Fokus

“Klina si Venecia”, komunës i bëhen bajat kubëzat e kalldrëmit, i vendos në shitje

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 12 October 2026

Hiç më pak se 10 vjet më parë, një investim që po realizohej në Komunën e Klinës prezantohej si një nga projektet që do ta vendoste këtë qytet në hartën e turizmit. E gjithë kjo falë kalldrëmit që po shtrohej në shesh, e që sipas komunës së asaj kohe, do t’i jepte Klinës pamjen dhe përshtypjen e Venecias në Itali.

Komuna i lavdëronte kubëzat si një “material me qëndrueshmëri qindravjeçare, që sheshet e Klinës do t’i bëjnë unike në tërë Kosovën”. Shtrimi i tyre në formë mozaiku, sipas autoriteteve komunale, do t’i jepte qytetit një identitet të veçantë.

“Kubëzat janë material me qëndrueshmëri qindravjeçare që sheshet e Klinës do t’i bëjnë unike në tërë Kosovën. Shtrimi i këtyre kubëzave në formë mozaiku ka filluar para një muaji dhe po vazhdon me ritëm të kënaqshëm dhe s’ka të bëjë fare as me bostan e pjepër, e as me bahçe. Për ta vërtetuar këtë mjafton të bëni një gjiro deri në Klinë, e me atë rast merrni përshtypjet veneciane në kthim”, thuhej para nëntë vjetësh në njoftimin e komunës.

-Advertisement-

Madje, kalldrëmi ishte lavdëruar veçanërisht për qëndrueshmërinë e tij qindravjeçare. Mirëpo, siç duket, kjo qëndrueshmëri zgjati vetëm rreth 10 vjet, pasi tani Komuna e Klinës ka vendosur ta heqë kalldrëmin dhe ta rikthejë asfaltin.

E kubëzat që dikur do ta bënin Klinën të dukej si Venecia, tashmë kanë përfunduar në shitje.

Kuvendi i Komunës së Klinës, përmes një ankandi publik, ka vendosur t’i shesë kubëzat e kalldrëmit që ishin vendosur në sheshin e qytetit.

Sipas njoftimit, shitja do të realizohet përmes ofertave të mbyllura nga të interesuarit për blerjen e tyre. Megjithatë, në njoftim nuk është specifikuar ndonjë shumë me të cilën komuna synon t’i shesë këto kubëza.

Një nga arsyet e mundshme për largimin e kalldrëmit duket të jenë edhe ankesat e qytetarëve, të cilët janë ankuar për dëmtimin e veturave gjatë qarkullimit në këtë zonë.

Por, duket se as kalldrëmi “venecian” nuk po gjen lehtë blerës.

Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga vendosja e kubëzave në shitje, deri më tani nuk është publikuar ndonjë njoftim për dhënien e kontratës, çka lë të kuptohet se komuna ende nuk ka përmbyllur procesin e shitjes.

Kështu, nga një investim që premtonte ta bënte Klinën unike në Kosovë dhe t’u jepte vizitorëve “përshtypje veneciane”, kalldrëmi ka përfunduar në ankand, ndërsa qyteti po i kthehet asfaltit./Gazeta Infokus

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy