Sport

⚽ Ja sa do të jetë paga e Panuccit te Shqipëria

Autori: Gazeta inFokus 23:59 | 18 July 2017

Trajneri i ri i Kombëtares pritet që të përfitojë një pagë thuajse të njëjtë me atë të Xhani De Biazit në sezonin e parë në krye të Shqipërisë.

Burime të besueshme nga institucioni i futbollit në vend për “Panorama Sport” kanë bërë me dije se Panuçi do të përfitojë një pagë mujore prej 20 mijë eurosh. Kërkesat e ulëta ekonomike kanë ndikuar jo pak në përzgjedhjen e presidentit të FSHF-së për teknikun që do të pasojë De Biazin në krye të Kombëtares.

KONTRATA

-Advertisement-

Prej javësh, kandidatët për postin e teknikut të përfaqësueses shqiptare kanë qenë në “garë” për të bindur Armand Dukën për të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare të futbollit. Nga sa bëhet me dije, burime të besueshme të “Panorama Sport” tregojnë se Panuçi do të nënshkruajë një kontratë prej 2 vitesh e katër muaj. Ai nis aventurën e tij me Shqipërinë pas disa ditësh deri në fund të këtyre kualifikueseve dhe më pas do të jetë në krye të Shqipërisë për edicionin e ardhshëm kualifikues për Europianin e vitit 2020.

“NXËNËSI” I KAPELOS

Panuçi është një mbrojtës i njohur në Serinë A italiane. Ai e ka nisur karrierën te Xhenoa në vitin 1990, ndërkohë që pas tri vitesh u transferua te Milan, ku fitoi edhe Champions në sezonin 1993-1994. Në 1996 ndoqi Kapelon në Spanjë, duke u bërë pjesë e Real Madridit, me të cilën fitoi dhe La Ligan në 1997 dhe Champions një vit më vonë.

U rikthye në Seria A në vitin 1999 tek Interi dhe në sezonin pasardhës u huazua në Londër, te skuadra e Çelsit e më pas kaloi te Monako. Në vitin 2001 rikthehet sërish në Itali te Roma, sërish nën drejtimin e Kapelos, ku qëndroi për tetë vite. Panuçi ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë në Itali, teksa i dha fund karrierës në vitin 2010 te Parma. Me kombëtaren italiane ka zhvilluar 58 ndeshje, duke shënuar 4 gola.

Pasi vari “këpucët në gozhdë”, Panuçi nis karrierën si komentator sportiv në “Sky Italia” në vitin 2011, ndërkohë që më vonë u bë dhe pjesë e spektaklit “Dancing With the Stars”. Në vitin 2012 u zyrtarizua te Palermo për t’u bërë menaxher dhe zbulues talentesh, ku qëndroi vetëm disa muaj.

Po në këtë sezon nis karriera e tij në pankinë. Ai bëhet ndihmës i Fabio Kapelos te Rusia, por largohet nga detyra pas dy vitesh pas përplasjeve që pati me të. Në 2015-ën mori drejtimin e Livornos në Serinë B, teksa e drejtoi këtë skuadër në 36 ndeshje, ndërkohë që në gushtin e vitit të kaluar drejtoi Ternanën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera