Lajme

Smajli: Për herë të parë nga 2010-ta arrin në 8 numri i grave që u vranë për 1 vit

Autori: Gazeta inFokus 11:17 | 26 Tetor 2026

Gazetarja Hateme Smajli ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Pejë, duke ngritur shqetësimin për numrin alarmant të grave të vrara në Kosovë dhe mënyrën se si institucionet po i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.

Smajli ka theksuar se viti 2026 është i pari që nga viti 2010 kur në Kosovë janë regjistruar tetë gra të vrara brenda një viti, madje ende pa përfunduar ai.

“Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitet 2018 dhe 2020 ishin vrarë nga shtatë gra për secilin vit. Kjo shifër, ende pa përfunduar viti, do të duhej të ishte alarmante për të gjithë”, ka shkruar Smajli.

-Advertisement-

Ajo ka kritikuar ashpër neglizhencën institucionale, duke theksuar se parandalimi i rasteve të tilla kërkon përgjegjësi dhe veprime konkrete, e jo vetëm reagime pas tragjedive.

“Nuk arrihet duke mos e kryer punën për të cilën je i/e thirrur. Nuk arrihet duke e trajtuar përgjegjësinë që ke si diçka që duhet vetëm ta heqësh nga dora, pa menduar se çfarë pasojash mund të ketë. Aq më pak duke e kthyer një grua në të njëjtën shtëpi ku ka përjetuar dhunë të vazhdueshme psikologjike e fizike, për të cilën shumëkush paska qenë në dijeni”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet, por edhe mbi shoqërinë, e cila shpesh vazhdon ta trajtojë dhunën ndaj grave si çështje private familjare.

“Jo, nuk janë probleme familjare! Janë probleme të SHOQËRISË dhe të SHTETIT. Janë probleme që çdo ditë e më shumë po na sjellin viktima. Gra të cilave u ndërpritet jeta, fëmijë që mbesin pa nënat e tyre”, ka shkruar Smajli.

Gazetarja ka ngritur gjithashtu pyetjen se sa gra të tjera mund të kenë kërkuar ndihmë nga institucionet, pa marrë mbrojtjen e nevojshme.

“Sa gra të tjera kanë kërkuar ndihmë dhe nuk janë marrë seriozisht? Nuk mund të vazhdojmë të reagojmë vetëm pasi të vritet një grua. Nuk mund të kërkojmë përgjegjësi vetëm kur është tepër vonë”, ka theksuar ajo.

Reagimin e saj Smajli e ka përmbyllur me një thirrje të fuqishme për ndaljen e dhunës ndaj grave.

“TMERRI DUHET TË PËRFUNDOJË! 8 gra të vrara deri në tetor 2026. Një shifër alarmante, që nuk është regjistruar në Kosovë që nga viti 2010. Dhe viti ende nuk ka përfunduar!”

Ky reagim vjen pas vrasjes së Arlinda  Zekajt në Pejë, e cila vetëm tri ditë para se të vritej kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga institucionet e drejtësisë.

Përveç kërkesës drejtuar Prokurorisë, Arlinda i kishte shkruar edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje për situatën në të cilën ndodhej.

Megjithatë, thirrjet e saj për ndihmë nuk arritën ta shpëtonin. Më 25 tetor, ajo u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.

Rasti ka ngritur pyetje të rënda për përgjegjësinë institucionale: A u morën seriozisht paralajmërimet e saj dhe a mund të ishte parandaluar kjo vrasje?/Gazeta Infokus

 

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy