Fokus

Nesër mbahet seanca konstituive – sfida e Presidentit mbetet pa zgjidhje

Autori: Rona Veseli 14:26 | 05 August 2026

Vetëm edhe një ditë ka mbetur deri në nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Të enjten, në orën 10:00, 120 deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen për seancën konstituive, ku do të bëjnë betimin dhe do të nisë zyrtarisht rruga për formimin e institucioneve të reja.

Por, një ditë para seancës, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje që do ta garantonte përfundimin e gjithë procesit.

-Advertisement-

Dhe sfida më e madhe duket se mbetet e njëjta: zgjedhja e Presidentit të Kosovës.

Pikërisht dështimi për zgjedhjen e Presidentit e çoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit, pasi asnjëri prej kandidatëve të propozuar – Glauk Konjufca, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha – nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Partitë që atëherë ishin në opozitë kërkonin një kandidat konsensual dhe jo partiak.

Por, a e zgjidhën zgjedhjet e reja këtë problem?

Rezultatet e 7 qershorit e nxorën përsëri Lëvizjen Vetëvendosje partinë e parë, me 53 deputetë. PDK siguroi 22 ulëse, LDK 18 dhe Aleanca 7.

Pra, asnjë parti nuk e ka e vetme shumicën e nevojshme për t’i formuar institucionet.

Pas certifikimit të rezultateve, Albin Kurti nisi takimet me liderët e partive të tjera.

Pas takimit me Kurtin, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e bëri të qartë se partia e tij do të mbetet në opozitë.

“PDK është në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë suksese zotëri Kurtit dhe partive tjera”, deklaroi Hamza.

Kurti e cilësoi takimin konstruktiv, por pranoi se nuk kishte rezultat konkret.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret që do mund ta ndaja me publikun”, deklaroi ai.

Pas Hamzës, Kurti u takua edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pikërisht këtu u krijuan pritjet më të mëdha për një marrëveshje që do ta shmangte një tjetër krizë institucionale.

Abdixhiku deklaroi se LDK nuk është e interesuar për postin e kryetarit të Kuvendit, por kërkoi që, në një marrëveshje eventuale, partia e tij të ndihet e përfaqësuar.

“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës”, deklaroi Abdixhiku.

Por bisedimet u ndërprenë përkohësisht për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK.

Pas konfirmimit të Abdixhikut përsëri në krye të partisë, ai njoftoi se pezullimi i bisedimeve me Vetëvendosjen hiqej.

“Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha ai.

Megjithatë, marrëveshje ende nuk ka.

Kurti tashmë ka paralajmëruar se, nëse partitë nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, zgjedhjet mund të bëhen përsëri realitet.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”, deklaroi Kurti.

Por jo të gjitha partitë po tregojnë gatishmëri për t’u ulur në tavolinë me të.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, publikisht i ka thënë Kurtit të mos insistojë për takim.

“Mos insisto me u taku me mua, sepse nuk ke për çka me u taku me mua”, deklaroi Gjini.

Kështu, nesër në orën 10:00 deputetët hyjnë në Kuvend.

Por konstituimi i tij është vetëm hapi i parë.

Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, sfida tjetër është krijimi i shumicës për Qeverinë e re.

Dhe mbi të gjitha mbetet çështja që njëherë tashmë e çoi Kosovën në zgjedhje: Presidenti.

Me raportin aktual të forcave politike, asnjëra palë nuk mund ta përfundojë procesin e vetme.

Prandaj, pyetja një ditë para seancës nuk është vetëm nëse Kuvendi do të konstituohet.

Pyetja është: A do të arrijnë partitë marrëveshjen që nuk e arritën para zgjedhjeve të 7 qershorit?

Sepse, nëse marrëveshja mungon përsëri, Kosova mund të gjendet edhe një herë përballë skenarit që të gjitha partitë thonë se duan ta shmangin: zgjedhjeve të reja./GazetaInfokus /

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy