Nagavci: Vetëvendosje do ta votojë sërish Ligjin për Specialen
Autori: Gazeta inFokus
14:02 | 12 November 2026
Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë sërish Ligjin për Specialen në versionin që Kuvendi miratoi më 6 tetor, tha për Radion Evropa e Lirë shefja e grupit parlamentar të partisë, Arbërie Nagavci.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës sapo kanë votuar për ta proceduar Ligjin në rend dite në seancën e sotme.
LVV-ja, siç thekson Nagavci, ka pasur dhe vazhdon t’i ketë rezervat dhe mospajtimet e caktuara lidhur me këtë ligj, por “nuk tërhiqet nga fjala e dhënë” për miratimin e tij.
“Ne i kemi premtuar (PDK-së) mbështetjen dhe nuk tërhiqemi”, tha Nagavci për REL, duke bërë të ditur se deputetët e LVV-së do të votojnë për miratimin e ligjit, pa ndryshime në përmbajtjen e tij.
Arsyeja se pse LVV ka vendosur ta mbështes sërish miratimin e këtij ligji pavarësisht mospajtimeve dhe rezervave, sipas Nagavcit, është “ndjeshmëria e situatës në aspekt me të vërtetën historike”.
Për ta rimiratuar ligjin dhe për ta rrëzuar veton e presidentes Justina Shiroka-Pula duhen të paktën 61 vota.
Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të vetë PDK-së. Komisioni për Legjislacion shqyrtoi vendimin e presidentes më 12 nëntor dhe do t’ia përcjellë çështjen seancës plenare.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se partia e saj ishte pajtuar me shumicën parlamentare për rimiratimin e ligjit. Sipas saj, PDK-ja konsideronte se Rregullorja e Kuvendit lejonte ndryshimin e tekstit gjatë rishqyrtimit, ndërsa shumica parlamentare vlerësonte se ndryshimet nuk lejoheshin në këtë fazë.
“Prandaj, unë dua të bëj të qartë që ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit bashkë me kolegët deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Vetëvendosje e kishte votuar ligjin edhe më 6 tetor, kur miratimi i tij u lidh me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes. Ndonëse Nagavci tha se partia do ta votojë sërish të njëjtin tekst, përfaqësuesit e Vetëvendosjes në Komisionin për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorolli, u shprehën në favor të një nisme të re ligjore.
Rrustemi tha se një nismë e re do të mund t’i adresonte shqetësimet që vetë PDK-ja kishte ngritur për tekstin. Qorolli, kryetar i komisionit, tha se PDK-ja ka të drejtë të kërkojë rivotimin e të njëjtit tekst, por përsëriti kritikat ndaj nismës së miratuar më 6 tetor.
“Do ta përsërisim sa herë që të jetë e nevojshme. Kjo iniciativë ka qenë e ngutshme, juridikisht e pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”, tha Qorolli.
Sa i përket aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rrustemi tha se grupi i tij parlamentar e sheh strategjinë shtetërore për apelin si rrugën për ta kundërshtuar atë.
Për hartimin e strategjisë, Qeveria formoi më 14 tetor një grup punues, të kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Grupi përfshin përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve parlamentare. Sipas kryeministrit Albin Kurti, detyra e tij është të bashkërendojë mbështetjen juridike dhe institucionale gjatë apelit.
Sipas nenit 80 të Kushtetutës, ligji konsiderohet i shpallur nëse rimiratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Nëse nuk i merr 61 votat, për ta rikthyer çështjen në Kuvend duhet një nismë e re ligjore.
Rregullorja e Kuvendit i jep komisionit katër javë nga pranimi i ligjit të kthyer për ta përgatitur raportin për seancën plenare. Në mbledhje u përmend 26 tetori si data e njoftimit nga Presidenca. Nëse komisioni e ka pranuar ligjin po atë ditë, afati për raportin përfundon më 23 nëntor.
Bashkimi Evropian (BE) i kundërshtoi ndryshimet në ligj dhe më pas e mirëpriti vendimin e presidentes për ta kthyer atë në Kuvend. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi ndryshimet të papranueshme më 12 tetor, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së. Më 4 nëntor, ajo tha se BE-ja po zhvillonte bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në ligj.
Çfarë parasheh ligji?
Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i miratuar më 6 tetor, nuk parasheh shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku janë trajtuar disa raste për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Megjithatë, ai parasheh ndryshime për disa çështje kyç të funksionimit të gjykatës.
Një nga ndryshimet kryesore në ligjin e miratuar – e që u kthye mbrapsht nga presidentja – ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Specialja.
Ndryshimet parashohin lidhjen e juridiksionit të tyre me pretendimet për trafikim organesh të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 që ishte bërë shkas për krijimin e mekanizmit të drejtësisë në Hagë.
Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Në këtë juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, torturat si dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit që përmenden në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
Kjo i bie që ligji synon që Speciales t’i hiqet juridiksioni për të ndjekur krimet e tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.
Po ashtu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me periudhën kohore. Sipas ligjit fillestar, Gjykata Speciale trajtonte krimet që pretendohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ligji i propozuar nga PDK-ja, e i miratuar më 6 tetor, e kufizon këtë periudhë nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Po ashtu, me ndryshimet në ligj u kërkua që të trajtohen vetëm krimet që pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës, e jo edhe në veri të Shqipërisë. Të gjitha rastet që nuk parashihen në juridiksionin e Speciale, me ndryshimin e ligjit, synohet të transferohen në Kosovë.
Po ashtu, aty parashihet që rastet që janë në procedurën e Gjykatës Supreme, të transferohen në Kosovë.
Ndryshimet prekin edhe dënimin maksimal për personat që dënohen, duke kërkuar që ajo të jetë deri në 15 vjet burgim.
Po ashtu, të dënuarit nga Gjykata Speciale, sipas ndryshimeve të miratuara më 6 tetor, u mundësohet të jenë subjekt i faljes presidenciale. Por, kjo e fundit bie ndesh me ligjin aktual për faljen, që përjashton të drejtën e kërkimit të faljes presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.
Ligji është kundërshtuar nga komuniteti evropian, që ngriti shqetësime lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
PDK më herët kishte argumentuar se me miratimin e ndryshimeve në ligj nuk do të thotë se anulohen aktgjykimet ekzistuese apo se personat e dënuar lirohen.
Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar më herët se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo përmes një video-mesazhi ka argumentuar se Gjykata Speciale garanton procese të pavarura dhe të paanshme në shërbim, siç ka thënë ajo, të drejtësisë. Ky deklarim i saj është përballur me kritika në Kosovë./rel/

T� tjera
-
Ramadani: Qeveria u jep 30% shtesë të pagës këshilltarëve, policët i detyron t’i kërkojnë kompensimet në Gjykatë
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e traj...
-
Kurti në nisje të European Political Community u prit nga kryeministri i Irlandës Micheal Martin
Kryeministri Albin Kurti, në nisje të European Political Community në Dublin ...
-
KOMF dhe Rrjeti i Grave kërkojnë 5 milionë euro për shërbimet sociale
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Asociacioni i Qendrave p...
-
‘‘U çudita edhe unë…’’, Haxhiu ngacmon LDK’në: Herat tjera tregoni kush flet në emër të Grupit Parlamentar
Sot, Kuvendit i Kosovës është duke zhvilluar seancë parlamentare. Në filli...
-
Bisedimet për paqe, Rutte: Gjithçka varet nga rusët, nëse janë të gatshëm të bashkëpunojnë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se ka pasur zhvillime pozi...
-
Kuvendi shkon në pauzë, pas orës 14:00 pritet shqyrtimi i Ligjit për Specialen
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 14:00, menj...
-
Rasti i Arlindës, Haxhijaj sqaron veprimet e gjykatës: S’kam hapur procedurë disiplinore
Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, ka folur lidhur me...
-
“Tërë Kosova do të mbetet në terr”, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë grevë nëse nuk iu plotësohen kërkesat
Punëtorët e KEK-ut kanë mbajtur sot një protestë para zyrave të menaxhmentit ...
-
Sveçla flet për gomat e Policisë: Kemi rezerva për 73 për qind të veturave
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me anulimin e ...
-
“A e din o zotëri ministër që e keni zbeh fort moralin e policisë së Kosovës” – Ganimete Musliu i kërkon llogari Sveçlës për mungesën e uniformave për kadetët
Uniformat e Policisë së Kosovës kanë përplasur deputeten e PDK-së, Ganimete M...
-
Rrahje ndërmjet Kobrës dhe Andi Pajazitit në Burgun e Sigurisë së Lartë
Një rrahje ndërmjet Dibran Hoxhës, i njohur si Kobra, dhe Andi Pajazitit ka n...
-
Tenderi për gomat, Musliu pyet Sveçlën: Qysh do t’ia dalë Policia e Kosovës nëse pasnesër bie borë?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka ngritur shqet...






























