Ekonomi

KOSOVA JO – Rajoni ul akcizën për naftën, Qeveria Kurti nuk pranon ta bëjë

Autori: Hateme Smajli 14:10 | 25 March 2026

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga zhvillimet gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme, ka detyruar shumicën e vendeve të rajonit të ndërhyjnë për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve.

Megjithatë, Kosova mbetet ndër të paktat vende që nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për uljen apo heqjen e akcizës, shkruan Gazeta Infokus.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur kryesisht uljen e pjesshme apo të përkohshme të akcizës si mekanizëm për të amortizuar rritjen e çmimit të naftës , pavarësisht ndikimit në të hyrat buxhetore.

-Advertisement-

Këto masa janë parë si të domosdoshme për të zbutur efektin zinxhir në ekonomi dhe për të mbrojtur standardin e jetesës.

Në Kosovë, ndryshe nga rajoni, Qeveria nuk e konsideron aktualisht heqjen e akcizës si opsion.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se institucionet janë duke e monitoruar situatën, por pa ndërhyrë në këtë fazë.

“Sa i përket akcizës, mbetet të përcillet situata. Aktualisht nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e saj, por po ndjekim zhvillimet në treg, duke u bazuar në çmimin tavan – 12 cent në pakicë dhe 2 cent në shumicë. Për hapat e mëtejmë mbetet të shihet”, ka thënë Kusari-Lila.

Aktualisht, qytetarët në Kosovë paguajnë një akcizë prej 0.37 euro për litër, përveç TVSH-së prej 18%, duke e bërë çmimin final më të ndjeshëm ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare.

Në kontrast, vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa konkrete:

Shqipëria ka ulur akcizën me rreth 20%, ndërsa kryeministri Edi Rama ka theksuar se të hyrat shtesë do të përdoren për mbështetjen e pensionistëve dhe shtresave në nevojë.

Mali i Zi ka përgjysmuar akcizën, duke e ulur atë në rreth 0.22 euro për litër, si masë direkte për uljen e çmimit të naftës.

Maqedonia e Veriut ka ndërhyrë përmes uljes së TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%, si dhe përmes politikave fiskale për të amortizuar krizën.

Serbia ka ndërmarrë një nga masat më drastike, duke ulur akcizën për produktet e naftës deri në 40%.

Kroacia ka aplikuar një qasje të kombinuar, duke ulur pjesërisht akcizën dhe duke vendosur çmime tavan për karburantet, në mënyrë që të mbajë nën kontroll tregun.

Këto ndërhyrje, ndonëse të përkohshme, tregojnë një qasje më aktive të qeverive të rajonit në menaxhimin e krizës së çmimeve.

Në këtë kontekst, mungesa e një mase të ngjashme në Kosovë po rrit presionin mbi qytetarët, të cilët përballen me kosto të larta të jetesës dhe mungesë të mekanizmave lehtësues fiskalë.

Opozita po kërkon vazhdimisht nga qeveria ndërmarrjen e masave konkrete, madje ka dorëzuar edhe propozime në ministrinë përkatëse, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim konkret në këtë drejtim.

LEXO EDHE: Nga 1.12 në 1.79 euro – Sa do të binte çmimi i naftës nëse Qeveria heq akcizën

Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë masa konkrete, apo nëse barra e krizës së naftës do të vazhdojë të rëndojë kryesisht mbi qytetarët./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy