Meloni pritet të bëhet kryeministrja e parë femër në Itali
Autori: Gazeta inFokus
09:13 | 26 September 2022
Liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet në Itali dhe pritet të bëhet kryeministrja e parë grua e këtij shteti.
Meloni pritet të formojë Qeverinë më djathtiste të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe kjo pritet të ngrehë alarmin në pjesën më të madhe të Evropës, pasi Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, pas votimeve, Meloni tha se partia e saj, Vëllezërit e Italisë, do të “qeverisë për të gjithë” dhe nuk do të tradhtojë besimin e popullit.
“Italianët kanë dërguar mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë”, tha ajo për gazetarët në Romë, duke mbajtur një pano ku shkruante: “Faleminderit Itali”.
Sipas rezultateve preliminare, Meloni pritet të fitojë deri në 26 për qind të votave, duke lënë pas rivalin më të afërt Enrico Letta, nga qendra e majtë.
Aleanca e ekstremit të djathtë e Melonit – që përfshin edhe partinë djathtiste Liga e Matteo Salvini dhe partinë e qendrës së djathtë Forca Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi – duket se do të ketë kontrollin edhe të Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, me rreth 44 për qind të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Megjithatë, rezultati i partisë së saj tregon se aleatët e saj kanë performuar dobët në zgjedhje, me partinë e Salvinit që ka fituar 9 për qind, ndërkaq partia e Berlusconit ka rënë nën këtë shifër.
Vendimi se kush do të bëhet lideri i ri i Italisë është në duart e presidentit italian, Sergio Mattarella, dhe ky proces do të marrë kohë.
Edhe pse Giorgia Meloni ka punuar që të zbusë imazhin e saj, duke theksuar mbështetjen për Ukrainën dhe duke ulur retorikën kundër BE-së, ajo drejton një parti që buron nga një lëvizje e pasluftës që u ngrit nga fashistët e diktatorit Benito Musolini.
Në fillim të këtij viti, gjatë një fjalimi ajo shpalosi prioritetet e partisë së saj.
“Po për familje natyrale, jo për lobin e LGBT-së, po për identitetin seksual, jo për ideologjinë gjinore…. jo dhunës islamike, po për sigurimin e kufijve, jo për migrimin masive… jo për financat e mëdha ndërkombëtare…. jo për burokratët e Brukselit”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, aleanca e qendrës së majtë, sipas rezultateve preliminare ka fituar 26 për qind të votave dhe Debora Serracchiani nga Partia Demokratike, pas zgjedhjeve tha se kjo ishte “një mbrëmje e trishtë” për Italinë. E djathta “ka shumicën në Parlament, por jo në shtet”, tha ajo.
E majta dështoi të formonte një front të qëndrueshëm me partitë e tjera, pasi Qeveria e unitetit kombëtar, u rrëzua në korrik pas 18 muajsh qeverisje. Lëvizja Pesë Yjet nën drejtimin e Guiseppe Conte doli në vendin e tretë në zgjedhje dhe ai nuk ka bashkëpunim me Enrico Letta, pavarësisht se partitë e tyre kanë politika të përbashkëta sa i përket imigracionit dhe rritjes së pagës minimale.
Dalja në zgjedhjet e 25 shtatorit ishte 63.91 për qind apo nëntë pikë më e ulët sesa më 2018. Dalja ishte veçmas e ulët në rajonet jugore italiane, përfshirë në Sicili.
Italia është një ndër shtetet themeluese të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe retorika e Melonit bën që ajo të ketë mendime të ngjashme sa i përket bllokut evropian me liderin nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban.
Aleatët e saj po ashtu kanë raporte të ngushta me Rusinë. Berlusconi javën e kaluar pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, “u shty” që ta pushtonte Ukrainën, ndërkaq Salvini ka hedhur dyshime mbi sanksionet që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës.
Meloni po ashtu dëshiron që të rishikojë reformat italiane që shteti është pajtuar t’i bëjë, në këmbim që të marrë nga BE-ja pothuajse 200 miliardë euro grante dhe kredi për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit. Ajo ka pretenduar se kriza energjetike ka ndryshuar situatën.
Sipas sondazheve të televizioneve italiane, aleanca e Melonit pritet të fitojë 227-257 ulëse në Dhomën e Deputetëve nga 400 sa ka ky institucion. Ndërkaq, në Senat parashihet që të fitojë deri në 131 nga 200 ulëse./rel

T� tjera
-
Meloni uron Partinë Popullore për fitoren në zgjedhje: Urimet më të mira, duke shpresuar në bashkëpunimin tonë
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka uruar Partinë Popullore të Alberto N...
-
Sulmohet infermierja në QKMF-në e Mitrovicës
Një infermiere është sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës në Qendrën ...
-
Dy partitë që mund ta qeverisin Spanjen dhe qëndrimi i tyre në raport me Kosovën
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Spanjë kanë nxjerrë në p...
-
Bora vështirëson qarkullimin në disa rrugë që çojnë drejt pikave kufitare, QKMK jep detaje
Të reshurat e borës dhe ngricat e shkaktuara, kanë bërë që në disa rrugë të K...
-
“Pa rrymë deri në 24 orë, por me fatura të plota”, Bajrami: Banorët e Hasit po diskriminohen dyfish
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritiku...
-
Komuna e Gjilanit thotë se të gjitha rrugët në territorin e saj janë të kalueshme: Qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar
Komuna e Gjilanit, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të gjitha rrug...
-
BE nis zbatimin e standardit të ri “Euro 7”, makinat do të kontrollohen edhe për ndotjen nga gomat dhe frenat
Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e standardit të ri të emetimeve “Euro 7”,...
-
Mungesa e stafit: Mbyllen përkohësisht dy AMF në Gjilan
Banorët e Kishnapolës dhe disa fshatrave përreth në Gjilan po përballen me vë...
-
Kosova kërkon trajtim të barabartë në procesin e zgjerimit të BE-së
Krerët institucionalë të Kosovës dhe njohësit e integrimit evropian po kërkoj...
-
Në Hamburg të Gjermanisë, u promovua libri Atletet e Lirisë, i ish Ambasadorit Gjergj Dedaj
Në Hamburg të Gjermanisë, në vigjilie të 28 nëntorit, të Ditës së Flamurit dh...
-
Deficiti tregtar u thellua nga 2,82 në 6,11 miliardë euro, Bajrami kundërshton raportin e Kurtit
Deficiti tregtar i Kosovës u thellua me 3,29 miliardë euro në pesë vjet. Në v...
-
Protesta në Tiranë, protestuesi godet policin pas shpine, e rrëzon në tokë dhe largohet me vrap
Një tjetër moment përplasjesh është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar ...































