Lajme

Mbi 45 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 13:45 | 17 November 2018

Që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, mbi 45 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Kjo shifër po konsiderohet e lartë dhe shqetësuese për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Udhëheqësi i Divizionit për Shtetësi në MPB, Liridon Neziri ka thënë për KosovaPress se nga viti 2009, rreth 5 mijë persona për çdo vit kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Ky fenomen po ndodhë, sipas Nezirit, për arsye se disa vende të Bashkimit Evropian ku jetojnë qytetarët e Kosovës nuk lejojnë dy shtetësinë për shtetasit, të cilët nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.

-Advertisement-

Neziri: Prej vitit 2009 e deri më tash kanë hequr dorë nga shtetësia mbi 45 mijë qytetarë

Video

“Mbi 45 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, flasim në total, nga viti 2009 deri në këto momente kur po flasim. Kjo nuk ndërlidhet asgjë me trendët e fundit të personave që dëshirojnë të jetojnë në një shtet të Bashkimit Evropian, por lidhet kryesisht me emigracionin që ne kemi pasur ndër vite dhe me personat që tashmë kanë krijuar një bazë në shtetet e BE-së. Janë integruar atje dhe dëshirojnë të jetojnë atje”, theksoi Neziri.

Rreth 70 përqind prej këtyre qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, janë nga Gjermania.

Zyrtarë të MPB-së kanë mohuar së heqja e shtetësisë po ndodhë për shkak të mos liberalizimit të vizave ose të gjendjes socio-ekonomike.

Neziri: Sa i përket humbjes së shtetësisë së Kosovës prijnë kërkesat nga Gjermania

Video

“Kjo nuk ndërlidhet as me procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë, por thjesht me procesin e shtetit që nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh se Kosova ka emigracion jashtëzakonisht të madh në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Austri apo edhe në vendet skandinave. Sa i përket humbjes së shtetësisë së Kosovës prijnë kërkesat nga Gjermania. Ky numër mundem me thënë se është relativisht I madh për arsye se këto shtete nuk lejojnë dy shtetësi, atëherë qytetarët tanë që tashmë janë integruar në këto vende të Bashkimit Evropian, zgjedhin që ta mbajnë shtetësinë e këtyre vendeve”, deklaron Neziri.

Sipas tij, vetëm Franca dhe Zvicra nuk obligojnë lirimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në diasporë llogaritet të jetë rreth 700 mijë në shtetet e BE-së dhe ShBA.

Neziri: Mund të konsiderohet si shqetësim

Video

“Nëse flasim për numër, mund të konsiderohet si shqetësim, por duke pasur parasysh rrethanat e proceseve si shtet, atëherë një numër prej rreth 700 mijë personave apo më tepër që i kemi në shteteve e Bashkimit Evropian, nuk e di se si të përgjigjem”, ka thënë ai.

Mosha mesatare e personave që kanë hequr shtetësinë e Kosovës është e re.

Ndryshe, Republika e Kosovës lejon dy e më tepër shtetësi, ndërsa Shqipëria jo më shumë se dy shtetësi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera