Lajme

Mbyllen dy dyqane të shitjes së telefonave mobilë nga aksioni i Inspektoratit të Tregut

Autori: Gazeta inFokus 16:13 | 08 November 2023

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bashkë me Policinë e Kosovës (Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit) kanë kryer një aksion nëpër dyqanet e shitjes së telefonave në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thuhet se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 31 dyqane të shitjes së telefonave mobilë, me ç’rast janë konfiskuar 118 telefona të mençur, 3 tableta (IPod), 11 palë kufje (Airpods).

“Po ashtu një dyqan është mbyllur nga Inspektorati i Tregut në mungesë të dokumentacioneve (biznes i paregjistruar), ndërsa një dyqani tjetër i është ndaluar përkohësisht ushtrimi i veprimtarisë deri në verifikimin e plotë të gjendjes.

-Advertisement-

Qëllimi i këtij aksioni ishte dyshimi për kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi dhe shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut e ka në prioritet luftimin e informalitetit, eliminimin e praktikave të padrejta tregtare si dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj do të vazhdojë me aksione të tilla edhe në të ardhmen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!
-Advertisement-

Të tjera