Lajme

Muharremi me kritika ndaj Qeverisë: Protestat arritën kulmin, tash duhen veprime konkrete

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 25 September 2026

Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se protestat “Jo në emrin tim”, të organizuara pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, rrezikojnë ta humbin efektin nëse përtej solidarizimit qytetar, nuk prodhojnë rezultate konkrete.

Sipas Muharremit, protestat deri më tani kanë dëshmuar një mobilizim dhe solidarizim të madh qytetar, por, sipas tij, kjo ende nuk është përkthyer në veprime konkrete që do të mund të ndikonin në procesin në Hagë.

“Protestat ‘Jo në emrin tim’ nuk është se kanë dhënë ndonjë rezultat konkret deri më tani për procesin e Hagës. Është arritur dhe treguar solidarizim i madh qytetar, ka pasur pjesëmarrje masive… të gjitha këto, po asgjë konkrete me peshë që ndihmon procesin në Hagë”, ka shkruar Muharremi.

-Advertisement-

Ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se, pavarësisht mobilizimit qytetar, ato nuk janë vënë në lëvizje për të ndërmarrë veprime konkrete pas aktgjykimit.

Muharremi ka shkuar edhe më tej, duke pretenduar se, nëntë ditë pas aktgjykimit, institucionet e drejtuara nga Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk kanë ndërmarrë veprimet që ai i konsideron të nevojshme, por, sipas tij, po e “sabotojnë reagimin shtetëror të Kosovës ndaj aktgjykimit të Hagës”.

Në këtë kontekst, ai ka kritikuar Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke kërkuar një angazhim më të madh institucional dhe diplomatik.

“Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende zyrtarisht. Asnjë institucion qeveritar nuk ka bërë ndonjë hap konkret; Ministria e Drejtësisë sillet si me qenë e Australisë, asnjë reagim të vetëm”, ka deklaruar ai.

Kritika ka adresuar edhe ndaj Ministrisë së Jashtme, për të cilën ka thënë se nuk ka zhvilluar aktivitetin diplomatik që, sipas tij, kërkon situata.

“Ministria e Jashtme nuk ka lëvizur fare me qenë aktive dhe agresive me diplomaci; asnjë takim serioz nuk ka ndodhur, asnjë letër nuk duket se ju është dërguar qendrave kryesore”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka përmendur gjithashtu Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar mungesën, sipas tij, të veprimeve konkrete lidhur me çështjen e Speciales, si dhe mungesën e një zotimi për rritjen e fondeve për fazën e Apelit.

Duke analizuar vazhdimin e protestave, Muharremi ka paralajmëruar se mobilizimi qytetar mund të fillojë të zbehet nëse nuk shoqërohet me zhvillime konkrete.

“Në përgjithësi, këto protesta po rrezikojnë të dështojnë, nëse nuk arrijnë diçka më shumë sesa solidarizimi. Kanë arritur kulmin e tyre këto ditë dhe, nëse diçka serioze nuk ndodh që e ndryshon situatën, protestat do të zbehen dhe do ta humbin efektin. Temat tjera të rëndësishme do e marrin primatin kryesor”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Muharremi ka bërë një krahasim me protesta të mëhershme të PDK-së para objektit të Qeverisë, duke argumentuar se edhe një mobilizim i madh mund ta humbë efektin nëse nuk arrin të prodhojë ndryshimin për të cilin është organizuar.

Sipas tij, protesta “Jo në emrin tim” ka arritur të dëshmojë solidarizimin qytetar pas aktgjykimit të Hagës, por sfida tash është që ky mobilizim të përkthehet në veprime dhe rezultate konkrete./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy