Opinione

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Simbol i Popullit, jo i individëve

Autori: Gazeta inFokus 21:45 | 30 January 2025

Ali Caka

29 janar 2025

Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Simbol i Popullit, jo i individëve

-Advertisement-

Kosova e sotme është produkt i përpjekjeve të gjata për liri, i sakrificave të panumërta dhe i guximit të popullit shqiptar që nuk u dorëzua kurrë përballë padrejtësisë.

Në themel të kësaj lirie që gëzojmë sot, qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK — forca që nuk ishte e një individi ose e një grupi të vogël, por e mbarë popullit shqiptar të Kosovës.

UÇK-ja nuk mund të përvetësohet nga askush, sepse ajo lindi nga nevoja e popullit dhe u formua nga vetë populli për mbrojtjen e tij. Ajo nuk ishte një organizatë private, nuk ishte një grup që veproi për interesa të veçanta, por një lëvizje e madhe çlirimtare që u përball me një makineri të tërë shtypëse për të siguruar të drejtën më elementare – jetën dhe lirinë.

Kushdo që përvetëson UÇK-në, përjashton veten nga e drejta për të kërkuar votën e popullit.

Sot, fatkeqësisht, ka përpjekje të ndryshme për të monopolizuar emrin dhe trashëgiminë e UÇK-së, si nga individë, ashtu edhe nga grupe të caktuara politike. Çdo përpjekje për ta paraqitur UÇK-në si pronë të një partie ose të një grupi të caktuar nuk është vetëm padrejtësi historike, por edhe një mohim i sakrificës së të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Nuk mundet askush ta përdorë emrin e saj për të justifikuar pushtetin ose për të kërkuar mbështetje elektorale. Liria dhe historia nuk janë monedha tregu për interesa personale.

UÇK-ja nuk ishte bandë, por një ushtri çlirimtare.

Në diskurset publike të kohëve të fundit, kemi parë përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën, duke e barazuar UÇK-në me grupe kriminale ose banda. Kjo është një padrejtësi e dyfishtë—së pari ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, dhe së dyti ndaj vetë popullit shqiptar, i cili e mbështeti dhe e formësoi këtë lëvizje. Një ushtri e një populli nuk është bandë! Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet një ushtri e organizuar, që kishte synim çlirimin kombëtar dhe jo interesa të ngushta personale.

Simbolet kombëtare nuk janë pronë e askujt.

Një tjetër fenomen shqetësues është përvetësimi i flamurit kombëtar dhe figurave të shquara të historisë shqiptare nga individë e grupe të caktuara. Flamuri kombëtar nuk është pronë private, ai përfaqëson gjithë kombin dhe sakrificat e tij. Njësoj ndodh edhe me figurat historike të kombit—ato nuk mund të jenë monopole të askujt, sepse u përkasin brezave dhe gjithë popullit shqiptar. Përdorimi i simboleve kombëtare për përfitime personale ose për të ndarë shqiptarët është një veprim i dëmshëm që minon vetë qenësinë e identitetit tonë.

Liria e fjalës nuk është e drejtë për të përbuzur.

Demokracia sjell me vete një nga të drejtat më themelore — lirinë e fjalës. Por kjo nuk do të thotë se kushdo ka të drejtë të fyejë, të përbuzë ose të njollosë figura të shquara dhe sakrificat kombëtare. Fjalët e lira duhen përdorur për debat të shëndetshëm, për të ngritur shoqërinë dhe jo për ta degraduar atë. Kur një komb fillon të përçmojë simbolet e tij dhe ata që sakrifikuan për të, ai është në rrezik të humbasë vetë themelet e ekzistencës së tij.

Koha është të mbrojmë të vërtetën historike dhe të mos lejojmë që ajo të deformohet nga interesa të vogla. UÇK-ja mbetet simbol i lirisë sonë, dhe këtë askush nuk ka të drejtë ta tjetërsojë!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera