Lajme

Mërgata shqiptare në SHBA kërkon zgjedhjen e Bekim Sejdiut President të Kosovës: Ka përvojën dhe integritetin për ta bashkuar vendin

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 01 September 2026

Një grup i personaliteteve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Përmes një letre drejtuar udhëheqësve politikë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nënshkruesit kanë bërë thirrje që Dr. Sejdiu të zgjidhet në krye të shtetit.

Në letër thuhet se ata e kanë ndjekur nga afër procesin e nominimit për President dhe vlerësojnë se Sejdiu ka përvojën dhe integritetin e nevojshëm për ta bashkuar vendin dhe për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

-Advertisement-

“Si ish-diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Sejdiu ka përvojën e gjerë dhe integritetin e nevojshëm për ta bashkuar vendin dhe për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në letër.

Nënshkruesit kanë kujtuar edhe bashkëpunimin me Sejdiun gjatë kohës kur ai shërbeu si Konsull i Përgjithshëm në Nju Jork.

Sipas tyre, Sejdiu ka luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e diasporës shqiptare në SHBA me Kosovën, ndërsa kanë theksuar se gjatë asaj periudhe kanë punuar së bashku për organizimin e aktiviteteve kulturore, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe lobimin për Kosovën në qarqet më të larta politike në Nju Jork dhe Uashington, D.C.

“Në këtë moment kritik, Kosova ka nevojë për një kreu të shtetit që gëzon respekt të thellë institucional dhe ka një të kaluar të dëshmuar në shërbim të publikut”, thuhet më tej në letër.

Ata kanë vlerësuar gjithashtu formimin juridik dhe përvojën diplomatike të Sejdiut, duke e cilësuar atë si “jashtëzakonisht të kualifikuar” për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare.

Në fund, nënshkruesit u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike në Kuvend që të bashkohen dhe ta mbështesin kandidaturën e Dr. Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Letra është nënshkruar nga Elio Ahmetaj, Adrian Grajcevci, Bruno Selimaj, Harry Bajraktari, Ramazan Hajdini, Gani Shehu, Vehbi Bajrami, Joe Haliti, Beqir Sina, Ekrem Bardha, Agim Ismaili, Ismet Smajli, Ramazan Bekteshi, Iljaz Kadriu, Doc Vraniqi, Ilmi Berisha, Richard Lukaj, Martin Vulaj, Cafo Boga, Besim Malota, Shpresa Xhakli, Musa Dakaj, Halil Mula, Jim Xhema, Gjevalin Gegaj, Gino Mulliqi, Mark Gjonaj dhe Adrian Neritani.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy