Lajme

Dialogu në “pauzë”, emisari Sorensen e ndjek Kurtin si hija në forume ndërkombëtare

Autori: Gazeta inFokus 16:07 | 12 November 2026

Të pakta janë udhëtimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti jashtë vendit ku atje s’e takon Peter Sorensen. Emisari i BE’së u pa në Simpoziumin Symi gjatë korrikut në Greqi, në margjinat e Asamblesë së OKB’së në shtator në New York dhe tash në nëntor në Forumin e Paqes në Paris.

Takimet e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin pezull për më shumë se tri vjet që kur i fundit u mbajt më 14 shtator të 2023-ës. Njëherë sulmi i Banjskës e më pas parehatitë politike te të dyja vendet fqinje u bënë shkaku që niveli i lartë nga të dyja vendet të mos shihen në Bruksel.

Për rrjedhojë, përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Kaja Kallas, si dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, nuk mundën ta organizojnë asnjë takim dypalësh që kur morën mandatet e tyre më 2024.

-Advertisement-

Kallas në një vizitë në Prishtinë tha se BE’ja është në gatishmëri për të pritur një takim të tillë në Bruksel, por tha se njëherë e kishin pritur Kosovën të formonte institucionet e plota dhe se tashmë janë duke e pritur Serbinë pas zgjedhjeve që e çuan në opozitë Aleksandar Vuçiqin. Kohë më shumë do t’i duhet edhe Serbisë deri në formim të qeverisë për shkak se Lista Studentore, që fitoi zgjedhjet, s’ka organizim të qartë lidershipi.

Derisa Kosova dhe Serbia të jenë gati për rinisjen e dialogut, Sorensen s’qëndroi edhe duarkryq. Ai erdhi për vizita në Prishtinë e shkoi në Beograd, si dhe u angazhua në disa takime e forume ku temë kryesore pati dialogun.

Sorensen shpesh u pa si‘hije’ e kryeministrit Albin Kurti në forumet ku ai mori pjesë së fundmi.

Gjatë verës, Sorensen shkoi te sympoziumi i preferuar i Kurtit, Symi, në Greqi ku u shfaq krah tij në një panel ku ai po fliste.

Njoftim për ndonjë takim mes tyre nuk pati zyrtarisht.

Sorensen s’mungoi as në New York për takimet Asamblesë së 81-të të Përgjithshme të OKB-së, në shtator 2026 ku prezent ishte edhe Kurti.

Emisari europian ndoqi takimet e Kurtit me kryediplomaten Kallas dhe po ashtu mori pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kurti pa një takim me Sorensen ‘nuk shpëtoi’ as në Paris në Forumin e Paqes.

Nga atje të dy lajmëruan për takimin.

Sorensen në X tha se pati “një shkëmbim të mirë” me kryeministrin kosovar.

“Tashmë që institucionet janë funksionalizuar në Prishtinë, diskutuam për hapat e mëtejshëm në kuadër të Dialogut Beograd–Prishtinë dhe aspektet e ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat janë të rëndësishme për njerëzit në terren dhe për rajonin”, shkroi Sorensen.

Ndërkaq, Kurti tha se në takim me Sorensenin u diskutua për “stabilitetin e plotë institucional pas zgjedhjes së Presidentes, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen e ndërsjellë në qendër”.

Sorensen Forumin e Paqes e shfrytëzoi edhe për një takim me ministrin për Çështje Europiane të Francës, i cili edhe e kishte ftuar Sorensenin për këtë ngjarje.

“Faleminderit Francës për ftesën në Forumin e Paqes në Paris. Bisedë e mirë me Benjamin Haddad. Mirënjohës ndaj Francës për mbështetjen e saj ndaj Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Sorensen.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy