Fokus

Banorët e Banjës së Pejës ankohen që s’kishte një javë mjek, QKMF-ja e pranon se mungesa e stafit e la ambulantën pa mjek tri pasdite

Autori: Rona Veseli 14:16 | 18 November 2026

“Për çfarë arsye mbahet një ambulantë në funksion nëse qytetarët nuk mund ta gjejnë mjekun as gjatë orarit zyrtar të punës?”

Këtë pyetje e shtron një banor i Banjës së Pejës në një ankesë drejtuar Gazetës Infokus. Ai thotë se për një javë rresht qytetarët janë paraqitur në ambulantë gjatë orarit të punës dhe janë larguar pa marrë shërbimin për të cilin kishin shkuar.

“Është e papranueshme që për një javë të tërë rresht, gjatë orarit zyrtar të punës, në këtë ambulantë të mos ketë mjek të pranishëm. Banorët paraqiten në ambulantë duke pritur të marrin shërbime shëndetësore, por përballen me mungesën e mjekut dhe detyrohen të largohen pa marrë shërbimin për të cilin kanë nevojë”, thuhet në ankesë.

-Advertisement-

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Istog thotë se nuk ka pranuar ankesa nga banorët.

Në përgjigjen për Infokusin, megjithatë, ajo konfirmon se më 3, 4 dhe 5 nëntor 2026 nuk ishte siguruar zëvendësim për mjekun e ndërrimit të pasdites, dr. U. M., i cili ishte në pushim mjekësor.

“Jo, për shkak të mungesës së mjekëve, ato tre ditë nuk ka pasur mjek zëvendësues”, thuhet në përgjigjen zyrtare të QKMF-së.

E pyetur nëse ambulanta kishte mbetur pa mjek nga ora 15:00 deri në 19:00 gjatë këtyre tri ditëve, QKMF-ja u përgjigj: “Po, nga ora 15:00 nuk ka pasur mjek”.

Përgjigjja e QKMF-së nxjerr në pah një problem tjetër që shkon përtej tri pasditeve të konfirmuara: ambulanta ka orar deri në orën 19:00, por prania e mjekut pasdite varet nga stafi në dispozicion.

“Orari i pasdites në QMF organizohet në rastet kur kemi mundësi, jo domosdoshmërisht”, thotë QKMF-ja.

Sipas institucionit, kur shtohet fluksi i pacientëve, mjekët angazhohen në kujdestaritë e emergjencës në Istog, ndërsa në qendrat e mjekësisë familjare shërbimet me mjek organizohen vetëm paradite. Për banorët e Banjës, kjo do të thotë se mund të shkojnë në ambulantë brenda orarit dhe prapë të mos gjejnë mjek.

Banori thotë se mungesa prek veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe personat që kanë nevojë për kujdes mjekësor. Ai kërkon inspektim urgjent dhe prani të rregullt të mjekut, që qytetarët të mos detyrohen të udhëtojnë drejt Pejës për të marrë shërbime.

“Shëndeti i qytetarëve nuk është çështje që mund të neglizhohet. Ambulanta duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo vetëm të ekzistojë në letër”, përfundon ankesa. /Gazeta Infokus/

Bletaria Haxhia – Tradita familjare dhe përkushtimi ndaj bletarisë sjellin mjaltë natyral e cilësor në tryezat tuaja
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy