Lajme

Rama akuzon ministrat e Kurtit: Ndalni gënjeshtrat, mos i rrezikoni Lojërat Mesdhetare

Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 12 November 2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Bashës dhe Gashanit në Kuvendin e Kosovës, duke i akuzuar ata për përhapje të pavërtetash dhe shmangie të përgjegjësisë së Qeverisë lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Përmes një reagimi publik, Rama ka theksuar se Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi historike për Kosovën, ndërsa ka shprehur shqetësimin se vonesat në përmbushjen e obligimeve institucionale mund ta rrezikojnë realizimin e këtij projekti madhor.

Ai ka bërë të ditur se letrat me vërejtje të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, të adresuara Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë, sipas tij, se përgjegjësia për përmbushjen e obligimeve nuk i takon vetëm Kryeqytetit.

-Advertisement-

Rama ka ritheksuar mbështetjen e tij për organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe për përfshirjen e qyteteve të tjera, por ka kërkuar që procesi të zhvillohet në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe Masterplanin e miratuar nga institucionet vendore dhe Komiteti Ndërkombëtar.

Sipas tij, Kryeqyteti dhe ai personalisht kanë vetëm tri nga 12 votat në Komitetin Organizativ, ndërsa shumicën vendimmarrëse e kanë Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kryetari i Prishtinës ka drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se po e përdor këtë projekt për qëllime politike dhe populiste, në vend që të përqendrohet në përmbushjen e obligimeve dhe realizimin e përgatitjeve të nevojshme.

Ndër problemet kryesore që, sipas Ramës, po e rrezikojnë organizimin e Lojërave janë mospagesa e obligimeve financiare ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat Qeveria ka dhënë garanci, si dhe përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit tashmë të miratuar.

Ai ka paralajmëruar se afatet për përgatitjen e këtij organizimi po afrohen dhe se çdo vonesë shtesë mund të ketë pasoja për realizimin e projektit.

Në fund të reagimit, Rama ka theksuar se Prishtina do të vazhdojë angazhimin për realizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare, duke kërkuar nga Qeveria që të marrë përgjegjësitë dhe të përmbushë zotimet e dhëna.

“Kuvendi meriton dinjitet. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Kosova meriton që fjala e dhënë në emër të saj të mbahet!”, ka përfunduar Rama.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy