Lajme

Krijohet korridor i ri tranzit për refugjatët në Ballkan

Autori: Gazeta inFokus 15:52 | 24 May 2018

Nga Greqia refugjatët marrin rrugën për në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë e Kroaci për të mbërritur kështu në Evropë.

Temperaturat janë duke u ngritur në Evropë dhe refugjatët kanë marrë rrugën nga jugu në drejtim të veriut. Kjo pritej. Prandaj masat u morën për bllokimin e korridorëve të lëvizjes, atij kryesorit Greqi, Maqedoni, Serbi, Hungari. Ndërkohë është rihapur një korridor tjetër. Nga Greqia refugjatët marrin rrugën për në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë e Kroaci për të mbërritur kështu në Evropë.

Tremijë vetë kanë përfunduar në Bosnjë katër muajt e parë të këtij viti nga 10 mijët, që kanë mbërritur gjithsej në Greqi, një nga vendet e para pritëse krah Spanjës, Italisë dhe Bullgarisë. Sidomos në muajin prill është rritur numri i refugjatëve që kanë hyrë në Bosnjë, dhe shumë prej tyre janë vendosur fillimisht nëpër parqe, rrugë deri sa të puqen me asistencën e specializuar.

-Advertisement-

Thirrje për respekt dhe dinjitet

Javën e fundit ka pasur lajme për incidente dhe keqtrajtime të refugjatëve nga qeveria boshnjake në Bosnjë. OKB-ja u bëri thirrje të gjitha qeverive që të trajtojnë me respekt dhe dinjitet refugjatët. “Ne shpresojmë që autoritetet e Bosnjës të respektojnë të drejtat e atyre që janë të detyruar të largohen nga vendi.

Shumë boshnjakëve u është dashur vetë të largohen dikur, dhe atyre do t’u kujtohet kjo për të fituar simpati për ata që përballen sot me një fat të tillë,” tha Fahran Haq, zëvendëszëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të KB, në një konferencë për shtyp.

Mali i Zi shqyrton mundësinë e ngritjes së barrierave

Ndërkohë, mediat bëjnë të ditur se Mali i Zi është duke parë mundësinë e ngritjes së barrierave fizike në kufirin e tij me Shqipërinë. Si mund të ndodhë kjo nuk dihet, por zyrtarë malazezë flasin për ngritjen e gardheve me tela, si ato që ka ngritur Hungaria në kufijtë me Kroacinë dhe Serbinë. Mali i Zi u ankua po ashtu, se autoritetet shqiptare nuk i pranojnë “migrantët ilegalë që Mali i Zi është munduar t’ i kthejë në Shqipëri”.

Lojë emërtimesh

UNHCR, Komisariati i Lartë për refugjatët i OKB, ka përgatitur një guidë për gazetarët, me shpjegimet kur një person quhet migrant dhe kur quhet refugjat. Refugjatë janë ata që kanë marrë rrugën dhe synojnë të kërkojnë azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Autoritetet vendore në vendet e Ballkanit perëndimor luajnë me emërtimet refugjatë dhe migrantë ilegalë. Duke i quajtur refugjatët migrantë ilegalë vendet i japin të drejtën vetes t’i dëbojnë personat që mbërrijnë në kufi. Ndërkohë që shkelin ligjet ndërkombëtare dhe dënohen nëse e bëjnë një gjë të tillë me refugjatët.

Në Greqi arrijnë kryesisht shtetas nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Çfarë ndodh me refugjatët në rrugën e tyre nëpër Shqipëri, nuk dihet. Sidoqoftë pjesa më e madhe tyre e përdorin Shqipërinë si vend tranzit dhe jo për të qendruar. Autoritetet shqiptare nuk flasin për këtë. As mediat në Shqipëri nuk e kanë vënë re fenomenin. Burime jo të konfirmuara flasin për njerëz që u ndihmojnë refugjatëve duke i marrë nga Greqia dhe futur në Mal të Zi. Këtu është e vështirë vendosja e kufirit midis kontrabandistëve, që e bëjnë këtë gjë për arsye fitimi dhe ndihmësve, që e bëjnë për t’u ndihmuar refugjatët të arrijnë synimet për një jetë më të mirë në Evropë.

Vendet tranzit

Neven Crvenković, zëdhënës i Zyrës së UNHCR-së në Bosnje-Hercegovinë tha për DW se është e qartë se shumë refugjatë që kanë arritur së fundi në këtë vend kanë ardhur nga Shqipëria dhe Mali i Zi si dhe nga Serbia.

UNHCR thekson se “rrugët drejt Evropës dhe në Evropë janë të rrezikshme”. Kështu tha disa javë më parë Pascare Moreau, drejtor i zyrës evropiane të organizatës. Edhe më e rrezikshme është rruga për gratë dhe fëmijët e pashoqëruar. Këtë vit në Bosnjë janë regjistruar 51 djem dhe dy vajza të mitura të pashoqëruara.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera