Lajme

Byrnes: Politika serbe ndaj shqiptarëve ka qenë e tmerrshme, parashikonim që do të kishte hakmarrje pas intervenimit të NATO-s

Autori: Gazeta inFokus 11:54 | 26 March 2024

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes tha se politikat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës që nga viti 1998 e tutje, kanë qenë të tmerrshme dhe brutale.

Ai tha se ata parashikonin që pas ndërhyrjes së NATO-s, do të kishte hakmarrje nga ana e shqiptarëve ndaj serbëve për shkak të veprimeve që këta të fundit kishin bërë ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fatkeqësisht kështu e mendoj edhe unë. Kryesisht për faktin se forcat e policisë serbe dhe forcat paramilitare serbe, për vite të tëra me radhë nën komandën e drejtpërdrejtë të Millosheviqit kishin kryer politika brutale, të tmerrshme kundër popullsisë shqiptare duke plaçkitur shtëpitë e tyre, duke diegur fshatrat e tyre dhe madje duke vrarë njerëz. Kjo është konfirmuar më pas përmes planeve të operacioneve. Për shembull; tek operacioni ‘patkoi’ që u zbulua nga inteligjenca serbe”, tha ai.

-Advertisement-

Byrnes tha se kishte operacione të vazhdueshme të natyrës si ajo “Patkoi”.

“Dhe objektivi kryesor siç dihet tanimë i Millosheviqit ishte që të bënte një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në mënyrë të tillë që mund të krijonte një situatë demografike më të favorshme për të ose një balancë ose baraspeshë demografike që do të ishte në favor të serbëve. Sërish dua të them se politika serbe ndaj shqiptarëve në veçanti që prej vitit 1989 e në vijm ka qenë absolutisht e tmerrshme dhe për pasojë ne parashikonim që kur NATO-ja të hynte në Kosovë që shqiptarët do të bënin të njëjtën gjë që kishin bërë serbët. Do të hakmerreshin, të paktën një pjesë e tyre ndaj serbëve të cilët kishin vite e vite me radhë që i keqtrajtonin dhe silleshin në mënyrë të tillë kaq brutale ndaj tyre”, tha ai.

Përpara kësaj, avokati Luka Mishetiq ia prezantoi dëshmitarit një video të zëdhënësit të Penatgonit, ku edhe ai e kishte një parashikim të tillë për serbët minoritar që ishin në Kosovë dhe se çfarë do mund t’iu ndodhte atyre pas ndërhyrjes së NATO-s.

“Është fakt që unë nuk mendoj që Kosova do të jetë një vend shumë i lumtur për Serbët kur NATO të futej në Kosovë. Unë nuk mendoj që serbet do të duhej të vazhdonin të qëndronin aty. Unë mendoj që do të duhej të kthehen në Serbi. Nuk e di se sa i madh mund të jetë minoriteti-pakica serbe atje. Mund të jenë 100 mijë, mund të jenë më shumë sesa kaq, por ndërkohë kur shqiptarët e Kosovës të kthehen mbrapsht në Kosovë ne mendojmë që serbët do të largohen nga Kosova”, dëgjohej në video të ketë thënë zëdhënësi i Pentagonit më 5 qershor 1999.

Dëshmitarit iu prezantuan edhe dy kabllograme të 10 marsit 1999, ku për të dyja tha se janë shkruar nga vetë ai, shkruan Betimi për Drejtësi.

Në njërën prej tyre që mbante emrin e Ambasadës së Shkupit, thuhej se komandantët e zonave kërkonin që ta zëvendësonin Komandant Drinin, pasi e mbështeste marrëveshjen e Rambujesë.

Ndërsa, në kabllogramin e dytë shkruhej po e njëjta datë vetëm se i dërguar nga Ambasada e Beogradit, u tha se flitej për një takim me Jakup Krasniqin dhe Ramë Bujën, në të cilin u diskutua për shqetësimin që kishin për të ardhmen e UÇK-së, pasi që komandantët e zonave nuk binin dakord me kushtet e Rambujesë.

Pas kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që ai e kishte dhënë më herët, në të cilën shprehte insistimin e Thaçit për t’i bindur komandant Remin dhe Ramush Haradinajn për të pranuar marrëveshjen.

“Tani e kuptoj që Thaçi u desht që të shkonte tek Komandantët e zonave si tek Remi dhe Haradinaj që t’i bindte që të merrte miratimin për marrëveshjen e Rambujesë. Kjo tregon kontrollin e paktë që kishte Shtabi i Përgjithshëm që kishte mbi komandantÇt e zonave”, tha Mishetiq, teksa lexoi deklaratën, me të cilën u pajtua sërish dëshmitari.

Megjithatë, herë pas here seanca ka kaluar në sesione private dhe me përmbajtje të redaktuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera