Lifestyle

Islanda vendi më i qetë në botë, Siria mbetet një ferr

Autori: Gazeta inFokus 10:06 | 02 June 2017

Niveli i paqes në botë është përmirësuar lehtësisht, për të parën herë që nga fillimi i luftës në Siri. Por harmonia ka njohur rënie në SHBA dhe terrorizmi është rritur. Sipas një instituti studimesh me qendër në Sidnej, “Instituti për Paqen dhe Ekonominë”, kostoja e konflikteve ka pasur pasoja të jashtëzakonshme në ekonomitë botërore.

Studiuesit kërkuan që më shumë parà të shpenzohen në ndërtimin e paqes. Raporti zbulon se bota është bërë 0.28 për qind më e paqtë vitin e shkuar.

Kjo ka ardhur nga një rënie e dhunës shtetërore, përfshirë torturën, vrasjet pa gjykim dhe një rënie të shkallës së vrasjeve. Efekti i vonuar i tërheqjes së trupave amerikane dhe britanike nga Afganistani ka ndikuar në këtë përfundim. Por trendi nuk është i tillë brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një rritje e vrasjeve dhe një nivel më i lartë i krimit ka bërë që perceptimi i paqes të njohë rënie.

-Advertisement-

Ndërsa niveli i terrorizmit është rritur në Europë, kontinenti mbetet rajoni më paqësor në planet. Numri i vendeve me një bilanc më të rënduar vdekjesh nga terrorizmi ka shkuar në 23. Mes tyre Danimarka, Suedia, Franca dhe Turqia. Kërkuesit kanë arritur në përfundimin se 60 për qind e vendeve kanë një shkallë më të lartë terrorizmi sesa 10 vite më parë. Kërkimi nuk përfshin periudhën e sulmit në Manchester të Britanisë së Madhe, muajin e shkuar.

Ndërkohë, rritja e mbështetjes për populizmin në Europë, sipas raportit korrespondon me një përkeqësim të niveleve të paqes, teksa rritet pabarazia e pasurisë, liritë e mediave tkurren dhe pranimi i të drejtave të të tjerëve nga ana e njerëzve duket se po vështirësohet. Siria është vendi më pak paqësor në botë për të pestin vit radhazi.

Para shpërthimit të luftës civile atje, Siria klasifikohej si vendi i 65-të mes atyre më pak të paqtëve. Katër vendet e tjera më të dhunshme janë Afganistani, Iraku, Sudani Jugor dhe Jemeni. Në anën tjetër, Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një vend që e mban këtë rekord që prej vitit 2008. Katër vendet e tjera më paqësore janë Zelanda e Re, Portugalia, Australia dhe Danimarka.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera