Lajme

Deputeti gjerman: I vështirë formimi i Qeverisë në Kosovë, mund të ketë zgjedhje të reja

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 22 June 2017

Deputeti i Bundestagut, Thorsten Frei pret që zgjedhjet në Shqipëri të kalojnë më mirë se zgjedhjet e fundit. Për qeverinë Rama ai bën një bilanc të përzier. Për Kosovën ai sheh formim të vështirë të qeverisë.

DW: Siç e dini, të dielën në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje parlamentare. Zgjedhjet zhvillohen pas një polarizimi ekstrem për muaj me radhë të situatës dhe një bojkotim i Parlamentit nga ana e opozitës. Nga këndvështrimi i një deputeti të Bundestagut Gjerman, i cili në fokus të punës ka edhe Shqipërinë, si e vlerësoni gjendjen aktuale para zgjedhjeve në Shqipëri?

TF:  Sipas vlerësimit tim, por edhe sipas vlerësimit të OSBE-së, ekziston mundësia që zgjedhjet parlamentare të së dielës të kalojnë në përgjithësi më të lira dhe më korrekte se zgjedhjet e fundit në vitin 2013. Me rëndësi thelbësore këtu ishte marrëveshja e arritur me presionin e PD dhe me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar, në 18 maj midis Bashës dhe Ramës, përkatësisht midis PD dhe PS. Veç kësaj, jam i bindur se edhe njerëzit, për shkak të historisë së tyre me bojkotin disamujor i shikojnë zgjedhjet më të sensibilizuar dhe e kanë parasysh rëndësinë e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Por parë në tërësi, edhe këto zgjedhje ende nuk do të jenë në përputhje me standardet e zakonshme të BE, edhe kjo është pjesë e së vërtetës. Por të paktën u arrit që të pengohet një bojkotim i zgjedhjeve nga Partia Demokratike, që do të kishte qenë skenari më i keq për vendin.

-Advertisement-

Shqipëri: bilanc i përzier i qeverisë Rama

DW: Cili është bilanci që bëni politikisht dhe ekonomikisht pas katër vjet qeveri Rama?

TF: E parë në mënyrë objektive duhet të bësh një bilanc të përzier. Sukses i madh ishte sigurisht dhënia e statusit si kandidat i Bashkimit Evropian, megjithëse parakushtet për këtë nuk u krijuan vetëm pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013. Së fundi, raporti i fundit i progresit i Komisionit të Bashkimit Evropian ka treguar, se në pesë prioritetet kyçe duhet të kishte pasur përparime më substanciale, përpara se të nisin negociatat për anëtarësimin.

Rëndësi shumë qendrore ka sigurisht lufta kundër kriminaliteti të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit të drogës, si dhe luftimi i korrupsionit dhe dekriminalizimi. Këtu Partia Socialiste nën Ramën kanë bërë shumë pak. Në mënyrë të ngjashme ambivalente janë rezultatet në fushën e ekonomisë dhe të financave. Shqipëria vërtet ka bërë një hop të madh përpara në Doing-Business-Report të Bankës Botërore dhe i ka reduktuar borxhet. Por Shqipëria vazhdon të mbetet njëri nga vendet më të varfra të Evropës. Kuota e papunësisë me gati 20% është shumë e lartë dhe rritja është e ulët, për ta kompensuar prapambetjen me vendet e rajonit dhe për t’u ofruar njerëzve perspektiva të mjaftueshme.

DW: Në Shqipëri kemi një situatë pak të pazakontë: pak para zgjedhjeve, opozita u bë pjesë e qeverisë. Si i shihni shanset për një koalicion të madh partiak në Shqipëri, përkatësisht a e shihni këtë si opsion të dëshirueshëm, për ta shtensionuar në vazhdim gjendjen?

TF: Të dëshirueshme, koalicionet e mëdha partiake, siç i kemi edhe në Gjermani, nuk janë kurrë. Por duke pasur parasysh nevojat e mëdha shoqërore dhe politike – pavarësisht nga rruga e mëtejshme për në BE – një opcion i tillë nuk do të ishte zgjidhja më e keqe për vendet e rajonit. Megjithatë, do të nevojitej një bashkëpunim transparent dhe në mirëbesim, në dobi të vendit dhe të qytetarëve të tij. Por le të presim njëherë zgjedhjet.

DW: Cilat duhet të jenë prioritete të domosdoshme të qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve, në mënyrë që të nisin negociatat e anëtarësimit me BE?

TF: Nevojiten përparime në prioritetet kyçe dhe gatishmëri e të gjitha partive për ta çuar përpara në mënyrë pozitive vendin. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me reformën në drejtësi dhe me procesin e Vettingut. Te ky i fundit, pas dakordimit të 18 majit ekzistojnë të paktën përparime të lehta, pasi Kuvendi konfirmoi Komisionet me personat, që do të bëjnë verifikimin e gjykatësve dhe të prokurorëve. Ky proces nuk duhet të harrohet në asnjë mënyrë pas zgjedhjeve.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën: udhëheqësit na sigurojnë se nuk e kanë seriozisht

DW: Si kryeministri Rama, ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Thaçi folën pak kohë më parë për mundësinë e ribashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse nuk ecën aq shpejt sa pritet integrimi në BE. Si i shpjegoni këto deklarata? A i merrni seriozisht dhe a ju mbeten në kujtesë si deputet gjerman?

TF: Unë shoh para së gjithash motive të politikës së brendshme, po të bëhen me të vërtetë deklarata të tilla. Por natyrisht që është jashtëzakonisht e rrezikshme që të luash për shkaqe të politikës së brendshme me zjarrin etnik. Prandaj nuk kam asnjë mirëkuptim për deklarata të tilla. Përballë nesh, përfaqësuesit e Partisë Socialiste (të Shqipërisë) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës shprehen gjithmonë në mënyrë shumë të qartë se mendime të tilla nuk luajnë asnjë rol. Unë as e besoj që shumica e njerëzve në vendet e prekura mund të entuziazmohen për lojëra të tilla mendimesh. Sepse që sot situata është shumë e pasigurtë dhe jo e qendrueshme. Njerëzit duan përparim ekonomik. Me siguri që në një rast të tillë do të pritej e kundërta.

Kosovë: formim i vështirë i qeverisë e ndoshta zgjedhje të reja

DW: Në Kosovë, shihet si fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të fundit parlamentare lëvizja “Vetëvendosja”. Njëkohësisht, partitë e ish-luftëtarëve të UÇK-së ndihen të legjitimuara, të përforcuara në synimin e tyre për të formuar një qeveri. Por një formim i qeverisë duket shumë i vështirë. Si e vlerësoni zhvillimin aktual në Kosovë?

Formimi i qeverisë do të jetë me të vërtetë shumë i vështirë dhe ndoshta do të ketë rëndësi LDK dhe aleanca e saj. E quaj të gabuar që të bëj parashikime, meqenëse nuk mund të përjashtohen as zgjedhjet e reja. Megjithatë, unë nuk i shikoj aktorët e ish-UÇK-së të kenë dalë më të fortë nga zgjedhjet. Përkundrazi. Aleanca e përbërë nga PDK, AAK dhe NISMA ka humbur dukshëm në krahasim me 2014. PDK-ja e vetme ndoshta do të përfundojë vetëm në forcën e tretë politike. Një formim i qeverisë i Thaçit dhe Haradinajt, për shkak të deklaratave refuzuese për koalicion përballë PDK-së në prag të zgjedhjeve, duket thuajse e përjashtuar.

DW: Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit, i cili ka nevojë për viza për në BE. Kjo çon në zhgënjim dhe ushqen migrimin ilegal. A mendoni që Bundestagu Gjerman mund të marrë një iniciativë, që kjo situatë të ndryshojë?

TF: Jo. Dialogu i vizave me Kosovën ka formuluar një rekomandim të qartë për liberalizimin e vizave, sapo të plotësohen edhe dy kushtet që kanë mbetur në Visa Road Map.  Veçanërisht ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi ende nuk është bërë, për shkak të gjendjes së paqartë politike të brendshme. Këtu do të jetë e detyrë e qeverisë së ardhshme në Prishtinë, që të organizojë një shumicë dhe që të japë një sinjal të qartë.

Plani Marshall për Ballkanin: Për momentin nuk po diskutohet

DW: Në mediet e Ballkanit kohët e fundit flitet dendur për një të ashtuquajtur “Plan Marshall” të Gjermanisë për Ballkanin. Në Berlin njëkohësisht flitet për një proces Berlin Plus, i cili duhet të mbështetet edhe nga shumë shtete perëndimore. Pyetja ime: çfarë dini për këtë, a do të ketë një “Plan Marshall” gjerman për Ballkanin? A po mendohet për këtë?

TF: Unë nuk kam asnjë njohuri për një “Plan Marshall” për Ballkanin Perëndimor. Kjo për momentin nuk diskutohet në kuadër të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag. Megjithatë është e qartë që vendet e Ballkanit Perëndimor – pikërisht Shqipëria, Maqedonia ose Kosova – të cilat sapo kanë dalë nga një krizë, kanë nevojë për impulse të reja, për më shumë mbështetje dhe ndihmë fillestare. Vazhdimi dhe intensifikimi i Procesit të Berlinit – pra një Berlin Plus – është mjeti i duhur. Megjithatë është e sigurtë që qeveritë përkatëse dhe aktorët politikë vendorë të bëjnë reformat e nevojshme. Këtu në radhë të parë ka rëndësi sundimi i ligjit. Kjo nuk mund të bëhet nga jashtë dhe nuk është çështje parash ose e një Plani Marshall. Megjithatë, Gjermania qendron e pandryshuar si partnere në krah të të gjitha vendeve të rajonit dhe po ashtu është e gatshme të moderojë dhe të mbështesë edhe më shumë.

Kontributi i DW për Ballkanin duhet të zgjerohet

DW:  Situata mediatike në shumë shtete ballkanike mbetet problematike. Aty ku nuk ka ndikim direkt politik, ndikimi është indirekt, përmes mekanizmave ekonomikë. Pas 25 vjetësh që punoj për Deutsche Welle Shqip, konstatoj se ende nuk jemi bërë të tepërt. A e shihni të nevojshëm edhe më tej një kontribut intensiv të Gjermanisë për Ballkanin dhe në Ballkan, edhe përmes DW?

TF: Kontributi i Deutsche Welle-s në Shqipëri, si dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka rëndësi të madhe dhe duhet të vazhdojë në mënyrë sa më të gjerë. Nga njëra anë, në mënyrë që politika gjermane të vazhdojë të jetë në gjendje që me lajme objektive të vazhdojë të ketë një pamje në vazhdimësi të gjendjes. Raportimet që vijnë nga agjenci private lajmesh, nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, ose nuk e bëjnë në masën e duhur. Prandaj puna ime pa Deutsche Welle-n do të ishte shumë më e vështirë.

Dhe nga ana tjetër, për njerëzit në rajonet ku DW është aktive, ka shumë rëndësi që të marrin edhe këndvështrime të tjera për vendin e tyre; që të marrin lajme, në këndvështrimin tonë objektive dhe të pavarura nga qeveria e tyre.

Thorsten Frei është Deputet i Bundestagut Gjerman, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, dhe Nënkryetar i CDU-së për Landin Baden-Vyrttemberg. Ai është edhe anëtar i Grupit të Punës “Ballkan” në Bundestag. Në prill 2017 Thorsten Frei u dërgua nga Bundestagu Gjerman në Shqipëri, për ndërmjetësim midis PD dhe PS.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera