Një mijë e një arsye pse duhet protestuar kundër rritjes së çmimeve në Kosovë

Autori: Mehmet GJATA
11:18 | 05 February 2025
Sado të vonuar që u treguan edhe kësaj radhe konsumatorët në Kosovë për të bojkotuar marketet dhe supermarketet për shkak të abuzimeve me çmime, gjithsesi “më mirë vonë se kurrë”. Në Kosovë, që nga post-pandemia COVID-19 dhe nisja e luftës ruso-ukrainase, janë aplikuar çmime enorme të ngritura, më të larta se në shumë vende të Europës dhe të rajonit, për shumë produkte ushqimore dhe për shërbime të shumta. Prandaj, në mungesë të dorës së shtetit për të mbrojtur grupet e cenueshme të qytetarëve, duhet bojkotuar çmimet abuzive.
Mehmet GJATA
Kosovarët, kushtimisht, për shkak të abuzimeve të tejskajshme të tregtarëve me çmime, do të duhet të ishin ndër të parët në Ballkan, të ndërmarrjes së iniciativës për bojkot të marketeve dhe suopermarketeve. Sidoqoftë, është paralajmëruar më në fund se edhe në Kosovë do t’i bashkohen iniciativës së blerësve në të gjithë Ballkanin, të zbatuar të premten ( më 31 janar 2025), për të bojkotuar tregtarët abuzivë, si pjesë e një lëvizjeje në rajon, që ka nis të protestojë ndaj rritjes së çmimeve ushqimore dhe përkeqësimit të krizës së kostos së jetesës.
Reklama e sponzorizuar
Siç dihet, bojkoti ballkanas ndodhi një javë pasi konsumatorët në Kroaci kishin bojkotuar dyqanet (marketet dhe supermarketet), si pjesë e një nisme të nisur nga grupi kroat i të drejtave të konsumatorëve “Përshëndetje, Inspektor”. Dhe, efektet e këtij bojkoti, dolën në sipërfaqe që në ditët para dhe pas të “premtes kroate”.
“Në Kroaci, pra, përpara bojkotit të së premtes, qeveria shtoi 40 artikuj të tjerë në listën e saj ekzistuese të 30 produkteve bazë me çmime të kufizuara”, njoftuan mediat lokale.
Këto produkte përfshijnë disa lloje djathrash, kafeje dhe gjëra të domosdoshme shtëpiake si sapuni. Zinxhirët kroatë të supermarketeve i janë përgjigjur gjithashtu lëvizjes së protestës, me Kaufland Croatia që njoftoi një ulje çmimi për mbi 1,000 produkte nga 5 shkurti. Një tjetër rrjet supermarketesh, Konzum, tha se planifikonte të injektonte 1 milion euro për uljen dhe ngrirjen e çmimeve për 250 produkte vendase, të cilat nuk janë të kufizuara nga qeveria.
“Qëllimi kryesor është të mbrohen grupet më të cenueshme të qytetarëve”, tha ministri kroat i Ekonomisë, Ante Susnjar, në një deklaratë të dhënë për mediat e këtij vendi.
Ndërsa, sado të vonuar që u treguan edhe kësaj radhe konsumatorët në Kosovë, gjithsesi, “më mirë vonë se kurrë”. Sepse, në vendin tonë, ndër më të varfërit në Europë dhe në rajon, ka grupe e grupe qytetarësh të cënuar edhe nga rritja abuzive e çmimeve nga tregtarët e pandërgjegjshëm, sidomos nga ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore dhe të shumë produkteve të higjienës dhe të shërbimeve.
Në Kosovë, që nga post-pandemia COVID-19 dhe nisja e luftës ruso-ukrainase, janë aplikuar çmime enorme të ngritura, më të larta se në shumë vende të Europës dhe të rajonit, për shumë produkte ushqimore dhe për shërbime të shumta. Çmimet e larta aktuale si pasojë e ngritjes së vazhdueshme abuzive dhe jashtë çdo logjike tregu (disa herë brenda vitit) nga tregtarët abuzivë, kanë ndikuar imponueshëm në standardin jetësor, në mirëqenien e lëkundur seriozisht të kosovarëve, në varfërimin e shumë qytetarëve të këtij vendi dhe në thellimin e varfërisë te të varfërit ekzistues.
Tani, nga këto çmime enorme të larta, siç alarmojnë njohësit e rrethanave, është prekur dhe ka zënë të rrezikohet edhe shtresa e mesme e kosovarëve, që ka qenë numerikisht e theksueshme dhe me ndikim në gjendjen sociale të popullsisë së gjithmbarshme të vendit. Çmimet e larta janë bërë një problem serioz për ekonomitë familjare në Kosovë, thonë qytetarët, të cilët arsyetojnë shqetësimin e tyre me shporta të varfëruara dhe paga aktuale që nuk mbulojnë shpenzimet familjare. Prandaj, ata kërkojnë masa institucionale për të zbutur situatën, duke propozuar që edhe në Kosovë të merret me urgjencë iniciativa e bojkotit të dyqaneve, siç ka ndodhur në Kroaci dhe në vendet e rajonit.
Duhet theksuar se angazhimi i shtetit në gjithë këto vite për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime në procesin e tregtimit, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte thuaja inekzistent. Shkurt, konsumatorët në Kosovë, një kohë të gjatë, në të gjitha ditët në vitet e fundit, janë jashtë vëmendjes institucionale. Ndërkohë, qytetarët ankohen vazhdimisht për keqpërdorime dhe abuzime të shumta dhe të lloj-llojshme me ngritje çmimesh, por edhe me mashtrime brenda për brenda ambienteve tregtare. Ankohen për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me çmimet në arkë, me reklamim të rrejshëm të tregtimit, me zbritje të shumë produkteve ushqimore, dhe me cilësinë diskutabile të mallrave, sidomos të atyre ushqimore.
Dhe, në gjithë këto vite, sidomos qëkur edhe vendi ynë u përfshi nga pandemia COVID-19 dhe qëkur nisi lufta ruso-ukrainase, si periudhë e njohur dhe e identifikuar me ngritje të vrullshme dhe enorme të çmimeve të të gjitha mallrave, veçmas të produkteve elementare ushqimore, thuaja asnjëherë, në asnjë momentum të vetëm, institucionet e këtij shteti, ato kompetente, pra, që e kanë detyrë dhe obligim, nuk shpërfaqën interesim me veprime konkrete institucionale për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe te mbrojtja e tyre. Me fjalë të tjera, angazhimi i shtetit për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre, si dhe mbrojtjen nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte thuaja inekzistent. Shkurt, konsumatorët në Kosovë, mbetën jashtë vëmendjës institucionale. Ata, më kot ankohën për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me çmimet në arkë, me cilësinë diskutabile të shumë produkteve, sidomos të atyre ushqimore.
Raste më të shpeshta, thuaja të përditëshme të keqpërdorimit të tregtarëve evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes. Në këtë mënyrë, zyrtarët edhe autoritetet e vendit nuk u shquan deri më sot, pra, as në parandalimin e keqpërdorimeve të çmimeve, sidomos të atyre të produkteve ushqimore brenda për brenda ambienteve të marketeve dhe supermarketeve të shumta anekënd vendit.
Në anën tjetër, asociacionet e ndryshme, OJQ që merren me të drejtat e konsumatorëve, më shumë shquhen me evidentimin e këtyre parregullsive, se sa me ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve të tejdukshme. Këto asociacione vazhdojnë të konstatojnë se një nga shkaqet e forta të manipulimeve dhe abuzimeve të tregtarëve, ende sot e kësaj dite, është mungesa e inspektorëve dhe kapacitetet e limituara njerëzore. Një nga insistuesit e kahershëm të domosdosë së mbrojtjes institucionale të konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, ka potencuar disa herë, pasojat e mungesës së inspektorëve për t’i mbikëqyrur parregullsitë në rrjetet tregtare kosovare. Por, ende, nuk ka numër inspektorësh të mjaftueshëm as në nivelin qendror, as në atë komunal.
Ndërsa kontrollet e rralla të ushtruara nga institucionet kompetente të vendit, pas shfrenimeve të egra çmimesh, dëshmuan për të gjitha këto keqpërdorime, që vazhduan të ndodhin edhe gjatë tërë 2024-tës, duke e vendosur konsumatorin e këtij vendi në pozita të palakmueshme, në gjendje ankthi, shqetësimi dhe tronditjeje serioze. Dhe, këtë neglizhencë totale dhe mospërfilljen institucionale e shfrytëzuan, dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe më tej tregtarët abuzues.
Në Kosovë, vazhdojnë, pra, të ndodhin edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të faturave, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, me uljet e çmimeve sezonale. Prandaj, kosovarët, do të duhej ndër të parët dhe me urgjencë, të bojkotojnë marketet dhe supermarketet tona, qoftë për një ditë, apo disa ditë. Organizatorët e nismës për të bojkotuar marketet dhe supermarketet edhe në Kosovë, duhet të jenë të vendosur në kërkesat e tyre dhe të kenë parasysh efektet e bojkotit të ndodhur tashmë në Kroaci, në Slloveni, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi. /Buletini Ekonomik/

Të tjera
-
“Shkëmbim territoresh” – ish-këshilltari i Trumpit flet për rrezikun Kosovë-Serbi
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, gjatë administratës së parë të Donald T...
-
Policia zbulon rrjetin e shpërndarjes së drọgës në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e antidrogës në Regjionin e Prishtinës,...
-
‘Reshje të pakta dëbore’, parashikimi i motit për ditët në vijim
Mot kryesisht me vransira parashihet ditën e premtë. Nuk mungojnë intervale ...
-
Kurti udhëton për Gjermani, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Gjermani. Kurti në ...
-
Aksident në rrugën Prishtinë – Pejë, tre persona të lënduar
Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë – ...
-
“Kërkush s’po të pengon – E ki mundësinë me e bë qeverinë, bëje qysh të duash”, Bedri Hamza për Kurtin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK’së, Bedri Hamza ka kërkuar nga pa...
-
Hamza për fyerjet e Kurtit: Ecim tutje, nuk është gjuhë e duhur
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vlerësuar se gjatë fusha...
-
Haradinaj: Kosovës i duhet më shumë se kurrë unitet për t’i bërë ballë administratës Trump
Analistja politike, Meliza Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet ta lexojë mesa...
-
Mehmetaj: Problemet në KQZ i konvenojnë Vetëvendosjes
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po përballet me vështirësi të mëdha edhe...
-
‘Mesazhet e Grenellit ishin të duhura’: Tri arsyet që çuan në rënien e Kurtit
Tri arsye për rënien e mbështetjes së Kurtit: ekonomia në gjendje të rëndë, m...
-
Hamza: Nëse partia e parë nuk i krijon institucionet e marrim ne përgjegjësinë
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK’-ë, Bedri Hamza ka thënë se parti...
-
Aksident i rëndë trafiku në rrugën Prishtinë – Pejë, rrokulliset një automjet
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sonte në rrugën Prishtinë – Pejë Sip...