Lajme

Kurti zbulon pllakën përkujtimore në Shtuticë të Drenasit

Autori: Gazeta inFokus 19:18 | 30 April 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Abin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Marinë, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit.

Duke kujtuar 274 dëshmorët dhe martirët, Kryeministri Kurti tha se në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte për të çliruar Kosovën në tokë në çdo pëllëmbë të atdheut tonë, ndërkaq avionët e NATO-s goditnin caqet e forcave ushtarake e policore të Serbisë e Jugosllavisë së Millosheviqit. Por në mëngjesin e 30 prillit, kur forcat serbe sulmuan fshatrat e Shtuticës, Vërbovcit, Baksit dhe zonat përreth, kishte një numër të madh të njerëzve të cilët aso kohe patën ardhur nga fshatrat tjerë që të strehohen në zonën e Vërbovcit, tha Kryeministri Kurti.

-Advertisement-

Kryeministri Kurti pas homazheve në Marinë dhe zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari drejtor i Agjencisë së Komplekseve Memoriale z. Bislim Zogaj,

I nderuari nënkryetar i komunës së Drenasit, z.Arben Shala,

I nderuari ministër i Mbrojtjes, z.Armend Mehaj,

I nderuari kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Visar Korenica,

I nderuari Ferat Shala, veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë të luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë, familje të dëshmorëve e të martirëve, deputet Valon Ramadani,

Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe Zotërinj,

Masakrat e kryera nga fundi i prillit në Drenicë, në Vërbovc e në Shtuticë, u kryen menjëherë pasi që NATO-ja pat bombarduar uzinën e hekur-nikelit brenda së cilës ishin vendosur forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe. Fshati i Shtuticës u sulmua gjithashtu herët në mëngjesin e 30 prillit. Shtutica kish qenë sulmuar njëherë më 20 mars, kur banorët e saj u shtrënguan të shpërnguleshin për një javë në Qirez.

Në fillim të prillit gjithashtu gjatë një ofensive dy ditore të policisë, fshatarët u dëbuan prej shtëpive të tyre. Mizoritë më të mëdha të kryera në periudhën mars – qershor 1999, në fshatrat Izbicë, Rezallë, Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, ndërsa në Zonën e Vërbovcit, Shtuticës dhe Baksit, ofensiva kryesore pasoi bombardimin nga NATO, të uzinës së Feronikelit, pra më 29 prill.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte për të çliruar Kosovën në tokë në çdo pëllëmbë të atdheut tonë, ndërkaq avionët e NATO-s goditnin caqet e forcave ushtarake e policore të Serbisë e Jugosllavisë së Millosheviqit. Por në mëngjesin e 30 prillit, kur forcat serbe sulmuan fshatrat e Shtuticës, Vërbovcit, Baksit dhe zonat përreth, kishte një numër të madh të njerëzve të cilët aso kohe patën ardhur nga fshatrat tjerë që të strehohen në zonën e Vërbovcit.

Sulmi i 30 prillit në Vërbovc, filloi në të gdhirë midis orës 5 dhe 7 të mëngjesit, pasi fshati u rrethua nga të gjitha anët. Ofensiva vazhdojë deri në orën 16, pra deri në orën 4 pasdite. Ata qëlluan me tanke e mortaja. Numri i madh i vrasjeve ka ndodhur te ajo që quhet “Lugina e pyllëzuar”. Rreth 100 burra shqiptarë u vranë dhe më shumë se 200 u burgosën gjatë operacionit. Të burgosurit u quan të xhamia e shkatërruar pranë Qirezit, dhe u mbajtën atje gjatë gjithë natës, e u torturuan. Të nesërmen janë ngarkuar në kamion ata për t’i quar në burgjet e Drenasit e të Lipjanit.

Disa prej kamionëve u ndalën në minierën e Shavarinës pranë Çikatovës së Vjetër, rreth 100 burra u zbritën nga kamionët dhe aty u pushkatuan në mënyrën më mizore. Të mbeturit gjallë u quan në Drenas kur u morën në pyetje dhe u rrahën për pesë ditë me radhë. Numri i të vrarëve gjithsejtë tejkaloi më shumë se 200, madje thuhet është afër 300, e shifra më e saktë që përmendet është 274.

Unë këtu po vij pas vizitës në Marinë, ku sot kujtojmë edhe 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet.

Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Faleminderit!​

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera