Për të gjithë ata e ato që duan të persiatin për emërtimin e fëmijëve
Autori: Gazeta inFokus 12:25 | 02 December 2024
Për të gjithë ata e ato që duan të persiatin për emërtimin e fëmijëve…
Ali Caka
Me shkas
30 nëntor 2024
Emërtimi i fëmijëve dhe përgjegjësia e prindërve ndaj identitetit kombëtar
Emri është një simbol i thellë i identitetit personal dhe kolektiv, që ka rëndësi të jashtëzakonshme në jetën e individit dhe të kombit.
Në shoqërinë shqiptare, emërtimi i fëmijëve ka qenë gjithmonë një akt i mbushur me një peshë kulturore dhe shpirtërore të veçantë, i rrënjosur në tradita dhe vlera të trashëguara brez pas brezi.
Megjithatë, sot vërehet një prirje gjithnjë e më e dukshme në zgjedhjen e emrave jo kombëtarë, shpesh të huaj, pa një përsiatje të thellë për ndikimin që kjo mund të ketë në identitetin e fëmijëve që mbartin këta emra.
Ky fenomen nuk duhet të nënvlerësohet, duke pasur parasysh thënien e njohur se “emri nuk e madhëron personin, po personi e madhëron emrin,” e cila është një shprehje e thellë filozofike dhe dijetare.
Prandaj, emri si simbol i identitetit personal e kolektiv duhet të zgjidhet me kujdes, për t’i siguruar individëve që do ta mbartin atë se nuk do të përballen me vështirësi ose konfuzion në lidhje me identitetin e tyre.
Në shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, kjo çështje është rregulluar me ligj, për t’i dhënë kuptim më të plotë rëndësisë së emërtimit të fëmijëve.
Sipas Caka dhe Caka (2009), historia e emërtimit të fëmijëve shqiptarë në Kosovë është një pasqyrim i historisë së popullit shqiptar në këtë trevë. Emërtimi i fëmijëve me emra shqiptarë ka filluar në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe ka vazhduar të zhvillohet edhe pas saj. Dyzet vitet e fundit kanë treguar një dominim të emrave shqiptarë, megjithatë, ende sot mbizotëron një prirje e vazhdueshme për emërtime me origjinë të huaj, veçanërisht në Shqipëri, ku sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se në disa klasa të para në Tiranë, vetëm 8 nga 107 fëmijë kishin emra shqiptarë (Demollari, 2008).
Fenomeni i emërtimit të fëmijëve me emra jo kombëtarë pasqyron një përgjegjësi të shtuar të prindërve, si mbajtës të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, që është më e madhe se kurrë.
Burri dhe gruaja, si bashkëprindër, mbajnë përgjegjësinë kryesore dhe të patjetërsueshme për formësimin e identitetit të fëmijëve të tyre. Dhe, një emër i zgjedhur me kujdes jo vetëm që krijon një lidhje të ngushtë me historinë, me gjuhën dhe me kulturën shqiptare, por gjithashtu shërben si një udhërrëfyes për zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe personalitetit të vet fëmijës.
Në këtë kontekst, largimi nga emrat kombëtarë për t’iu përshtatur tendencave të huaja mund të interpretohet si një shkëputje simbolike nga rrënjët tona dhe një përsiatje e mungesës së ndërgjegjësimit për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor. Ky fenomen paraqet një rrezik të mundshëm për trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare.
Për të shmangur situata të mundshme të pasigurisë ose të vështirësive që mund të shfaqen në të ardhmen, është e nevojshme që emërtimi i fëmijëve të bëhet pas një procesi të menduar mirë, duke pasur parasysh edhe nevojën për një dialog të hapur familjar.
Konsultimi i thellë ndërmjet bashkëshortëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes është i domosdoshëm në këtë proces.
Emri i një fëmije nuk duhet të jetë një vendim individual ose i imponuar nga njëri prind, por një rezultat i një dialogu të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës.
Po ashtu, në frymën e demokracisë familjare, është e rëndësishme që edhe fëmijët, në moshën e duhur, të kenë mundësinë të shprehin mendimet e tyre për kuptimin dhe domethënien e emrit të tyre.
Si prindër, ne duhet t’i shpjegojmë atyre veprimet tona, duke i ndihmuar të kuptojnë që çdo emër ka një ngarkesë emocionuese dhe kulturore, dhe shpesh mund të jetë një veprim që është ndërmarrë pa menduar për pasojat e tij në të ardhmen.
