Lajme

​Ligji për çmimet e barnave nuk gjen zbatim, qytetarët ankohen – MSH sqarohet

Autori: Gazeta inFokus 11:03 | 26 May 2024

Pacientët në Kosovë janë të detyruar të lëvizin nga një barnatore në tjetrën për t’i blerë barnat pasi ato po shiten me çmime të ndryshme.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se deklarimi i çmimeve ka qenë deri më 16 maj dhe pas përfundimit të afatit të ankesave do të fillojë implementimi i ligjit.

Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023. Në nenin 19 të ligjit thuhet se lista e çmimeve të barnave publikohet për herë të parë katër muaj pas hyrjes në fuqi dhe se zbatimi i tij fillon pas 6 muajsh.

-Advertisement-

Megjithatë, të njëjtat barna vazhdojnë me çmime të ndryshme dhe qytetarët duhet të vizitojnë disa barnatore për të gjetur një çmim më të arsyeshëm. Ata thonë se ka dallime të mëdha.

Pensionisti Bedri Bytyçi për KosovaPress thotë se një ilaç diku e gjen me dy euro, e diku tjetër më shtrenjtë. Ai tregon se barnatoret arsyetohen duke thënë se qiranë e paguajnë më shtrenjtë.

“Ka ndryshime, unë e marr për shembull Enapin dhe Aspirinat, por Enapi diku është dy euro, diku dy euro e dyzet centë apo dy euro e shtatëdhjetë centë. Asnjë barnatore nuk i ka çmimet e caktuara. Duhet një kontroll të caktohet. Ata po thonë ‘unë e paguaj qiranë më shtrenjtë, i rriti çmimet’. Si të kanë dëshirë i rrisin çmimet…Vështirë është për pensionistët, çdo pensionist duhet të dinë që merr barna dhe shtrenjtë janë”, tha Bytyçi.

Edhe qytetari tjetër Kadri Bytyçi ankohet për dallime në çmime të barnave. Ai thotë se duhet të vendoset ligji që të gjitha barnatoret t’i kenë çmimet e njëjta.

“Po diku dyfish, diku katër e gjysmë, diku kushton pesë euro, dikur tri euro, diku dy euro e gjysmë, por i njëjti ilaç është. Po thonë janë të Maqedonisë, jo janë tonat, jo të Gjermanisë, aty po na ngatërrojnë neve…Ka dallime të mëdha…Me qenë njëjtë mirë është, por nuk është njëjtë, barnatorja me barnatore ka me pesë herë, tri herë e katër dallim në çmime”, tregon Bytyçi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një prononcim për KosovaPress thotë se afati për deklarimin e çmimeve ka qenë deri më 16 maj dhe pas përfundimit të afatit të ankesave prej 30 ditësh do të fillojë implementimi i ligjit. Ai potencon se ky ligj do të përcaktojë tavanin e çmimeve për barnatoret dhe distributorët.

Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën
Lexo po ashtu
Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën
“Në gushtin e vitit të kaluar, ka kaluar ligji për çmimin e barnave. Ky ligj do të përcaktojë tavanin e profitit nga ana e distributorëve dhe ana e barnatoreve. Tanimë, janë dorëzuar të gjitha këto, janë deklaruar çmimet. Afati ka qenë deri më 16 maj, por deklarimet janë bërë deri datën e djeshme, që i bie data 13 maj.

Tash jemi duke punuar për ta nxjerrë vendimin i cili do të nënshkruhet nesër. Pastaj, pas afatit të ankesave që do të zgjasë 30 ditë, tani e tutje do të fillojmë me implementimin e këtij ligji, ku më në fund qytetarët e Republikës së Kosovës do të munden që në çdo barnatore pavarësisht në cilën, ta kenë çmimin njësoj dhe jo çmim potencialisht abuzues siç ka ndodhur në disa raste fatkeqësisht ku një pjesë e mirë e barnave në Kosovë kanë kushtuar dy apo trefish më shtrenjtë sesa në shtetet rajonit”, tha Vitia.

Zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Astrit Haxhijaha thotë se ky ligj do të ndikojë në unifikimin dhe uljen çmimeve nëpër barnatore për pacientët. Ai thotë se në deklarimin e çmimeve kanë pasur drejtë të marrin pjesë vetëm produktet që posedojnë substancën aktive dhe jo shtesat ushqimore.

“Ky ligj mendoj që do të ndikojë në mënyrë direkte tek ulja e çmimeve për pacientët. Pastaj unifikimin e çmimeve në të gjitha barnatoret e licencuara në Kosovë. Përveç kësaj, do ta zvogëlojë pjesën e tregut ilegal…Dhe më e rëndësishmja, është kthimi i profesionalizmit të farmacistëve, të cilët me anë të këtij ligji do ta nxitë konkurrencën profesionale dhe jo konkurrencën financiare. 02:55 Brenda kësaj liste i kemi diku të aplikuar përafërsisht 2 mijë e 300 molekula apo substanca aktive apo shumëllojshmëri të barnave. Pritet që në vazhdimësi të trajtohen diku edhe një mijë të tjera,” tha ai.

Ndryshe, në rast të shkeljes së ligjit, gjobat variojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro dhe inicimi i procedurës për revokimin e licencës së farmacistit apo licencës së farmacisë. Në inspektimin e barnatoreve merret Inspektorati Farmaceutik. /KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera