Ekonomi

Intervistë│Rukiqi: Qeveria t’i mbaj duart larg nga ekonomia e sektori privat

Autori: Gazeta inFokus 08:51 | 07 May 2018

Ka 11 vite që punon në Odën Ekonomike të Kosovës, e tani po synon edhe pozitën e të parit të OEK-ut. Berat Rukiqi para më shumë se dy javësh ka zyrtarizuar kandidaturën për Kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës, për të cilën thotë se ka mbështetjen e duhur.

Rukiqi në një intervistë për Infokusin ka thënë se për katër vite mandat, angazhimi i tij ditor do të jetë sundimi i ligjit, aftësimi i fuqisë punëtore, luftimi i informalitetit e sigurimi i një konkurrence të barabartë në treg, si dhe rritjen e investimeve tëhuaja direkte dhe eksportit. Gjersa thotë se Qeveria duhet t’i mbaj duart larg nga ekonomia dhe sektori privat.

Deklaron se ndryshimi substancial që duhet të bëhet është është rritja e rolit dhe përfaqësimit të sektorit privat në proceset vendimmarrëse , e që sipas tij mund të bëhet vetëm me një fuqizim të Odës Ekonomike të Kosovës.

-Advertisement-

E sektorët që thotë se duhet të fuqizohen janë ai i shitjes me pakicë, prodhues, bankar dhe sektori i ICT-së. Rukiqi deklaron se pa fuqizimin e këtyre sektorëve nuk mund të shiten prodhimet vendore, nuk ka eksport, financim për rritjen e bizneseve e nuk mund të modernizohet dhe transformohet ekonomia.

Arsyen e kandidaturës, planet e tij për katër vitet e ardhshme nëse zgjidhet në krye të OEK-ut, top 10 prioritet e tij, ndryshmet që do t’i bëjë në këtë institucion e kërkesat që do t’ia adresojë Qeverisë, ai i ka treguar në një interviste për Infokusin.

Më poshtë intervista e plotë me Berat Rukiqin:

Infokusi: Z. Rukiqi, jeni kandidat për kryetar të OEK-ut. A prisni që do ta merrni mbështetjen e duhur për të fituar garën edhe pse ende nuk dihet a do të keni kundër kandidat?
Rukiqi: Kandidatura ime për Kryetar të organizatës më të madhe në vend që përfaqëson interesat e biznesit, Odës Ekonomike të Kosovës, vjen pas një procesi të gjatë të konsultave me akterët më të rëndësishëm të sektorit privat në vend. Po të mos ishte mbështetja e duhur, nuk do ta zyrtarizoja kandidaturën fare. Përndryshe kandidatura vjen pas një angazhimi tash e 11 vjet në Odën Ekonomike të Kosovës, angazhim i cili më ka mundësuar të pjekem profesionalisht dhe të jem kandidat i pranueshëm në këtë cikël zgjedhor për organet e Odës Ekonomike të Kosovës.

Infokusi: Pse mendoni se jeni njeriu i duhur për ta udhëhequr OEK-un?
Rukiqi: Udhëheqja e Odës Ekonomike të Kosovës, dallon nga secila pozitë e rëndësishme në institucionet tjera në vend. Janë tri cilësi të cilat janë të rëndësishme për te udhëhequr me këtë institucion: aftësia për të komunikuar me aktorët e rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit, aftësia për të balancuar interesat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë,që janë pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe artikulimi i qartë dhe i paanshëm i kërkesave të komunitetit të biznesit, për një mjedis të favorshëm të të bërit biznes. 11 vite në Odën Ekonomike të Kosovës, përvoja në themelimin dhe rrugën e zhvillimit të një start-up të suksesshëm nga sektori prodhues dhe i shitjes me pakicë, 10 vite të punës në Universitet, përvoja 4 vjeçare në sektorin publik, përkatësisht udhëheqja e Bordit të KEK-ut, pa asnjë afere dhe me indikatorë pozitiv financiar, si dhe angazhimi i fundit profesional në Bordin e Millenium Foundation Kosovo, përmes një konfirmimi të integritetit profesional edhe nga administrata amerikane, janë bazë e mjaftueshme që konfirmojnë jo vetëm posedimin e cilësive te lartë cekura, por edhe të potencialit shtesë për të udhëhequr OEK-un në procesin e marrjes së primatit për tu bërë organizata me përfaqësuese, me profesionale e interesave të sektorit privat dhe promovimit të një mjedisi më të favorshëm për biznes dhe investime.

Rukiqi: Kam mbështetjen e plotë për kryetar të OEK-ut

Infokusi: Në çka mendoni se duhet të bëhen ndryshime, ose do të ndryshoni në të mirë të bizneseve nëse do të jeni kryetar për një mandat në krye të OEK-ut?
Rukiqi: Përfaqësimi i 16,000 anëtarëve, 30 shoqatave të sektorëve më të rëndësishëm ekonomik dhe i ndërmarrjeve që kontribuojnë në 80% të hyrave të buxhetit të vendit, është privilegj, por edhe punë jo e lehtë. Gjithashtu 6-7 vitet e fundit kanë sjellë në skenë edhe shumë aktere, të cilët pretendojnë në përfaqësim të interesave të sektorit privat, por nëse shikohet fuqia e tyre reale, impakti në proceset vendimmarrëse mbetet i vogël. Parcializimi i përfaqësimit të interesave të komunitetit të biznesit ka zvogëluar ndikimin e sektorit privat në proceset vendimmarrëse. Ndryshimi substancial që duhet të bëhet është rritja e rolit dhe përfaqësimit të sektorit privat në proceset vendimmarrëse dhe kjo mund të bëhet vetëm me një organizatë të fuqishme “ombrellë”, pra me një fuqizim të Odës Ekonomike të Kosovës. Për këtë fuqizim të OEK-ut, duhet qasje bashkëpunuese me të gjithë akterët e sektorit privat dhe publik dhe krijimi i një platforme, me bazë në OEK, që mbron biznesin nga padrejtësitë që krijojnë vendimet dhe veprimet e institucioneve vendimmarrëse dhe konkurrenca jo-lojale në treg.

Infokusi: A mendoni se deri me tani OEK i ka mbrojtur sa duhet interesat e bizneseve?
Rukiqi: Bizneset janë vazhdimisht kërkuese dhe është e vështirë të mbrohen të gjitha interesat e bizneseve, sidomos nëse e kemi parasysh nevojën për balancim të përfaqësimit të interesave në mes sektorëve të ndryshëm, por edhe atë që ju referova në pyetjen paraprake, pra parcializimit të përfaqësimit të interesave të biznesit. OEK në 15 vitet e fundit ka arritur që të jetë promotor kryesor i ndryshimeve pozitive, sidomos në politikat fiskale. Mirëpo, mbrojtja e interesave të biznesit kërkon avancim të vazhdueshëm të mekanizmave brenda OEK-ut, prandaj mendoj që ka hapësirë të bëhet shumë më shumë.

Infokusi: Cilët do të jenë sektorët me prioritet me të cilat mendoni se duhet të merreni dhe që janë në interes të zhvillimit ekonomik?

Rukiqi: Çdo sektor me potencial për krijimin e vendeve të punës dhe rritje të eksportit duhet të jetë prioritet. Deficiti tregtar dhe papunësia, sidomos te të rinjtë, janë problemet kryesore ekonomike. Angazhimi im do të jetë në adresimin e këtyre problemeve, përmes fuqizimit të sektorëve që mund të ndikojnë qoftë në krijimin e vendeve të reja të punës, qoftë në rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Por kjo nuk përjashton edhe angazhimin për sektorë tjerë që lehtësojnë dhe mundësojnë krijimin e një “zinxhiri të vlerave” për zhvillim ekonomik. Pa sektor të fuqishëm të shitjes me pakicë, nuk mund të shiten prodhimet e prodhuara në vend. Pa sektor prodhues të fuqishëm, nuk kemi çka të eksportojmë. Pa sektor bankar të fuqishëm dhe të besueshëm, nuk kemi si të financojmë rritjen e bizneseve. Pa zhvillim sektorit të ICT-se nuk mund ta modernizojmë dhe transformojmë ekonominë.

Infokusi: Cilat do të jenë kërkesat ose cfare ndryshime do të kërkoni nga Qeveria për të përmirësuar ambientin e biznesit në Kosovë?Rukiqi: Qeveria duhet t’i mbaj duart larg ekonomisë dhe sektorit privat. Për 4 vite mandat, angazhimi për ndryshime do të jetë ditor, sidomos për: a) Sundimin e ligjit; b) Aftësimin e fuqisë punëtore; c) Luftimin e informalitetit dhe sigurimin e një konkurrence të barabartë ne treg; d) Rritjen e investimeve tëhuaja direkte dhe eksportit.

Infokusi: A mendoni se duhet të ketë edhe me tepër lehtësira fiskale në mënyrë që të kemi një zhvillim edhe me të madh të bizneseve në Kosovë?

Rukiqi: Gjithesesi duhet të vazhdohet me krijimin e lehtësirave fiskale, nëse marrim parasysh efektin pozitiv që kanë pasur lehtësirat e deritashme. Janë dy prioritete që duhet të trajtohen në kuadër të politikave fiskale: Stimujt fiskal për investimet e reja dhe ndryshimi në mbledhjen e TVSH-së, përkatësisht mbledhja e TVSH-së ne brendi e jo në kufi.

Infokusi: Cka do të bëni për të krijuar një ambient biznesor me atraktiv për tërheqjen e investitorëve?

Rukiqi: Do të krijojmë mekanizma të dialogut publiko-privat që mundësojnë adresimin e shpejtë të kërkesave për ndryshime në mjedisin e të bërit biznes. Këta mekanizma nuk do të jenë vetëm në letër, por do ta kenë brenda vetes një substancë profesionale, përfshirë edhe ekspertizën ndërkombëtare, në tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Në ditët e para të punës, bashkë me ekipën udhëheqëse në OEK, do të prezantojë një plan 3 vjeçar të masave për nxitjen e investimeve, i cili do të ketë sukses vetëm nëse ka koordinim ndërinstitucional. Do të insistoj fuqishëm në aktivizimin e Këshillit nacional për Investime të Huaja, krijimi i të cilit është obligim ligjor në bazë të Ligjit për Investime të Huaja Direkte dhe ku parashihet një rol i fuqishëm për OEK-un. Ky mund të jetë vetëm njëri nga mekanizmat ku duhet dhe mund të ndikojmë për një mjedis më të mirë për biznes dhe investime. Në anën tjetër duhet të ketë edhe fuqizim të mekanizmave tjerë ekzistues të dialogut publiko-privat, por këta mekanizma nuk mund të fuqizohen me akterë që nuk kanë kredibilitet, profesionalizëm dhe transparencë, qofteë nga sektori publik, qoftë ai privat.

Infokusi: Duke e ditur se keni qenë i angazhuar prej vitesh në Odë, a mendoni se mund të behën ndryshime të mëdha në të mirë të biznesit duke e njohur edhe nivelin politik ose qasjen e qeverisë qe e kemi karshi bizneseve?

Rukiqi: Kosova ka nevojë të kalon nga proceset shtetndërtuese, në procese zhvillimore. Shtetndërtimi karakterizohet me shumë improvizime, kompromise dhe popullizëm. Zhvillimi ekonomik kërkon vullnet politik, luftë pakompromis të korrupsionit dhe krimit, planifikim afatgjatë në vend të improvizimeve, si dhe vendime të vështira e jo masa populliste dhe shndërrim të instutucioneve në “strehimore sociale”. E tëra kjo kërkon ndryshim të mendësisë në qeverisje. Nuk është proces i lehtë, por rol vendimtar në këtë ndryshim mund të ketë vetëm politika e “shkopit dhe karotës”, brenda procesit të integrimit në BE.

Infokusi: Cilat do të jenë top 10 prioritetet e Rukiqit për nga dita e parë kur do të jeni në krye të OEK-ut?

Rukiqi: Fillimisht, angazhimi im është të zgjedhem përmes një procesi demokratik dhe gjithëpërfshirës. Nëse zgjedhja ime finalizihet përmes një procesi të tillë, prioritetet mia do të jenë të ndara në ato që duhet të zbatohen brenda organizatës dhe ato që lidhen me aspekte të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të biznesit. Në aspektin e brendshëm prioritet kryesore janë: Krijimi i një ekipe profesionale që angazhohet në krijimin e një identiteti modern të organizatës dhe vendos trende në përfaqësimin e komunitetit të biznesit; funksionalizimi i plotë i organeve të Odës; Qeverisja korporative e Odës në bazë të praktikave ndërkombëtare; Fuqizimi i rolit dhe rritja e aktiviteteve të Këshillit Drejtues të Odës; Rritja e numrit të anëtarëve dhe zgjerimi i rrjetit të anëtarësisë; Rritja e numrit të shërbimeve që ofron Oda; Decentralizimi i shumë shërbimeve të Odës në nivel të shtatë njësive rajonale që ka Oda, si dhe digjitalizim i shërbimeve të Odës. Në aspektin tjetër që lidhet me rolin e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të biznesit prioritet kryesore janë: Përfshirja e OEK-ut në çdo proces vendimmarrës që ka ndikim në sektorin privat; Marrja e lidershipit në aktivitetet e diplomacisë ekonomike; Mbështetja e rritjes së eksportit të prodhimeve “Made in Kosova” në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare; Përkrahja a Arsimit Profesional dhe aftësimit të fuqisë punëtore në përgjithësi./Infokusi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera