Lajme

Mërgimtarët të pakënaqur se nuk u pritën nga deputetët

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 02 August 2018

Dyert e Kuvendit të Kosovës janë hapur sot që nga ora 10 për mërgimtarët që aktualisht janë me pushime në vendlindje.

Por intereseimi për ta vizituar ishtë shumë i vogël nga ana e mërgimtarëve.

Përveç mërgimtarëve, në Kuvend pati edhe një numër shumë të vogël të deputetëve që kishin ardhur për t’i pritur ata, ku aty u panë jo më shumë se tre deputetë.

-Advertisement-

Halit Elshani, është nga mërgimtarët e parë që vizitoi sot Kuvendin. Elshani që jeton dhe vepron në Zvicër u shpreh i pakënaqur pse  në Kuvend nuk pati mërgimtarë dhe deputetë.

“Nja 25 vjet nëpër këtë derë jemi hy e kemi dal, po tash kanë ndryshuar gjërat krejt. Mua më vjen keq që nuk pat mërgimtarë, nuk ka edhe kuvendar, përveç kësaj zonjës. Ne mezi nuk po presim me ardhë, mezi nuk po presim pak me pas një relacion me na fol mirë, e jo kudo që shkon keq, thuaje se ne jemi më keq se gjithë herët. Nuk është e vërtet ajo, është duke u zhvilluar një propagandë jashtëzakonisht e keqe dhe po na dëmton ajo”, u shpreh ai.

Bashkatdhetari Elshani takoi deputeten Ganimete Musliu, të cilës i dhuroi një libër. E kjo e fundit tha se bashkërisht me mërgimtarët e kanë një brengë të përbashkët e që sipas saj është propaganda që bëhet për Kosovën.

“Unë sot mora një libër nga Halit Elshani një bashkatdhetar i joni që jeton në Bruksel, pata rastin edhe të bashkëbisedoj me të dhe më erdhi mirë se u informova për familjen  e tij. Është një bashkatdhetar i cili ka punuar gjatë atje, ka punuar shumë për t’i shkolluar fëmijët e tij, për t’i integruar në shtetin ku ka punuar, por edhe për t’i kthyer Kosovës kuadrot. Gëzohem shumë kur takoj njerëz të tillë të cilët kanë vullnet dhe gatishmëri. Edhe unë edhe baca Halit e kemi një brengë të përbashkët që veç e diskutuam sepse kohët e fundit dëgjohen shumë propaganda dhe shumë teori të ndryshme për vendin tonë, duke e pasur parasysh nëpër çka kemi kaluar. Tani më shumë se kurrë kanë nevojë të dëgjojnë fjalë të mira”, tha ajo.

Musliu ka ftuar të gjithë kolegët e saj deputetë që të jenë në Kuvend dhe të bashkëbisedojnë me mërgimtarët që do të vijnë për të vizituar Kuvendin.

Për herë të parë Kuvendin e Kosovës e vizituan edhe Selim dhe Bahrije Mezini, të cilët jetojnë në Suedi. Bashkatdhetari Selim Mezini, u shpreh se është i kënaqur me punën që bëhet në këtë Kuvend nga deputetët e Kosovës.

“Është hera e parë, po na duket mirë edhe pak normal njeriu po e ndjen veten pak si i ngushtuar këtu. Mirë, Parlamenti na pëlqeu brenda, në televizion duket më mirë pak se ka skena ndonjëherë që janë më interesante me i pa. Na kanë informuar mirë, Ganimetja deputetja na informoi ku ulen pozita, opozita e të tjerët, gazetarët ku rrinë. Jemi të kënaqur me punën që bëhet në Kuvend e ishalla bëhet edhe më mirë”, tha ai.

Ndërsa, Bahrije Mezini, tregoi arsyen se pse kanë vendosur që të vijnë dhe të vizitojnë Kuvendin e Kosovës.

“Mirë po më duket, hera e parë që vijmë këtu, na pritën mirë…Patëm qejf me ardhë me pa meqë qëlluam në Kosovë, se e ndjekim për çdo ditë në televizion”, u shpreh ajo.

Ndërsa, Hetem Ferizi që jeton në Gjermani u shpreh se pushimin e tij e cakton gjithmonë në atë periudhë që të jetë në Kosovë në Ditët e Diasporës.

“Në Kuvendin e Kosovës sa herë vij në Kosovën time të dashur kam dëshirë Ditën e Diasporës me ardhë për një arsye, se ne gjeneratat e tona të vjetra kemi kontribuar për një ditë më të lirë, më të mirë për popullin dhe lirinë e Kosovës”, deklaroi ai.

Bashkatdhetarët në Kuvend i ka pritur edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj, i cili u shpreh se këto vizita kontribuojnë që sado pak bashkatdhetarët të informohen për punën që bëhet në Kuvend.

“Pavarësisht betejave politike që bëhen në Kuvendin e Kosovës bashkatdhetarët çdo herë dëshirojnë që institucionet t’i shohin në nivelin më të lartë, sigurisht që pritjet e tyre nuk janë ato që janë  të mirëseardhura që të shohin një Kosovë të zhvilluar si në vendet që jetojnë. Por, besoj që këto vizita kontribuojnë sado pak që të informohen, të bashkëbisedojnë dhe të shohin edhe për së afërmi zhvillimin e jetës institucionale në Kosovë”, tha ai.

Edhe deputeti i AKR-së, Islam Pacolli ka bashkëbiseduar dhe ka pritur bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës. Ai tha se kërkon nga Qeveria dhe nga Kuvendi që të bëjnë më shumë për bashkatdhetarët.

“Sot kemi ardhur me i prit bashkatdhetarët pasi që më duket që unë më së miri e di se çka do të thotë të jesh bashkatdhetar, për arsye se ata janë kontribuuesit më të mëdhenj për Republikën e Kosovës, për këtë vend. Prandaj, ne me vullnet më të madh i pritëm dhe kërkoj nga Qeveria e Kosovës dhe nga Parlamenti që ne të bëjmë më shumë për bashkatdhetarët, për arsye se ata e zhvillojnë vendin tonë. Ekonomia e Kosovës varet shumë nga kontributi i tyre”, tha ai.

Aktiviteti tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend” përveç sot do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera