Lajme

Eksperti i Prokurorisë, tash kryetar bordi në KEK – a ka rrezik për ndikim në hetimet e disa kontratave?

Autori: Gazeta inFokus 20:46 | 02 July 2022

Më 2 shkurt të këtij viti, Skënder Haziri mori një lajm të rënëdsishëm. Ai u përzgjodh si kryetar i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke u votuar bashkë me anëtarët e tjerë në mbledhjen e qeverisë, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Para se të emërohet në këtë pozitë, Haziri kishte qenë i angazhuar edhe si ekspert për anti-korrupsion në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Aty kishte punuar për 10 vite të plota.

Pas emërimit të Hazirit në cilësinë e kryetarit të Bordit, në KEK kishte shpërthyer një skandal në lidhje me punësimet e që më pas ishte anuluar pas reagimeve të shumta. Hetimet për këtë konkurs i kishte nisur edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës. Në mesin e të punësuarve, ishin familjarë të komisionit vlerësues e menaxhmentit të KEK-ut, të emëruar pikërisht nga Bordi i kryesuar nga Skënder Haziri, të cilin Bord e kishte votuar qeveria Kurti II.

-Advertisement-

Njëri nga të punësuarit ishte edhe djali i Drejtorit të Divizionit të Auditimit. Këtë drejtor, e kishte emëruar pikërisht Bordi i ri i KEK-ut.

Gazeta Nacionale ka mësuar se përveç atij konkursi, Prokuroria po heton edhe disa kontrata të tjera në Korporatën Energjetike të Kosovës. Megjithatë, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje as nga Prokuroria e as nga KEK-u në lidhje me këto hetime që po zhvillohen.

Dilemat janë ngritur nëse e kaluara e kryetarit të Bordit të KEK-ut në Prokurorinë Speciale, ka rrezik për ndikim dhe mundësi për konflikt të interesit, në hetimet që dikur kolegët e Hazirit, po i bëjnë për parregullsi brenda KEK-ut.

Nacionale ka siguruar një CV të Skënder Hazirit, i cili tregon për angazhimin e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Skënder Haziri aty kishte bërë të ditur se në Prokurorinë Speciale ka punuar nga prilli i vitit 2011 e së paku deri më 8 tetor, kur e kishte dorëzuar aplikacionin.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Agjencion i Pavarur për hetimin e veprave të ndryshme penale. Ekspert për anti-korrupsion dhe çështje ekonomiko-financiare. Vlerësimi dhe shqyrtimi i raporteve të ndryshme, përkrahja e Prokurorisë Speciale me ekspertiza, dhe mendime konkrete në lidhje me rastet e ndryshme korruptive, për veprat e tjera penale nga fusha e ekonomisë, nga fusha e prokurimit, shpërdorimi i fondeve publike etj”, thuhej në përvojën e punës që Haziri e kishte paraqitur në CV-në e tij.

Pra, Skënder Haziri në kohën e angazhimit të tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ishte marrë pikërisht me rastet e ndryshme të korrupsionit dhe aferave që ndërlidhen me krimet ekonomike. Pikërisht, për raste të ngjashme për të cilat Nacionale, ka mësuar se po bëhen hetime në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nuk dihet nëse kryetari i Bordit të KEK-ut kishte qenë i anagzhuar me kontratë të rregullt, apo si ekspert i jashtëm të cilët Prokuroria i angazhon për raste të ndryshme. Për dy ditë me radhë, gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë me Skënder Hazirin për ta pyetur në lidhje me angazhimin e tij në Prokurori, por që kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër, as Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e Nacionales, përë këtë temë.

Përderisa burimet e Nacionales kanë treguar se ka dilema për mundësinë e ndonjë ndikimi të mundshëm në hetimet që po zhvillohen aktualisht, Skënder Haziri e ka vazhduar normalisht angazhimin e tij si kryetar i Bordit të KEK-ut.

Madje, në një vendim që e ka siguruara gazeta Nacionale, Bordi i Drejtorëve i udhëhequr nga Haziri, ka kërkuar me urgjencë zbatimin e Ligjit të Punës, duke bërë që për të gjithë punëtorët ndaj të cilëve kanë nisur procedura penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të largohen përkohësisht nga puna.

Madje, Nacionale ka raportuar se ky vendim nga punëtorët është vlerësuar si presion dhe shantazh, në kohën kur punëtorët kanë zhvilluar protesta e kanë pasur pakënaqësi për disa çështje.

Çfarë thotë Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit?

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, nuk flet qartë për rastet sikur ky i kryetarit të Bordit të KEK-ut. Megjithatë, janë disa nene të cilat përgjithësisht, tregojnë për mundësinë e konfliktit të interesit të një zyrtari, pasi që të largohet nga një pozicion.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë ta përdorë informacionin e privilegjuar ose konfidencial të siguruara gjatë ushtrimit të funksionit publik, për qëllime e punësime të tjera në të ardhmen, për interesin privat ose të vet ose të një personi të afërm ose të besuar, për një periudhë deri 2 vjas përfundimit të funksionit publik”

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet personit të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri dy vjet pas përfundimit të funksionit publik”, thotë njëri nga nenet.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, në një konflikt ose marrëdhënie biznesi me institucionin, për detyrën që ai ka kryer ose që është në vazhdimësi të saj për një periudhë deri 2 vjet pas përfundimit të funksionit publik”, thotë neni tjetër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera