Lajme

Bllokohen edhe 24 tonë mish i skaduar në Mal të Zi, destinacioni ishte kompania “Apetit”

Autori: Gazeta inFokus 12:03 | 25 September 2026

Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar një tjetër sasi të madhe të mishit të viçit me afat të skaduar, i cili ishte nisur drejt Kosovës dhe kishte për destinacion kompaninë “Apetit SHPK”.

Bëhet fjalë për rreth 24 tonë mish të ngrirë me origjinë nga Brazili, i cili u zbulua gjatë kontrollit të një kontejneri në Portin e Tivarit.

Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, Administrata Doganore e Malit të Zi ka bërë të ditur se kontrolli është kryer më 24 shtator, ndërsa gjatë verifikimit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte përfunduar më 14 maj 2026.

-Advertisement-

“Zyrtarët e Administratës Doganore më 24 shtator 2026 kanë kontrolluar një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 paketa, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, thuhet në njoftimin e autoriteteve malazeze.

Sipas raportimeve, ngarkesa ishte porositur nga kompania kosovare “Apetit SHPK”.

Ky nuk është rasti i vetëm i evidentuar gjatë ditëve të fundit. Rreth një javë më parë, autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë të përgjithshme bruto prej rreth 77 tonësh.

Në atë rast, autoritetet kishin konstatuar se deklaratat origjinale, në të cilat figuronin afatet e skaduara të përdorimit, ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me deklarata ku paraqitej një afat tjetër.

Autoritetet kanë bërë të ditur se mishi i ndaluar në tre kontejnerët do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.

Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat doganore të vendeve të tjera të informohen për mënyrën e dyshuar të tentimit për shpërndarjen e mishit.

Sipas Administratës Doganore të Malit të Zi, në të dyja rastet është ndaluar tranziti i gjithsej 102,491.03 kilogramëve mish viçi, apo mbi 102 tonë.

“Apetit SHPK”, me seli në Obiliq, operon në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit në Kosovë./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy