Kryeministri Albin Kurti viziton Kombëtaren e Kosovës, shpreh mbështetje të plotë për vendimin në Bukuresht
Autori: Gazeta inFokus
15:32 | 17 November 2024
Në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë te Kombëtarja e Kosovës, duke dhënë mbështetjen e tij për futbollistët, stafin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.
Kjo vizitë e kreut të Qeverisë, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitija, vjen si një gjest solidariteti dhe mirënjohjeje për qëndrimin parimor të Kombëtares në ndeshjen e zhvilluar në Bukuresht kundër Rumanisë, ku futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës.
Kurti: Qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm për Kosovën
Gjatë fjalimit të tij kryeministri Kurti e vlerësoi qëndrimin e lojtarëve dhe të federatës si parimor, të drejtë e të dobishëm për vendin dhe futbollin:
“Është kënaqësi dhe nder që takohemi sot bashkë. Së pari duhet të ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që e keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë të shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”, tha Kurti.

Kryeministri tutje vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla:
“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, shtoi kryeministri.
Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla:
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, nënvizoi shefi i ekzekutivit kosovar.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti citoj deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes: “Po e përfundoj këtë fjalë timen duke e cituar Amir Rrahmanin saktësisht. “Dua t’i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të mos lejojnë këso gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë masakra e gjithçka, s’ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri, Kaq, këtu mbaron”. Me këtë qëndrim të tij kapiteni ynë Amir Rrahmani ka treguar se anija e jonë e përbashkët është shtetërore, kombëtare e sportive, e nuk është tregtare apo revizioniste qysh duan disa kryeqendra tjera të vendeve autoritare, e posaqërisht fqinji ynë armik e agresiv në veri të shtetit tonë të dashur. Unë nuk di të luaj aq mirë futboll, p.sh. kryetari i Kuvendit (Glauk Konjufca) luan shumë më mirë se unë, por përndryshe sa i përket këtij qëndrimi e kishim bërë një rokadë me Amir Rrahmanin. Ai me këtë qëndrim do të mund të ishte taman kryeministër, por fatkeqësisht unë nuk mund ta zëvendësoj atë në ndeshjet e futbollit”.
“Edhe një herë ju them se nuk bën të kemi dilemën as më të vogël për drejtësinë e qëndrimit dhe vendimit tuaj për të cilin po e ritheksoj e keni mbështetjen tonë të plotë, të pakursyer e të parezervë”, tha Kurti, i cili në shaka theksoi se sikur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ashtu edhe ministri Çeku e paralajmëruan para takimit se duhet të jemi preciz me kohën sepse e kemi trajnerin gjerman, dhe minutat janë 60 sekonda e jo më shumë.

Në fund të vizitës, kryeministri nuk harroi pa uruar edhe Kombëtaren U19 për suksesin e arritur kundër kampionit në fuqi, Spanjës.
“Besoj që duhet t’ia urojmë njëri-tjetrit edhe fitoren e ekipit tonë kombëtar U19 ndaj kampionit aktual evropian Spanjës, 4:3, që tregon se talenti, zelli ynë e dëshira për fitore vazhdon të ngadhënjejë. Por, tash kemi nevojë për drejtësi”, ka përfunduar Kurti.
Muriqi: Jemi prekur emocionalisht dhe moralisht
Në emër të futbollistëve foli sulmuesi Vedat Muriqi, i cili e falënderoi kryeministrin për mbështetjen e tij dhe shtoi:
“Na keni nderuar me këtë vizitë. Siç thatë edhe ju, ka qenë një natë e vështirë për ne, por besoj se kemi marrë një vendim të duhur ne si futbollistë dhe federata jonë. Jemi prekur emocionalisht dhe moralisht aty, për shkak të asaj kemi marrë vendim të mos dalim në fushë, duke e ditur se ju do të na përkrahni. Ju falënderoj në emër të lojtarëve për mbështetjen dhe çdo gjë që keni bërë për Republikën e Kosovës”.


T� tjera
-
HULUMTIM: Një pronë në Prishtinë blihet deri në 2 mijë euro për m², AKP-ja i shet me 127 e 160 euro – Si u shitën 8 prona për persona me mbiemrin Jashari
Derisa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) arsyetohej se pronat po shitesh...
-
Gërvalla takoi zëvendëspresidentin e Eurojust-it: Krimit të organizuar i përgjigjemi me forcën e bashkëpunimit ndërkombëtar
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla gjatë ditës...
-
Bajrami: 250 mijë qytetarë nga Kosova kanë marrë leje qëndrim në vendet e BE për pesë vite, derisa Kurti mburret me vendet e punës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ...
-
Nafta drejt rënies më të madhe që nga pandemia, shpresat për paqe në Lindjen e Mesme ndikojnë në treg
Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare po shënojnë një nga rëniet më të mëd...
-
Betohen policët e rinj të Kosovës, gjenerata e 63-të
Rreth 400 pjesëtarë të rinj të Policisë së Kosovës janë betuar sot gjatë cere...
-
Ramadani akuzon VV-në për bllokim të Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt: Nuk lejuan të kërkohen dokumente nga Zyra e Kryeministrit
Deputeti i Aleancës Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka bl...
-
Djemtë e heronjve Zymberi e Bunjaku diplomohen si policë, Kurti: Qeverinë do ta keni përherë përkrah
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit kadetëve ...
-
Zgjerimi i tregut ndërkombëtar, Comodita nis dyshekë drejt Qipros (VIDEO)
Comodita Home po vazhdon të zgjerojë prezencën e saj në tregjet ndërkombëtare...
-
118 vajza e gra diplomohen police, Haxhiu: Guximi dëshmohet edhe duke mbrojtur të dobëtin
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ceremonisë së diplomi...
-
Haxhiu pret Hargreaves, flasin për ‘‘prioritetet legjislative’’ të Kuvendit dhe projektligjet që ndërlidhen me Planin e Rritjes
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në ...
-
Një minutë heshtje në nderim të zyrtarëve policorë të rënë në detyrë
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së ...
-
Djali i Afrim Bunjakut dhe ai i Enver Zymerit diplomojnë në gjeneratën e re të Policisë së Kosovës
Jetlum Bunjaku dhe Sokol Zymeri, djemtë e heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zy...































