël i pronarëve i respekton të drejtat e punëtorëve. Madje dhe ato pjesërisht.

Ndërsa për raste të tilla, kur punëtorët humbasin jetën në vendin e punës, ai thotë se marrin përgjegjësi edhe punëdhënësit.

“Punëdhënësi merr përgjegjësi nëse Gjykata e ngarkon me ndonjë obligim dhe atij obligimi punëdhënsi duhet të përgjigjet pasi që nuk ka rrugëdalje tjetër”, ka thënë Azemi.

Infokusi ka provuar të kontaktojë edhe me Kryeinspektorin e Punës, Basri Ibrahimin që të marr informacione se si është  e rregulluar çështja e sigurisë në punë me Ligjin e Punës, por ai ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe, lajmin për vdekjen e 22 vjeqarit nga Malisheva e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24 orësh drejtuar mediave. Nga Policia, rasti është regjistruar si “ASGJËSIM & DËMTIM OSE HEQJE E PAISJEVE MBROJTËSE & LËNDIM I RËNDË TRUPOR”.

Në këtë raport thuhet se me vendim të Prokurorit, si i dyshuar është arrestuar një person i cili është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Në lidhje me rastin raportohet se me 01.04.2018,  viktima mashkull K/Shqiptar ka ndërruar jetë në QKUK. Me vendim të prokurorit,  si i dyshuar është arrestuar një mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.(Arjeta Shabani)./Infokusi

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy