Opinione

A do të ketë krime të reja në Kosovë për Badni Dani serb?

Autori: Gazeta inFokus 15:15 | 25 December 2024

Në kohën kur bota e krishterë kremton Krishtlindjen, në kujtesën tonë kolektive nuk mbeti pa u përmendur Buzmi Bujar, festa pagane që lidhet me momentin kur njerëzit mendonin se dielli fillonte t’i afrohej tokës dhe paralajmëronte stinët e “ringjalljes” së natyrës. Mendimet e tilla mbështeteshin në besimin se toka ishte në qendër të universit dhe se gjoja çdo gjë rrotullohej rreth saj. Të vetëdijshëm se dielli sjell begati për njerëzimin, popujt që kremtonin këtë ngjarje kishin përzgjedhur forma të ndryshme për të shprehur lutjet e tyre që viti i ardhshëm të sjell sa më shumë begati. Kështu për shembull “popujt nordik” stolisnin një dru gjethembajtës, zakonisht pishë, me kallinj misri, molla, dardha, kunguj etj., me shpresë që rendimentet të jenë të bollshme.

Shqiptarët që trashëguan këtë rit nga paraardhësit e tyre ilirë, për festën që njihet me emra të ndryshëm (Buzmit Bujar, Nata e Buzmit, Mjedisi i dimrit, Ditëkëndellja, Kshnellat etj., ndiznin një trung të madh druri në vatrat e tyre dhe bënin ceremoni të ndryshme lutjeje dhe gëzimi.

Ky rit në gjuhën serbe quhet Badnji dan (Dita e Dushkut) dhe kremtohet më 6 janar, që i paraprin festës së Krishtlindjes ortodokse serbe, që kremtohet më 7 janar, për shkak të zbatimit të kalendarit julian. Në bazë të traditës, në vigjilje të kësaj dite shkohet në pyll dhe para agimit pritet një dushk i drejtë, i cili lihet para dyerve të shtëpisë deri në mbrëmje. Në mbrëmje dushku ndizet dhe këndohen këngë dhe lutje, që të kenë begati, aq sa edhe shkëndijat e dushkut.

-Advertisement-

Ditëve të fundit është aktualizuar rreziku që pikërisht për këto festa, serbët të ndërmarrin aksione dhune kundër Kosovës. Në këtë kontekst po sjell për lexuesit një fragment nga romani im dokumentar “Eskadronët e vdekjes”, që mbështetet mbi dëshmitë serbe, me shpresë që do të rrisë vigjilencën e rrezikut permanent që na kanoset nga mbeturinat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, që janë në krye të institucioneve shtetërore të Serbisë.
“… Në dalje të stacionit policor na u shpërnda kumtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në të cilën thuhej:

Mbrëmë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 20:15, në kafenenë “Panda” në Pejë, në aksionin që ndërmorën anëtarët e organizatës terroriste të ashtuquajtur Ushtri Çlirimtare e Kosovës, u vranë Ivan Obradoviq (14 vjeç), Vukota Gvozdenoviq (16 vjeç), Svetislav Ristiq (17 vjeç), Zoran Stanojeviq (17 vjeç), Dragan Trifoviq (17 vjeç) dhe Ivan Radeviq (25 vjeç), ndërsa tre të tjerë janë plagosur rëndë.

Vrasja e gjashtë të rinjve të përkatësisë etnike serbe dhe malazeze në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna është dëshmi e verbimit të nacionalistëve shqiptarë, të cilët përdorin çdolloj mjeti për realizimin e qëllimeve të tyre armiqësore.

Ata që kanë marrë guximin të na vrasin fëmijët, do të ballafaqohen me zemërimin e popujve tanë. Jemi të vendosur që t’i çrrënjosim një herë e përgjithmonë! Mallkimi do të bjerë mbi ta!

– Mifi, të flasim pa doreza. Pas komunikatës lidhur me vrasjen e doktorit të çetës sonë, çdo kumtesë zyrtare e shihja me dyshim. Kësaj të fundit i vinte era me kilometra larg, por ec e hape gojën: ta mbyllnin një herë e përgjithmonë!

Tragjedia në kafenenë “Panda” tronditi të gjithë pjesëtarët e çetës sonë. Nuk e kuptuam dot, pse na urdhëruan të largoheshim nga fusha e sportit e gjimnazit, që vetëm rruga e ndante me kafenenë “Panda” dhe të zinim pozicion rreth 200 m më larg! Çka fshihej prapa kësaj rokade ushtarësh dhe cili ishte roli i rreth 25 pjesëtarëve të “Beretave të kuqe”, që u vendosën në pozicionet tona të mëparshme? Në kokë bluaja lloj-lloj mendimesh dhe nuk mund t’ia gjeja fillin rrjedhës së ngjarjeve. Edhe më i çuditshëm më dukej urdhri, që të niseshim në drejtim të kundërt të vendit nga u dëgjuan krismat! Nuk mund ta kuptoja si i përpiu dheu dorasit e këtij akti të përbindshëm, kur e dinim se në një perimetër prej 500 m rreth e përqark vendit të krimit kishte mbi 100 policë dhe pjesëtarë të “Beretave të kuqe” dhe një duzinë mjetesh të blinduara. Edhe zogj të kishin qenë, do t’ua kishim shpërndarë pendët në hava… Eh, mor Mifi L., ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë… Nuk thotë kot populli: të vrasin natën dhe të qajnë ditën!

Sidoqoftë e vërteta, vrasja në kafenenë “Panda” krijoi një zemërim, deri atëherë të paparë, kundër shqiptarëve. Të gjitha mediet publikuan fotografi nga skena e krimit, ku gjashtë të rinj shiheshin të palosur, si duaj pas të korrurave, në një pellg të madh gjaku. Skenat e tmerrshme që përsëriteshin çdo gjysmë ore në televizionin shtetëror dhe leximi i letrës plot emocione trishtimi, që nënat e viktimave ia kishin drejtuar Sllobodan Millosheviqit, që, së paku, të mos lejonte të përdhoseshin varrezat e djemve, të vëllezërve, të baballarëve dhe të burrave të tyre, të cilët ishin vrarë gjatë aksioneve antiterroriste në mbrojtje të integritetit të vendit, ndikuan që të ndërpritej mësimi në të gjitha nivelet e arsimit dhe të organizoheshin protesta pothuajse në të gjitha qytetet e Serbisë dhe të Malit të Zi. Në të gjitha protestat manifestohej gatishmëria për t’u mobilizuar në luftë kundër terroristëve që vrisnin fëmijë…

Megjithatë, në Kosovë çdo ditë vriteshin fëmijë…

– Shpifje! – ulëriu koloneli. – Shpifje të ndyra!

I përqendruar në atë që shkruaja, piskama e papritur e kolonelit më bëri të brofja nga karrigia. E ktheu letrën pjesërisht nga unë dhe lexoi me zë: “Eh, mor Mifi L., ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë… Nuk thotë kot populli: të vrasin natën dhe të qajnë ditën!”

U ngrit nga karrigia dhe filloi të ulërijë sërish:

– Kësaj i thonë të marrësh në mbrojtje terroristët shqiptarë! Si nuk pati turp ajo pjellë lavireje, kur sajoi këto rrëfime, që shpifin se gjoja të rinjtë në kafenenë “Panda” na i paskëshin vrarë “Beretat e kuqe”! Turp të kesh edhe ti, që ke përhapur gënjeshtra të tilla, të sajuara nga armiqtë tanë!

Desha t’i them se ata që më kanë treguar për këto krime nuk janë pjella laviresh, por heshta, ngaqë e pashë se nuk kishte vesh për të dëgjuar gjëra të tilla. Sidoqoftë, u përpoqa ta arsyetoja qëndrimin tim:

– Është e drejta juaj të mendoni kështu! Por unë, duke shprehur haptazi mospajtimet e mia për atë që ka ndodhur në Kosovë dhe duke kërkuar të nxirren para drejtësisë ata që kanë kryer krime, kam besuar se do ta shpëtojmë vendin nga turpi. Në të kundërtën, ka rrezik që krimet të na vishen të gjithëve.

– Nuk ke shpëtuar askënd me këto shpifje! I ke ngulur thikën vendit tënd! – tha koloneli me një ton, që nuk e fshihte aspak zemërimin e madh. – Vazhdo! – më urdhëroi me një zë që përcillte urrejtje.

Përqendrimi në shkrim më bënte të harroja ku isha.

Mora stilolapsin që e kisha lënë mbi letër dhe vazhdova të shkruaj aty ku e kisha lënë rrëfimin.

Protestat e serbëve dhe të malazezëve vazhduan për tri javë rresht dhe patën një ndikim shumë të madh te popullsia jonë, që shprehej jo vetëm me numrin e madh të pjesëmarrësve, por edhe me regjistrimin e vullnetarëve për të shkuar në luftën e Kosovës. Madje, në mbrëmjen e Ditës së Dushkut ndezëm një zjarr të madh në oborrin e fabrikës së akumulatorëve dhe shumica e policëve të çetës sonë luteshin që këtë vit të ketë po aq shqiptarë të vrarë, sa shkëndijat e zjarrit që shpërndaheshin gjithandej mbi kokat tona…

Dhe lutjeve të tyre u erdhi dita… Gjatë operacioneve për shkatërrimin e forcave terroriste shqiptare, në fshatrat Lubeniq, Kralan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq vramë rreth 400 shqiptarë. Në fshatin Qyshk, nënkoloneli Jordan Denkiq, që komandonte operacionet e Brigadës 125, i ndau në tri grupe burrat që duhej të vriteshin. Grupin e parë e futën në shtëpinë e Azem Gashit, grupin e dytë në shtëpinë e Demë Gashit, ndërsa grupin e tretë në oborrin e shtëpisë së Kadri Çekut. Pasi identifikuan Hasan Çekun, të atin e kolonel Agim Çekut, i cili kishte luftuar kundër nesh edhe në Kroaci përkrah ushtrisë kroate dhe tani drejtonte forcat terroriste në Kosovë, eskadronët e vdekjes me emrin “Shakali”, që përbëhej nga vullnetarë, e morën për krahësh atë burrë rreth të shtatëdhjetave, e futën në ahurin e lopëve, ia prenë kokën nga zverku dhe i vunë zjarrin stallës. Pasi u morëm të gjitha gjërat me vlerë, njerëzit që u përzgjodhën për atë botë, i vramë brenda shtëpive, u vumë zjarrin katundeve, ndërkaq gratë dhe fëmijët i vumë si bagëtinë përpara dhe u dhamë urdhër që të shporreshin në Shqipëri… Ishte e rëndë të dëgjoje ulërimën e femrave kur nxirreshin nga rreshtat e kolonave dhe, përskaj rrugës, përdhunoheshin nga ata që pak çaste më parë u kishin vrarë baballarët, vëllezërit, burrat… – lëshoi një ofshamë të madhe Stojko.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera