Lajme

Prestigjiozja Financial Times: Serbia do t’i jap leje kompanisë Rio Tinto për hapjen e minierës së litiumit

Autori: Gazeta inFokus 18:05 | 16 June 2024

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përgatitet t’i japë kompanisë Rio Tinto, dritën e gjelbër për zhvillimin e minierës më të madhe të litiumit në Evropë, dy vjet pasi Beogradi e anuloi projektin, shkroi të dielën Financial Times.

Presidenti Vuçiç i tha gazetës se “garancitë e reja” nga gjiganti global i minierave dhe Bashkimi Evropian, duken të mjaftueshme për të trajtuar shqetësimet e Serbisë nëse standardet e nevojshme mjedisore do të përmbusheshin në luginën e Jadarit, në perëndim të vendit.

Kompania Rio Tinto tha në një deklaratë dërguar agjencisë së lajmeve Reuters përmes postës elektronike se “ne besojmë që Projekti Jadar ka potencialin të jetë një pasuri e klasit botëror që mund të shërbejë si një katalizator për zhvillimin e një zinxhirit të pjesëve të vlefshme të makinave elektrike në Serbi”.

-Advertisement-

I cilësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si një material thelbësor, litiumi përdoret për prodhimin e baterive të makinave elektrike dhe pajisjet celulare.

“Nëse gjithçka shkon si duhet, miniera mund të hapet në vitin 2028,” tha presidenti Vuçiç për Financial Times, duke shtuar se miniera parashikohet të prodhojë 58,000 ton litium në vit, që do të ishte “e mjaftueshme për 17 për qind të prodhimit të makinave elektrike në Evropë, përkatësisht rreth 1.1 milion makina”.

Në vitin 2022, Beogradi hoqi licencat për projektin Jadar të kompanisë Rio Tinto në vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, pas protestave masive mjedisore.

Nëse realizohet, projekti mund të përmbushë 90 për qind të nevojave aktuale të Evropës për litium dhe të ndihmojë në shndërrimin e kompanisë në prodhuesin kryesor të litiumit.

Në vitin 2021 dhe 2022, veprimtarët për mbrojtjen e mjedisit në Serbi, mblodhën 30,000 nënshkrime në një peticion që i kërkonte parlamentit të miratojë legjislacionin për t’u dhënë fund kërkimeve për litium në vend.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera