Vdekjet e punëtorëve në KEK: Me urdhër të Menaxhmentit për “muaj sulmues” u vendos të shtohej prodhimi, u RREZIKUA jeta e punëtorëve
Autori: Hateme Smajli
16:34 | 25 November 2026
Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme me shkrim për rreziqet ndaj punëtorëve, mungesës së inspektorëve profesionalë të sigurisë, madje edhe paralajmërimeve për mundësinë e ndjekjes penale në rast të aksidenteve me fatalitet, në Korporatën Energjetike të Kosovës ishte vendosur të intensifikohej prodhimi.
Vetëm 24 ditë pas një paralajmërimi të tillë dhe pasi një punëtor tashmë kishte humbur jetën, drejtoria e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit në KEK e kishte shpallur gushtin “muaj sulmues” në Departamentin e Djerrinës.
Përmes një urdhërese kërkohej tejkalimi i planit të prodhimit, minimizimi i ndalesave të ekskavatorëve, ndërprerja e pushimeve vjetore të punëtorëve, madje paralajmëroheshin edhe masa për mosrealizimin e rezultateve.
Por, dokumentet e brendshme të siguruara nga Gazeta Infokus nxjerrin në pah edhe një tjetër rrethanë shqetësuese.
Vetë nënshkruesi i kësaj urdhërese, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, Sabri Tërnava, sipas dokumentacionit të brendshëm, kishte deklaruar para auditorëve se ishte përballur me presion nga menaxhmenti i lartë i KEK-ut për shpalljen e gushtit “muaj sulmues”, ndonëse në minierë mungonin rreth një mijë punëtorë.
Pikërisht gjatë këtij muaji, dy punëtorë të KEK-ut, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti, humbën jetën në vendin e punës.
Sqarim: “Muaj sulmues” nënkupton një periudhë të intensifikimit të prodhimit, gjatë së cilës kërkohet angazhim maksimal i punëtorëve dhe shfrytëzim maksimal i kapaciteteve operative, me synim tejkalimin e planit të paraparë të prodhimit.

“Presion e presion me shpallë muaj sulmues” – pretendimet për presion nga menaxhmenti i lartë i KEK-ut
Më 10 shtator 2026, pas aksidenteve fatale, ishte zhvilluar një takim ndërmjet auditorëve të brendshëm të KEK-ut, drejtorit ekzekutiv të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit dhe personelit të Departamentit të Sigurisë në Punë.
Në këtë takim, sipas dokumentacionit të siguruar nga Gazeta Infokus, Tërnava kishte folur për presionin që pretendonte se kishte pasur për intensifikimin e prodhimit.
Deklaratat që i atribuohen Tërnavës janë përfshirë edhe në një dokument të njoftimit drejtuar Policisë së Kosovës, me 3 nëntor 2026.
“Me Thanë duhet me shpallë muaj sulmues në djerrinë dhe në qymyr se meten pa qymyr elektranat. Presion e presion e presion me shpallë muaj sulmues me ngrit prodhimin”, citohet të ketë deklaruar Tërnava, sipas këtij dokumenti.
Madje, sipas të njëjtit dokument, Tërnava kishte ngritur shqetësime për mundësinë e realizimit të këtyre objektivave në kushtet e mungesës së punëtorëve dhe makinerive të rënda.
“Cysh me shpallë muaj sulmues e po më boni presion mu me shpall muajn sulmus kur i kam 1000 punëtor mangu. qysh muj unë me kriju muaj sulmues pa staf. Pa maqina të renda. Miniera nuk lëvizë pa paisje të rana”, citohet të ketë thënë ai.
Pretendimet për presion nga menaxhmenti i lartë pasqyrohen edhe në përmbledhjen e takimit me auditorët të datës 10 shtator 2026.
Në këtë dokument evidentohet gjithashtu se miniera po punonte me rrezikshmëri të shtuar për shkak të mosplotësimit të skemave organizative dhe mungesës së stafit të sigurisë.


Menaxhmenti ishte paralajmëruar edhe për mundësinë e ndjekjes penale në rast të aksidenteve me fatalitet
Më 3 korrik 2026, menaxheri i Departamentit të Sigurisë në Punë, Enver Hoxha, përmes një komunikimi zyrtar elektronik, kishte njoftuar për rreziqet e evidentuara dhe nevojën për plotësimin e pozitave të personelit profesional të sigurisë.
Në këtë komunikim, në të cilin ishte përfshirë edhe Sabri Tërnava, kërkohej aprovimi i propozimeve për sistemimin e personelit në pozitat e kryeinspektorit të sigurisë industriale dhe inspektorit të sigurisë për makineri.
Hoxha kishte paralajmëruar edhe për pasojat e mundshme ligjore në rast të aksidenteve të rënda.
“Në rast të aksidenteve të rënda, avarive dhe aksidenteve me fatalitet, punëdhënësi mund të ndiqet edhe penalisht”, thuhej në komunikimin e 3 korrikut, të siguruar nga Gazeta Infokus.
Vetëm pesë ditë pas këtij paralajmërimi, më 8 korrik, në KEK humbi jetën punëtori Milazim Binaku.
Por, 19 ditë pas këtij aksidenti fatal, drejtoria e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit nxori urdhëresën për intensifikimin e prodhimit.

Pas paralajmërimeve për rreziqet dhe vdekjes së një punëtori, gushti shpallet “muaj sulmues”
Gazeta Infokus ka siguruar urdhëresën me numër 751, të datës 27 korrik 2026, të nënshkruar dhe vulosur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, Sabri Tërnava.
Përmes këtij dokumenti, gushti shpallej “muaj sulmues” në Departamentin e Djerrinës.
Në urdhëresë thuhet se qëllimi ishte rritja e prodhimtarisë, përmirësimi i performancës operative, shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve të ekskavatorëve dhe ngritja e disiplinës në punë, duke respektuar standardet e operimit në minierë.
Mirëpo, në mesin e kërkesave të kësaj urdhërese ishte edhe tejkalimi i planit operativ të prodhimit.
“Të angazhohen maksimalisht të gjitha njësitë operative në Departamentet e DPQ-së duke mbështet Dep. e Djerrinës në tejkalimin e planit operativ të prodhimit”, thuhet në dokument.
Po ashtu, kërkohej ngritja e gatishmërisë teknike të pajisjeve dhe minimizimi i ndalesave të ekskavatorëve, prodhimtaria e të cilëve do të kontrollohej përmes grafikoneve të ngarkesës.
Kërkohej raportim i përditshëm për ecurinë e prodhimit, pengesat eventuale dhe performancën e ekskavatorëve, ndërsa dispeçeri kryesor obligohej të sinjalizonte personelin përgjegjës për rënien e prodhimtarisë në secilin ndërrim.
Urdhërohej ndërprerja e pushimeve vjetore, paralajmëroheshin masa për mosrealizim të rezultateve
Për realizimin e objektivave të muajit të shpallur “sulmues”, drejtoria kishte urdhëruar edhe ndërprerjen e pushimeve vjetore dhe kthimin në punë të punëtorëve të angazhuar në procesin e prodhimit.
“Të ndërpriten pushimet vjetore për muajin gusht, Punëmarrësit të kyqur në mekanizmat operativ dhe në proces të prodhimit të thirrën në punë nëse janë në pushime vjetore”, thuhet në urdhëresë.
Por, përveç kërkesave për angazhim maksimal dhe rritje të prodhimit, dokumenti përmbante edhe një paralajmërim për ndërmarrjen e masave në rast të mosrealizimit të rezultateve.
“Për mos rezultate dhe mos respektim të urdhëresës do merren masa komfor rregulloreve në punë”, thuhet në fund të dokumentit.
Për organizimin dhe monitorimin e zbatimit të kësaj urdhërese ngarkoheshin drejtuesit dhe menaxherët përkatës të divizionit.

Departamenti i Sigurisë pretendon se nuk ishte konsultuar për shpalljen e “muajit sulmues”
Një tjetër dokument i brendshëm i KEK-ut ngre pikëpyetje nëse para marrjes së këtij vendimi ishin konsultuar personat përgjegjës për sigurinë e punëtorëve.
Në dokumentin me vërejtjet ndaj draftit të dytë të auditimit të brendshëm, me numër 2026-AO-007, menaxheri i Departamentit të Sigurisë në Punë dhe dy inspektorët e sigurisë pretendojnë se menaxhmenti i lartë nuk kishte kërkuar sqarime nëse ekzistonin kushtet për shpalljen e një muaji të tillë.
“Menaxhmenti i lartë nuk ka kërkuar sqarime nga personeli i Sigurisë ne DPQ dhe as nga Zyra e Sigurisë ne nivel te KEK-ut, se a janë kushte e sigurta te punës dhe ne mungese te punëtoreve dhe a ka kemi mundësi te shpallet muaji sulmues”, thuhet në dokument.
Madje, në të njëjtin dokument pretendohet se një vendim i tillë nuk ishte marrë asnjëherë më parë në KEK që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
“KEK-u asnjëherë ma par nuk ka shpallur muaj sulmues qe nga paslufta prej vitit 1999, muaji sulmues ka ndodhur vetëm ne gusht te vititit 2026”, thuhet në vërejtjet drejtuar auditorëve.
Personeli i sigurisë kishte kundërshtuar edhe faktin se auditorët, sipas tyre, nuk kishin hulumtuar arsyet e marrjes së këtij vendimi dhe veprimet e menaxhmentit të lartë.

Kërkohej tejkalimi i planit të prodhimit, ndërkohë që në divizion mungonin mbi një mijë punëtorë
Vendimi për intensifikimin e prodhimit ishte marrë në një periudhë kur Divizioni i Prodhimit të Qymyrit përballej me mungesë të konsiderueshme të personelit.
Sipas dokumentit me vërejtjet ndaj draftit të dytë të auditimit të brendshëm, ky divizion, sipas skemës organizative të aprovuar në dhjetor të vitit 2019, duhej të kishte 3,184 punëtorë.
Mirëpo, në gusht të vitit 2026, numri i punëtorëve ishte 2,089, apo 1,095 më pak sesa parashihej me skemën organizative.
Në mesin e tyre, 108 punëtorë figuronin si të paaftë për punë për shkak të problemeve shëndetësore.
Sipas të njëjtit dokument, Departamentit të Sigurisë në Punë i mungonin edhe 60 për qind e personelit profesional të inspektorëve, përkatësisht kryeinspektori i sigurisë dhe dy inspektorë të makinerisë.
Pra, përderisa drejtoria kërkonte tejkalimin e planit të prodhimit dhe shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të ekskavatorëve, divizioni përballej me mungesa të konsiderueshme si në personelin e prodhimit, ashtu edhe në atë përgjegjës për inspektimin dhe sigurinë në punë.
Dy punëtorë humbën jetën gjatë muajit të shpallur “sulmues”
Më 16 gusht 2026, gjatë punës në ekskavatorin ER-4B, humbi jetën punëtori Haxhi Gojnovci.
Vetëm katër ditë më vonë, më 20 gusht, KEK-u u përball me një tjetër aksident fatal, ku humbi jetën punëtori Arbenit Ahmeti.
Lidhur me rastin e vdekjes së Haxhi Gojnovcit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se më 4 nëntor 2026 është paraqitur kallëzim penal ndaj pesë personave fizikë dhe vetë KEK-ut si person juridik.
Kallëzimi penal është paraqitur pikërisht nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka konfirmuar se pjesë e shkresave të lëndës janë edhe raportet e inspektimit të KPMM-së dhe KEK-ut, të cilat përmbajnë të dhëna për gjendjen teknike të ekskavatorit dhe masat mbrojtëse.
Kush kërkoi shpalljen e “muajit sulmues”, përkundër paralajmërimeve për rreziqet?
Ndonëse dokumentet e siguruara nga Gazeta Infokus nuk vërtetojnë një lidhje shkakësore ndërmjet urdhëresës për shpalljen e gushtit “muaj sulmues” dhe aksidenteve fatale, kronologjia e paralajmërimeve, vendimeve menaxheriale dhe pretendimeve për presion ngre pikëpyetje serioze.
Kush nga menaxhmenti i lartë i KEK-ut kishte kërkuar shpalljen e gushtit “muaj sulmues”?
Çfarë masash kishte ndërmarrë menaxhmenti pas paralajmërimeve të 3 korrikut dhe vdekjes së punëtorit më 8 korrik?
A ishte bërë një vlerësim i posaçëm i rrezikut përpara nxjerrjes së urdhëresës për intensifikimin e prodhimit?
Si ishte paraparë të garantohej siguria e punëtorëve, në kushtet kur mungonin inspektorët profesionalë të makinerive, ndërkohë që kërkohej shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve të ekskavatorëve?
Gazeta Infokus në lidhje me këto cësthje tashmë ka kontaktuar edhe menaxhmentin e lartë të KEK-ut mirëpo edhe pas disa ditësh të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.
Gazeta Infokus, përmes një hulumtimi të gjerë të bazuar në dokumente të brendshme të KEK-ut, ka nxjerrë në pah një sërë mangësish në sigurimin e kushteve elementare të punës, mungesën e personelit profesional të sigurisë, inspektimet e pakryera dhe paralajmërimet e vazhdueshme për rreziqet ndaj punëtorëve, të adresuara te menaxhmenti shumë kohë përpara aksidenteve fatale./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Lansohet web-faqja e re e KMShK-së
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka lansuar web faqen e re. ...
-
Peleti “flakë” në Prizren, komuna e blen 568 euro tonin, Rahoveci vetëm 400 euro
Plot 168 euro më shtrenjtë për çdo ton pelet sesa Komuna e Rahovecit ka vendo...
-
Tensione e shtyrje fizike në Kuvendin e Komuës së Mitrovicës së Jugut, Peci qëndron brenda sallës
Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut ka ndodhur një incident pak minuta...
-
Vrasja e Arlinda Zekajt/ Gjykata në Pejë cakton masën e paraburgimit ndaj katër të pandehurve
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërke...
-
Aksidenti në Gjakovë, policia jep detaje
Një vetaksident trafiku ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën “Shaban Polluzh...
-
ABSURDE: Kurti numëron si sukses të qeverisjes së tij edhe sektorin e energjisë elektrike – 1 miliard euro import, rënie e blloqeve edhe pas “investimeve” milionëshe
Rënie të njëpasnjëshme të blloqeve të termocentraleve, rikthim i reduktimeve ...
-
Inspektorati intervenon në dy kantiere ndërtimi, ndalen punimet në Pejë dhe Gjakovë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi. I...
-
“Rrëmujë”: Punonjësit e brendshëm të Metas të shqetësuar për kalimin te moderimi i përmbajtjes me inteligjencë artificiale
Disa punonjës thonë se shpejtësia e madhe me të cilën funksionojnë algoritmet...
-
Aksident në Gjakovë, vetura përplaset në shtyllë elektrike – lëndohet shoferi
Një aksident trafiku ka ndodhur në Gjakovë, ku një veturë është përplasur në ...
-
“Ku janë?”, Bajrami sfidon Qeverinë të dëshmojë investimet në 74 çerdhe
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka sfiduar Qeverinë që të publikojë list...
-
Kur zjarri godet biznesin, sigurimi bën diferencën: si u rikthyen Swiss Roleta dhe Pine Hotel në funksion me SIGAL
Zjarri mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme materiale dhe të rrezikojë va...
-
Vrasjet në Fier, Volvo e djegur dyshohet se hyri nga Kosova në Shqipëri
Një “Volvo” i denoncuar i vjedhur në Suedi në vitin 2023 i çoi hetimet për at...



































