Lajme

Komunat e VV-së i dalin kundër asociacionit që ngriti padi ndaj MASHTI-t e MSh-së

Autori: Gazeta inFokus 13:31 | 23 August 2022

Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Podujeva, Gjilani, Kamenica e Shtimja, kanë dalë kundër padisë së ngritur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me kontratat kolektive.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për media, ku kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se një padi e tillë do të kishte kuptim sikur të bëhej në kohën dhe në adresën e duhur, pasi sipas tij, një padi e tillë do të duhej të ishte e drejtuar ndaj ministrave që kanë nënshkruar dhe asnjëherë s’i kanë ndjekur rrugët ligjore për zbatimin e kontratave kolektive.

“Andaj, ne mendojmë se inicimi i kësaj padie nga ASK-ja edhe një herë dëshmon se ky AS është kthyer në një vegël politike, anti-qeveritare dhe larg misionit të tij që duhet ta përmbush në shërbim të komunave”.

-Advertisement-

“Ne si kryetarë të komunave jemi të interesuar që të gjendet zgjidhje për këtë problem që prek drejtpërdrejt punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdoret nga një asociacion politik që shtynë përpara agjendat ditore të caktuara politike anti-qeveritare dhe të cilat s’e kanë fokus zgjidhjen e problemit”, është shprehur Bulliqi.

Tutje, ai pyeti krerët e ASK-së se ku ka qenë asociacioni në kohën kur janë nënshkruar kontratat dhe cili ka qenë reagimi i asociacionit, teksa shtoi se nuk është Qeveria Kurti ajo që ka bërë nënshkrime të tilla.

“Dihet se cila qeveri i ka nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht që në kohën e nënshkrimit, ky asociacion ka qenë i udhëhequr nga po këta njerëz dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin që ta zgjidhin këtë problem”.

“Ne mendojmë se e tëra kjo çka po bëhet në këto momente merr karakter politik më qëllim që të krijohet edhe më tepër pakënaqësi në lidhje me moszbatimin e këtyre kontratave”, është shprehur Bulliqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera