Lajme

Hill: Asociacioni, obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit

Autori: Gazeta inFokus 18:40 | 24 January 2023

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit.

“Të gjithë negociatorët dhe ndërmjetësuesit, qoftë në Bashkimin Evropian, apo në Shtetet e Bashkuara, e kanë konfirmuar që ky është një obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit. Është element kyç për të ecur përpara. Pastaj vjen ajo që thuhet në planin franko-gjerman, i cili gëzon mbështetjen e BE-së. Ai përfshin ide më të gjera që do të kërkojnë pak më shumë kohë”, ka thënë Hill.

Ai i ka bërë këto deklarata në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi në mes të Serbisë dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

-Advertisement-

Hill ka thënë, po ashtu, se Asociacioni nuk mund të krijohet menjëherë, duke shtuar se është e nevojshme që të punohet në disa aspekte.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar të ketë marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pres të jetë një takim i mirë”, ka thënë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

“E ardhmja evropiane e Serbisë, e rëndësishme për SHBA-në”

Ambasadori amerikan në Serbi, ka thënë se e ka dëgjuar “me kujdes fjalimin e (presidentit serb, Aleksandar Vuçiq)”, i cili, sipas tij, “ka prezantuar planin dhe konceptin për zgjidhjen e problemit shumë të komplikuar” të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti e ka sqaruar si e sheh të ardhmen e Serbisë dhe SHBA-ja mbështet një të ardhme të tillë për Serbinë. Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian, dhe për ne është shumë e rëndësishme të shohim përparimin që bën Serbia drejt BE-së”, ka thënë Hill më 24 janar.

Presidenti serb ka thënë në një adresim para kombit, më 23 janar, se ekipi diplomatik evropiano-amerikan, i ka thënë atij se nëse ai nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballet me bllokim të investimeve dhe procesit të integrimit.

Ai ka thënë se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, është kornizë e re negociuse për Serbinë.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Radio Evropa ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera