Çka është infrastrukturë kritike e Kosovës dhe kush e ruan?
Autori: Gazeta inFokus 10:57 | 04 December 2024
Energjia, transporti, sistemi bankar, tregjet financiare, shëndetësia, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, rrjeti digjital, administrata publike, si dhe prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e ushqimit janë sektorët që përbëjnë infrastrukturën kritike të Kosovës.
Kjo infrastrukturë është jetike për funksionimin dhe sigurinë e shtetit, si dhe të qytetarëve të tij.
Kosova ka ligj për mbrojtjen e saj, por disa ekspertë të sigurisë thonë se ai nuk zbatohet siç duhet.
Për Mentor Vrajollin, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shtimi i masave është urgjent, në kohën kur kërcënimet, “si kibernetike, ashtu edhe terroriste”, janë rritur në nivel global.
Javën e kaluar, në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës – i cili furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Për pasojë, furnizimi i rregullt me ujë dhe energji elektrike u ndërpre për disa kohë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për këtë sulm, duke thënë se qëllim kishte t’i shkaktonte dëme të pariparueshme infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi çdolloj përgjegjësie dhe e dënoi sulmin.
Çka parasheh ligji?
Kosova ka Ligjin për infrastrukturën kritike që nga viti 2018.
Qëllimi i tij është “ta ruajë dhe mbrojë infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, t’i mbrojë qytetarët e Republikës së Kosovës, t’i parandalojë incidentet dhe ta minimizojë dëmin potencial në këtë infrastrukturë”.
Më 27 nëntor, vetëm dy ditë para sulmit në Ibër-Lepenc, Qeveria e Kosovës miratoi disa ndryshime në ligj, duke i shkrirë disa sektorë të infrastrukturës kritike në një.
Këto ndryshime tani janë në pritje të votimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Përndryshe, autoriteti kryesor për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, si dhe të politikave për identifikimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, është Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Ajo ka kompetencë të kryejë inspektime në terren dhe të sigurojë, madje, mbrojtjen e duhur fizike të hapësirave të infrastrukturës kritike.
Kjo ministri nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar rreth mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së kësaj infrastrukture.
Por, pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, Këshilli i Sigurisë i Kosovës miratoi disa masa shtesë për të forcuar sigurinë e infrastrukturës kritike, qoftë në ura, trafostacione, antena, liqene etj.
Për këtë qëllim, Këshilli kërkoi nga Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës që të aktivizohen në terren.
Si ruhet infrastruktura kritike?
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Izmi Zeka, thotë se nuk duhet pritur ndonjë rast i caktuar për t’u marrë masa.
Sipas tij, janë disa sektorë që u duhet sigurim i vazhdueshëm fizik.
Në mesin e tyre, ai veçon ujin, ushqimin dhe rrymën.
“Penda e Badovcit, Gjilanit, Ujmanit, Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’, ‘Mitrovica’… e pastaj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) janë sektorë që nuk duhet të lihen pa roje, pa mbikëqyrje, pa kontroll 24 orë, sepse dëmet eventuale në ta mund të jenë katastrofale dhe ta rrezikojnë shëndetin publik”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Pyetjeve të REL-it për sigurimin fizik të objekteve të tyre nuk iu përgjigjën as KEK-u, as Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, e as Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Bashkim Kurti, kryeshef ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica”, tha se në fabrikat ku bëhet trajtimi i ujit, ka roje gjatë gjithë kohës.
“Ndërmarrja i ka dy fabrika: një në Shipol dhe një në Balincë. Në këto dy hapësira ka sigurim 24 orë. Ata janë punëtorë të kompanisë dhe përkujdesen edhe për çështje të sigurisë, edhe për çështje operative”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.
Pas sulmit në Ibër-Lepenc, kryeministri Kurti tha se ky kanal është thuajse e pamundur të mbikëqyret gjatë gjithë kohës.
“Kanali Ibër-Lepenc është një kanal mbi 50 kilometra dhe natyrisht që është tejet e vështirë të kontrollohet dhe të jetë nën mbikëqyrje 24 orë në shtatë ditë të javës, në gjithë gjatësinë e tij”, tha ai në një konferencë për media më 1 dhjetor.
Direktiva e BE-së për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike
Bashkimi Evropian, ku Kosova mëton të anëtarësohet, ka fuqizuar Direktivën për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike më 16 janar të vitit 2023.
