Lajme

Hoti me akuza për qeverinë: Taksat e qytetarëve po përdoren për të larguar punëtorë nga puna

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 02 August 2022

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi ka ngritur akuza për qeverinë se kjo ë fundit po përdor taksat e qytetarëve për të larguar njerëz nga puna, shkruan Gazeta Infokus.

Po ashtu, ish-kryeministri Hoti është shprehur i çuditur se si kjo qeveri e ka ndaluar “gjakderdhjen financiare” të ndërmarrjeve publike, por për periudhën janar-qershor 2022, i ka rritur për gjashtë herë subvencionet nga buxheti për këto ndërmarrje – nga 1.92 mil euro më 2021, në 12.39 mil euro sivjet.

“Me gjasë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve po shkojnë për të larguar punëtorë nga puna në Telekom përmes skemës që ua paguan përnjëherë 24 paga mujore atyre që lëshojnë punën. Fatkeqësisht, kjo skemë po rezulton me ikje të kuadrove më të mira nga Telekomi, pasi kuadrot më të mira kanë më shumë alternativa në treg.

-Advertisement-

E vërteta është, fatkeqësisht, se taksat e qytetarëve po përdoren për të larguar punëtorë nga puna. Duket se “gjakderdhja financiare” – ky term morbid që u fut në diskursin politik – po i ndodh buxhetit të shtetit me vendime qeveritare”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i LDK-së në postimin e tij në rrjetin social në “Facebook”, ka ngritur edhe një dilemë duke thënë se pasi që Telekomit po i ikin kuadrot, “A nënkupton kjo se po largohen punëtorët ekzistues për tu zëvendësuar me të tjerë nga partia në pushtet?”

“Duke qenë se Telekomit po i ikin kuadrot, detyrimisht do të detyrohet të rekrutojë punëtorë së shpejti. A nënkupton kjo se po largohen punëtorët ekzistues për tu zëvendësuar me të tjerë nga partia në pushtet?! Çfarë politike e mbrapshtë është kjo?!”, ka shkruar ai./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera