Lajme

Kosova dorëzon padi kundër Serbisë në Federatën Europiane të Pingpongut

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 16 July 2022

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) sot bëri të ditur se pingpongistët kosovarë s’kanë mundur të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21,që po mbahet në Beograd të Serbisë, meqë ky shtet ia pamundësoi.

Për këtë ka folur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një konferencë për media, i cili paralajmëroi se Serbinë do ta ndjekin penalisht.

“Kemi përsëri sjellje destruktive nga shteti i Serbisë. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve tanë dhe shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante europiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare. Deri në këtë moment Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Europiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë, por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instancat tjera ndërkombëtare”.

-Advertisement-

Çeku tha se Serbia është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve të Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Kjo s’është hera e parë që sportistëve tonë iu mohohet e drejta për të marë pjesë në kampionate ndërkombëtare”.

Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës kjo ka ndodhur për shkak të, siç tha, përzierjes së politikës së Serbisë në sport.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, tha KOK përmes një njoftimi të postuar në rrjetin social Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International

Të tjera