Ajo synon ta rrisë qëndrueshmërinë e subjekteve kritike ndaj një sërë kërcënimesh, përfshirë: rreziqet natyrore, sulmet terroriste, kërcënimet e brendshme ose sabotazhin, si dhe urgjencat e shëndetit publik.
Rregullat, mes tjerash, kërkojnë nga vendet anëtare që të miratojnë strategji kombëtare dhe të bëjnë vlerësime të rregullta të rrezikut.
Subjektet kritike duhet, po ashtu, t’i kryejnë vetë vlerësimet e rrezikut dhe të marrin masa teknike, të sigurisë dhe organizative, për ta rritur qëndrueshmërinë e tyre.
Për këtë qëllim, BE-ja rekomandon që të kihen parasysh tri prioritete: gatishmëria, reagimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Të respektohet ligji”
Vrajolli nga QKSS-ja thotë se shkatërrimi i infrastrukturës kritike mund ta pengojë funksionimin e shtetit.
Ndaj, sipas tij, duhet të ndërmerren masa sa më herët, në përputhje me ligjin.
Në këtë aspekt, ai rekomandon që Kosova të përpilojë një listë me emra të institucioneve, të ndërmarrjeve apo të operatorëve privatë, që do të mbikëqyrnin dhe ruanin infrastrukturën kritike.
“Të sigurohemi që në këtë periudhë, kur kërcënimet në nivel global janë rritur dukshëm, i kemi masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo sulmi rreth kësaj infrastrukture”, thotë Vrajolli, duke përmendur si opsion edhe vendosjen e kamerave përreth saj.
Ai shton se Kosova nuk ka kuadro të mjaftueshme për zbatimin e ligjit, por se “ato mund të krijohen”.
Koordinimi ndërinstitucional, sipas tij, është i domosdoshëm, sepse infrastruktura kritike nuk është vetëm në pronësi publike, por edhe private, e po ashtu, ajo nuk është vetëm fizike, por edhe virtuale.
“Shteti duhet ta identifikojë dhe mbrojë atë, sidomos tash kur është një periudhë e pasigurt, kur ka shumë aktorë të gatshëm për të krijuar destabilitet në të gjithë botën”, thotë Vrajolli.
Duke iu adresuar gazetarëve më 1 dhjetor, Kurti përmendi Rusinë dhe tha se sulmi në Ibër-Lepenc “duket se ka lidhje” me sulmet e Federatës Ruse kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Për t’i përforcuar këto pretendime, ai shfaqi një fotografi për të cilën tha se tregon emblema të njësive ushtarake ruse, të konfiskuara nga Policia e Kosovës në veri të vendit./REL
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të enjten
Për të enjten parashikohet të mbajë mot i vranët dhe kohë pas kohe me reshje ...
-
Zjạrr në një banesë në Shkodër, dyshohet se brenda ndodhet një grua
Një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Shtoj në Shkodër. Euronew...
-
Faruk Mujka i VV-së e krahason KTV-në me Sputnikun, reagon AGK
Kryshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes V...
-
Kurti nesër në Sarajevë, Dodik: Gjërat në BeH do të komplikohen ndjeshëm nëse vjen Kurti
Kryeministri Albin Kurti do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë...
-
Osmani nuk përjashton se mund të ketë sulme të reja në Kosovë
Presidentja e Kosovës nuk përjashton mundësinë që vendi të jetë sërish cak i ...
-
Bie qeveria në Francë
Kryeministri i Francës, Michel Barnier, është rrëzuar nga posti pasi partitë ...
-
Analiza e akademikut grek: 28 Nëntori i shqiptarëve duhet të festohet zyrtarisht edhe në Greqi
Akademiku grek, Dimitris Christopoulos, ka propozuar që festa e 28 Nëntorit t...
-
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, proteston nesër
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se më 5 dhjetor...
-
Kurti takon Komisioneren për Zgjerim të BE-së, kërkon largimin e masave ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel u mirëprit nga Komisionerja e...
-
Limaj e Lushtaku nga Skënderaj: Angazhimi ynë do të jetë i pandalshëm derisa Kosova ta ketë sigurinë e plotë
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka publikuar foto nga Skenderaj në shoqëri t...
-
Kurti do të marrë pjesë në një konferencë në Sarajevë për raportet rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shkojë të enjten në mbrëmje, më 5 ...
-
Molliqaj: Kurti akuzoi Serbinë, mediat e opozitën, ende pa u bë 4 ditë nga sulmi shihet në të njëjtën fotografi me Vuçiqin
Lideri i PSD’së, Dardan Molliqaj thotë se kryeministri Albin Kurti në natën e...