Shpjegimi i veprimeve tona për të ndihmuar fëmijët në të kuptuarit e emrit është një aspekt i rëndësishëm, veçanërisht kur emërtimet bëhen me emra të gjyshërve ose të familjarëve të tjerë, siç ndodhi edhe në përvojën time personale.
Në një botë gjithnjë e më të sheshtëzuar, identiteti kombëtar është një detyrim i prindërve, por shpesh ata e justifikojnë zgjedhjen e emrave të huaj me synimin për të ndihmuar integrimin ndërkombëtar të fëmijëve të tyre, ose për të ruajtur lidhjet me trashëgiminë e prindërve të tyre.
Megjithatë, ky qëndrim shpesh e injoron fuqinë e emrave kombëtarë për të krijuar një ndjesi krenarie dhe autenticiteti në një mjedis global.
Të mbash një emër shqiptar është një vlerë dhe një pasuri që mund të kontribuojë në mozaikun global të kulturave, dhe jo një pengesë.
Të jesh shqiptar me një emër të përvetësuar nga kultura jonë është visar i çmuar, jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë ndërkombëtare.
Për këtë arsye, individët e dijes dhe ata që merren me ruajtjen e themeleve kombëtare kanë një detyrë të rëndësishme po edhe të ngutshme për të bërë thirrje për ndërgjegjësim.
Emërtimi i fëmijëve duhet të jetë një akt i menduar me kujdes, që respekton dhe ruan trashëgiminë kombëtare dhe që krijon një lidhje të qëndrueshme ndërmjet brezave.
Prandaj, me këtë shkrim të shkruar me shkas, i bëj thirrje prindërve shqiptarë që të përsiatin për përgjegjësinë e tyre historike dhe kulturore.
Pindërit duhen të përfshijnë dialogun bashkëshortor dhe familjar dhe të ruajnë shpirtin kombëtar përmes emrave që përfaqësojnë vlerat dhe krenarinë shqiptare.
Emrat tanë janë pasuria jonë, dhe është detyrë jona t’i ruajmë ata si një pasuri të çmuar, duke u siguruar që fëmijët tanë të drejtohen me krenari dhe dashuri në përputhje me identitetin e tyre kombëtar.
Referencat
Demollari, Elona (2008), “Në 3 klasa të para me 107 vogëlushë, & emra shiptarë”, Shekulli, 21 shtator 2008.
Caka, Nebi dhe Ali Caka. (2009). Motivimi i emërtimit të fëmijëve në Kosovë 1912-2008. AKTET – Revistë shkencore e Instituti Alb-Shkenca / Journal of Institute Alb-Shkenca, ISSN 2073-2244; Vol. III, Nr. 4, Tiranë – Prishtinë – Shkup, 2010, f. 554-556.
Të tjera
-
U përjashtua nga lista e LDK-së për kandidat për deputet, flet për Infokus Agim Veliu
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetët....
-
Djali i Hashim Thaçit e mbështetë Altin Krasniqin në garën për deputet nga PDK
Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit Hashim Thaçi ka shprehur mbështetjen e ...
-
Ministrat e Mbrojtjes mblidhen në Tiranë, diskutojnë edhe për sulmin në Kosovë
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatik...
-
LDK-ja publikon listën, këta janë 110 kandidatët për deputetë të kësaj partie
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetët....
-
“Po kthehet në shtëpinë e babes”-Emocionon Ferat Shala pasi flet për hyrjen e djalit të Jakup Krasniqit në PDK
Në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj“, ku i ftuar ishte deputeti i PDK-së,...
-
“Ka mjaft dëshmi që e bëjnë përgjegjëse Serbinë”, thotë Osmani në Bruksel për sụlmet në Kosovë
(Radio Evropa e Lirë) – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 4 dhjetor...
-
Mendimi për motin: Ftohtë e me shi të enjten, viseve malore borë
Mendimi për motin – 4.12.2024 Mot i ftohtë, kryesisht i vranët dhe me shi ...
-
Administrohen provat materiale në gjykimin për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë admin...
-
Rutte e falënderon Malin e Zi për promovim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka falënderuar Malin e Zi për ...
-
Reagon Thaçi pasi trupi gjykues lexoi deklarata të tij dhe të Selimit ku supozohej që përgjegjës për komunikatat e UÇK-së ishte Bashota
Kur Sokol Bashota u përball me deklaratat e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit,...
-
New York, vritet me ạrmë në qendër të Manhatan CEO i kompanisë së madhe të Sigurimeve
Brian Thompson, CEO i UnitedHealthcare, një prej kompanive më të mëdha të...
-
Ramosaj njofton për punimet në rrugën që lidhë Deçanin me Gjakovën
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj para pak minutave në rrjetin s...