Lajme

Naser Osmani deklarohet i pafajshëm

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 12 July 2017

Deputeti Naser Osmani u deklarua i pafajshëm në gjykim in për keqpërdorim detyre.

Deputeti Naser Osmani që bashkë me 7 persona tjerë po akuzohet në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë, pasi ishte pjesë e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u deklarua i pafajshëm në seancën e sotme.

Osmani edhe njëherë u ankua se pse nuk janë akuzuar të gjithë anëtarët e Bordit të AKP-së.

-Advertisement-

“Jam deklaruar edhe më herët se pa prezencën e bordit në tërësi nuk deklarohem”, tha Osmani.

Të pafajshëm u deklaruan edhe të akuzuarit tjerë të këtij procesi.

Edhe Besnik Berisha, avokati i deputetit Osmani kritikoi prokurorinë pse nuk akuzoi të tetë anëtarët e Bordit të AKP-së.

“Mjafton ta shohim dispozitivin e aktakuzës në pikën 1 ku në cilësi të të akuzuarit janë vetëm dy anëtarët e bordit, ani pse i njëjti kishte 8 të tillë, sepse pazotësia e Prokurorisë Speciale është konvertuar në padrejtësi për këta dy që janë prezentë para jush”, tha avokati i Osmanit, Besnik Berisha.

Edhe Bahri Shabani, i akuzuari tjetër i këtij procesi, foli fjalë të ngjashme me deputetin Osmani.

“Në qoftë se flasim për një vendim të bordit, nuk deklarohem pa qenë të gjithë prezentë”, tha Shabani.

Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu paraqiti fjalën hyrëse.

Së bashku me Naser Osmanin e Bahri Shabanin, të akuzuar janë edhe Agim Deshishku, si blerës i fabrikës, si dhe 5 zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP): Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi dhe Adrian Kelmendi.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona të tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të ndërmarrjes së re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të.

Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar ndërmarrjen e re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN”, akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera