Lajme

Escobar lë të kuptohet se nuk do ketë reciprocitet në targa e dokumente nga 1 shtatori

Autori: Islam Morina 17:19 | 24 August 2022

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me krerët e institucioneve ka deklaruar se nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator.

“Ata na siguruan se nuk duan asnjë përshkallëzim, nuk duan dhunë në 1 shtator. Pra, tani jemi këtu sot për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe gjithë ai optimizëm të përkthehen në të mirë të vendit”, tha Escobar.

Gazeta Infokus nga burimet të sigurta të saj brenda takimeve të Escobarit dhe Lajçakut me krerët e institucioneve të vendit, ka mësuar se të dy kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani që implementimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet të shtyhet edhe për katër muaj të tjerë.

-Advertisement-

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE: Kjo është kërkesa e Escobarit dhe Lajçakut ndaj Kurtit e Osmanit

Një muaj më parë Qeveria e Kosovës vendosi që të implementojë vendimin për reciprocitet me Serbinë në targa dhe dokumente, gjë që bëri që situata në veri të vendit të acarohet.

Çka bëri që në Rudare të zhvillohet një takim mes Gjeneralëve amerikan të NATO-s, Ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier dhe liderëve të serbëve të veriut, ku u bë e qartë se asnjë lloj përshkallëzimi i situatës atje nuk do të tolerohet.

Po atë natë kur pritej të fillojë implementimi i vendimit të qeverisë ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, zhvilloi takime edhe me krerët e shtetit, ku vetëm 5 minuta para fillimit të implementimit të vendimit të qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti mori vendim që implementimi të shtyhej deri më 1 shtator.

Javën që e lamë pas pati takime dhe dialog në Bruksel, ku u tentua që të gjendet një zgjidhje për situatën e lënë pezull, por pa sukses.

Gazeta Infokus nga burimet e veta të sigurta brenda takimeve mëson se me gjasë kryeministri Albin Kurti do ta pranojë kërkesën e Escobar dhe Lajçak dhe implementimin e vendimit për reciprocitet në targa dhe dokumente do ta shtyjë edhe për katër muaj të tjerë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera