Lajme

Koronavirusi kthehet në vjeshtë, Gjermania përgatitet për valën e re

Autori: Gazeta inFokus 12:54 | 09 June 2022

Frika e koronavirusit nuk është fashitur ende në Gjermani, ku këshilli i ekspertëve për Covid 19 doli në përfundimin se federata dhe landet duhet të përgatiten për luftën ndaj një vale të mundshme të re të infeksionit, edhe pse zhvillimi i sëmundjes nuk mund të parashikohet saktë.

“Nevojitet një përgatitje largpamëse me mundësinë e reagimit sa më shpejt, për rritjen e pritshme të rasteve dhe ndryshimin e gjendjes së infeksionit në vjeshtë dhe në dimër”, thuhet në një deklaratë të këtij forumi.

Raporti u paraqit në Berlin, me idenë që sido që të zhvillohet situata, duhet të ekzistojë gatishmëria për masa mbrojtëse ndaj infeksionit. Këshilli i ekspertëve përmend tre skenarë të mundshëm për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm.

-Advertisement-

Në një “model bazë” supozohet rritja e numrit të të sëmurëve nga infeksioni. Në rast të një skenari negativ boshllëqet me vaksinimin në popullsi dhe rënia e imunitetit me kalimin e kohës mund të përkojnë me variante më të rrezikshme të koronaviruesit e kësisoj edhe të vaksinuarit plotësisht mund të përballen me rrjedhë të rëndë të sëmundjes.

Në skenarin më të favorshëm një variant i ri i virusit mund të jetë më pak i rrezikshëm, si rrjedhojë masat e mbrojtjes ndaj infeksionit “nuk do të ishin më të domosdoshme për të gjithë, por ndoshta vetëm për personat e rrezikuar”.

Ekspertet e theksojnë megjithatë se zhvillimi i mëtejshëm i virusit SARS-CoV-2-Virus nuk mund të parashikohet bindshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera