Lajme

Kosova i kërkon sqarime Somalisë për 9 zyrtarë që erdhen në Kosovë në tetor, raportohet se kanë humbur gjurmët

Autori: Gazeta inFokus 18:05 | 12 November 2026

Mediumi somalez “Garoewonline”, raporton sot se Kosova i ka kërkuar zyrtarisht Qeverisë së Somalisë të japë sqarime për vendndodhjen dhe sigurinë e nëntë anëtarëve të një delegacioni zyrtar somalez, të cilët janë larguar nga akomodimi i tyre në Prishtinë, pas arritjes në Kosovë për një vizitë në fund të muajit tetor.

Në një letër diplomatike të datës 30 tetor 2026, që është publikuar nga mediat somaleze e që pretendohet të jetë lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, thuhet se Kosova shpreh shqetësim serioz për rrethanat që lidhen me këta nëntë persona, duke theksuar se vendndodhja, gjendja e tyre dhe mundësia e largimit nga territori i Kosovës mbeteshin të pakonfirmuara.

Ky komunikimi diplomatik prej dy faqesh, i lëshuar në formën e një note verbale me numër reference 4868-561/26, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Somalisë.

-Advertisement-

Sipas letrës, delegacioni somalez kishte arritur në Kosovë më 25 tetor 2026, në orën 19:45, me një fluturim të kompanisë Turkish Airlines.

Delegacioni thuhet se udhëhiqej nga Said Mohamed Mohamud, ministër shtetëror për Punët Publike, Banimin dhe Rindërtimin në Somali, dhe Fartuun Abdikadir Farah, zëvendësministre e Porteve, të shoqëruar nga përfaqësues dhe anëtarë të tjerë të delegacionit.

Sipas letrës, Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se, sipas informacioneve të regjistruara nga Protokolli Shtetëror, nëntë anëtarë shoqërues të delegacionit ishin subjekt i kërkesës për sqarim.

Ministria e Jashtme e Kosovës, gjithmonë sipas notës verbale, ka treguar se më 28 tetor, derisa po bëheshin përgatitjet për programin e planifikuar të delegacionit dhe transferimin e tij drejt aeroportit, Protokolli Shtetëror ishte njoftuar se nëntë personat ishin larguar nga akomodimi i tyre nga një resort villash në periferi të Prishtinës, në mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 19:10.

Ata, sipas letrës, ishin larguar pa njoftuar autoritetet përgjegjëse që duhej t’i shoqëronin gjatë qëndrimit në Kosovë.

Kosova ka bërë të ditur se informacionet paraprake sugjeronin që nëntë personat ishin larguar në mënyrë të pavarur nga akomodimi dhe mund të kishin udhëtuar drejt një lokacioni tjetër jashtë vendit.

Megjithatë, ministria ka theksuar se kjo nuk përbënte konfirmim për vendndodhjen e tyre dhe as nuk dëshmonte se ata kishin dalë realisht nga territori i Kosovës.

Në letrën diplomatike bëhet e ditur gjithashtu se Protokolli Shtetëror i Kosovës kishte tentuar të merrte sqarime përmes përfaqësuesve të delegacionit, por deri në përgatitjen e komunikimit nuk kishte marrë informacione konkrete për vendndodhjen e nëntë personave.

Ministria ka konfirmuar se ministri shtetëror Said Mohamed Mohamud ishte larguar nga Kosova më 28 tetor, ndërsa zëvendësministrja Fartuun Abdikadir Farah ishte larguar po atë ditë, më vonë.

Por, nëntë anëtarët shoqërues nuk ishin paraqitur në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku pritej të niseshin sipas itinerarit të planifikuar.

Kosova ka thënë se nuk kishte asnjë konfirmim për vendndodhjen e tyre, statusin e qëndrimit apo largimin e mundshëm nga territori i saj.

Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Somalisë të sqarojë rrethanat e zhdukjes së tyre dhe të ofrojë informacione për vendndodhjen dhe sigurinë aktuale të tyre.

Gjithashtu, i ka kërkuar Mogadishut që të sigurojë se autoritetet kompetente të Kosovës dhe Protokolli Shtetëror do të njoftohen për çdo ndryshim të organizimit të udhëtimit të delegacionit, përfshirë planet e qëndrimit dhe largimit të anëtarëve të tij.

Incidenti raportohet të ketë shkaktuar pasoja politike në Somali, ku dy ministra federalë thuhet se janë shkarkuar nga detyra, për shkak të dyshimeve se kishin lehtësuar organizimin e udhëtimit të nëntë personave në këmbim të parave.

Sipas pretendimeve, të rinjtë ishin paraqitur si punonjës të institucioneve qeveritare dhe ishin përfshirë në delegacionin zyrtar me qëllim të sigurimit të vizave për udhëtim.

Megjithatë, në letrën diplomatike të Kosovës nuk përmenden pagesa, shitje vizash apo përfshirja e pretenduar e ministrave somalezë në këtë çështje.

Burime mediumit somalez që pretendojnë se kanë njohuri për rastin kanë thënë gjithashtu se nëntë personat më pas kishin udhëtuar drejt vendeve të tjera dhe kishin kërkuar azil.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy