Lajme

Molliqaj jep dorëheqje nga Vetëvendosje

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 09 January 2018

Molliqaj, në letrën e dorëheqjes përmendi rezultatet e përbashkëta që janë arritur me të gjithë anëtarët dhe aktivistë të Vetëvendosjes, por më shumë theksoi problemet e fundit brenda VV’së që sollën vendimin për dorëheqje.

Siç shprehet ai, problemin e brendshëm të VV’së  dikush e’ ka sjellur’ edhe qendrën në Suedi,  dhe ajo çfarë sheh sot Molliqaj thotë se janë vetëm dhe lincimet ndaj tij që janë bërë në ato momente kur ai thotë të ketë shprehur mendim ndryshe nga ish-lideri i VV-së Albin Kurti.

‘ Sot shoh bashkëaktivistë që në mënyrat më të ulëta shpifin, fyejnë e kërcënojnë të gjithë ata që nuk pajtohen bllanko me këtë apo atë aktivistë. Poqëse guxon të mos pajtohesh me Albin Kurtin, menjëherë shpallesh agjent i shërbimeve sekrete, i shitur apo tradhtarë’, thuhet në letrën e Vlorian Molliqajt.

-Advertisement-

LETRA E PLOTË E DORËHEQJES

Shumë të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi.

Asnjëherë nuk kam menduar që do të vijë ky moment që t’iu drejtohem me këtë letër, prandaj edhe e kam shumë të vështirë t’i gjejë fjalët për ta përshkruar këtë gjendje.Meqenëse në Lëvizje jam angazhuar qysh në vitin e parë të themelimit të saj, në kohën kur isha rreth 16 vjecar, mund të them që në Lëvizje jam rritur. Zyret e Lëvizjes për mua kanë qenë shtëpia ime e dytë. Shokët e shoqet në Lëvizje për mua kanë qenë të afërt po aq sa edhe familjarët, e besa shpeshherë edhe më të afërt. Bashkë i kemi ndarë gëzimet dhe mërzinë. Beteja jonë nuk ka qenë e lehtë, por puna jonë e përbashkët gjithmonë ka dhënë rezultate. Jo rastësisht, arritëm që Lëvizjen ta bëjmë subjektin më të madh në Kosovë dhe qytetarëve t’ua kthejmë shpresën.Lëvizja për mua ka qenë edhe shkollë. Aty mësova se cka është sakrifica, vetmohimi, solidariteti, socialdemokracia, e drejta për vetëvendosje, etj.

Në Lëvizje mësova se si është organizata e mirëfilltë politike. Mësova se pavarësisht hierarkisë, në fund të gjithë jemi të barabartë sepse para së gjithash jemi aktivistë.Pra, mësova pikërisht të kundërtën e asaj se çfarë po ndodhë sot. Asnjëherë nuk mësuam për eleminime politike ndaj njëri tjetrit apo për luftë bërrylash për pushtet. Sepse nuk mësuam ta shohim pushtetin si previlegj por si përgjegjësi. Nuk mësuam që ta ofendojmë e fyejmë njëri tjetrin edhe kur ka mendime ndryshe, qoftë edhe të gabuara. Madje, nuk mësuam t’i ofendojmë as kundërshtarët politikë. Sepse, arma jonë më e fortë gjithmonë ishte argumenti. Për mua vazhdon të jetë edhe sot.Por çfarë shoh sot?! Sot shoh bashkëaktivistë që në mënyrat më të ulëta shpifin, fyejnë e kërcënojnë të gjithë ata që nuk pajtohen bllanko me këtë apo atë aktivistë.

Poqëse guxon të mos pajtohesh me Albin Kurtin, menjëherë shpallesh agjent i shërbimeve sekrete, i shitur apo tradhtarë. Viktimë e këtyre sulmeve jam edhe unë, që nga momenti kur shpreha mendimin tim lidhur me problemin e brendshëm të Lëvizjes.Përderisa për 12 vite me radhë unë isha bashkëaktivist, sot papritmas unë u shndërrova në vëlla të një aktivisti. Nëse dikush nga këta bashkëaktivist mendonte se dy vëllezër nuk bënë të angazhohen në të njëjtë organizatë politike, atëherë pse nuk ma thonin këtë qysh në fillim?! Pse nuk më treguan që mua më shohin si vëlla të dikujt kur angazhohesha ditë e natë, kur merrja pjesë në aksione, protesta e demonstrata?! Apo kur arrestohesha?! Unë nuk e di përgjigjen, shpresoj t’ua japin ata.Më vjen keq që shumë prej juve bashkëaktivistëve në Suedi sot ndiheni të zhgënjyer me situatën e krijuar. Përvoja ime me shumë prej juve, ku me shumë punë e vullnet, arritëm ta themelojmë Qendrën tonë në Suedi dhe falë punës e njëzetëfishuam numrin e anëtarëve këtu dhe e dhjetëfishuam numrin e votuesve me postë është e paharrueshme për mua.Fatkeqësisht, problemin e brendshëm dikush e ka sjellur edhe në Qendrën tonë në Suedi.

Javë më parë, nga grupe joformale brenda Lëvizjes, na erdhën letra të shkruara se si ne duhet të reagojmë lidhur me këtë problem. Paramendojeni, nga grupe joformale u tentua që të detyrohet Kryesia e Qendrës sonë t’i dënoj organet formale të Lëvizjes, pra Kryesinë Qendrore në Kosovë e cila udhëhiqej nga ish kryetari Visar Ymeri. Normalisht kjo nuk u arrit pasi shumica e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër këtij mentaliteti detyrues dhe e kthyen mbrapsht atë letër.Diktatet që po tentohet të instalohen në Lëvizje dhe në Qendrën tonë në Suedi, linçimet ndaj shumë personaliteteve të Lëvizjes vetëm e vetëm pse kanë mendime ndryshe, si dhe tendenca për ndërtimin e kultit të një individi për mua janë të papranueshme. Janë diçka që as e kam menduar që do të ndodhin ndonjëherë në shtëpinë tonë të madhe, pra në Lëvizje.Prandaj, përmes kësaj letre, unë dua t’ju njoftoj që nga sot jap dorëheqjen time nga Kryesia e Qendrës në Suedi si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.Ju jam shumë falënderues secilit prej juve për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, pavarësisht se mund të kemi mospajtime në lidhje me problemin e brendshëm.Uroj që Lëvizja t’i zgjidhë sa më parë problemet e saja të brendshme dhe ta vazhdojmë rrugën së bashku.Gjithë të mirat,Vlorian Molliqaj

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera