Lajme

Dyshohet se tjetërsoi pronën rreth 10 milionë euro në Veternik, si e arsyetoi Gjykata refuzimin e masës së paraburgimit?

Autori: Gazeta inFokus 13:09 | 02 September 2023

Pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi“, më 25 gusht 2023, Afrim Gashi u arrestua nën dyshimin se përmes dokumenteve të falsifikuara në bashkëkryerje me Ylber Hysenin, i cili është në arrati, kanë tjetërsuar pronën në vlerë rreth 10 milionë euro në Veternik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht prokurorja e çështjes Nebahate Salihu, për të dyshuarin Gashi, kishte kërkuar masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje me Hysenin kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”.

Por, kjo kërkesë është refuzuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

-Advertisement-

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria kishte arsyetuar se me lënien e të dyshuarit në liri, ekziston rreziku i arratisjes, rreziku i ndryshimit të provave apo ndikimit tek të dëmtuarit apo dëshmitarët. Për më tepër, thuhet se sipas databazës së Policisë së Kosovës, i dyshuari Gashi është recidivist pasi edhe në të kaluarën ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Mbrojta e Gashit, avokatja Kosovare Kelmendi, kishte kundërshtuar kërkesën me arsyetimin se kërkesa dhe aktvendimi për zgjerimin e hetimeve janë kontradiktore.

“Është konstatuar se kjo procedurë penale është iniciuar me kallëzimin penal të ankuesve Nexhat dhe Gursel Sadiku, ndërkaq në pasuesin e mëtutjeshëm prokuroria paraqet të dëmtuar blerësit e parcelave të shituara, të cilët asnjëherë nuk janë ankuar dhe as nuk kanë denoncuar dhe as ndjerë të dëmtuar”, thuhet të ketë arsyetuar avokatja.

Tutje, sipas mbrojtjes, Afrim Gashi posedon autorizim të ligjshëm të vërtetuar te noteri nga pronari Ylber Hyseni, i cili veten e konsideron pronar mbi bazën e dokumentacionit.

I pandehuri Gashi, ishte shprehur se asnjëherë nuk e ka vënë në lajthitje asnjë organ shtetëror.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Naime Krasniqi-Jashanica, ka arsyetuar se kërkesa e prokurorisë tani për tani është e pabazuar dhe mori vendim që të pandehurit t’i caktojë masën e arrestit shtëpiak mbi këto parakushte ligjore:

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Afrim Gashi në bashkëkryerje me të pandehurin Ylber Hyseni kishin për të kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 132, par. 4 lidhur me par.1 dhe nenin 77 dhe 31 të KPRK-së, sepse ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi që nga muaji janar i vitit 2021 deri më tani në lagjen “Veternik”, në Prishtinë, në parcelen e evidentuar më nr. 1742 Prishtinë, i pandehuri Afrim Gashi në bashkëkryerje me të pandehurin Ylber Hyseni (i cili gjendet në arrati), kanë vepruar në mënyrë që me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Fillimisht, thuhet se të dyshuarit kanë parcelizuar dhe më pas kanë filluar shitjen dhe tjetërsimin e parcelave, duke sjellë kështu në lajthim dhe mashtruar shumë qytetarë të Kosovës duke iu prezantuar fakte të rrejshme se kinse parcela e lartcekur është në pronësi të Ylber Hysenit, i cili më pas ka autorizuar të pandehurin Gashi, për të lidhur kontrata mbi shitblerjen e këtyre parcelave.

Nga këto kontrata, thuhet se i dyshuari Gashi ka shitur 22 parcela, prej të cilave ka përfituar 5 milionë e 358 mijë e 784 euro, për të cilat nuk ka dëshmi se kanë kaluar në llogari të Ylber Hysenit përveç 340 mijë euro.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2021 i pandehuri Afrim Gashi në bashkëkryerje me të pandehurin Ylber Hyseni, më qëllim të vënies në lajthim të organit kompetent dhe më qëllim të vërtetimit të një çështje si të vërtetë, kanë përdorur dokumentin e dyshuar si të falsifikuar “resnje broj 461/61 të datës 07.VIII.1961”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Përmes këtij dokumenti, Ylber Hyseni kishte arritur të fitonte pronën në Veternik në sipërfaqe prej rreth 9 hektarësh.

Andaj, gjykata kishte vlerësuar se plotësohet kushti ligjor-pesha e veprës penale se po të lihet në liri i pandehuri Gashi, mund të përsërisë veprën penale, marrë parasysh se Gashi është edhe përsëritës i veprës penale. Po ashtu, ai dyshohet se veprën penale e ka kryer në bashkëkryerje më Ylber Hysenin, i cili është në arrati.

Mirëpo, gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës alternative, në këtë rast arresti shtëpiak, është i mjaftueshëm për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe nuk paraqet rrezik për përsëritjen e veprave penale për të cilën dyshohet.

Në lidhje me ketë masë, prokurorja Nebahate Salihu ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Normalisht që kam me bo ankesë”, është shprehur shkurt ajo.

Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe  “Mashtrimi”, për çka edhe ishte kërkuar sekuestrimi i pronës së paluajtshme.

Për këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar dhe ka mbajtur një debat në emisionin “Tempus. Përmes këtij hulumtimi, tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadikut kishte vendosur pas 7 vjetësh, ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.

Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme atyre u janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilëve kapë shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, duke përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë.

Për këtë pronë po zhvillohet një betejë ligjore. Pasi Prokuroria kishte dhënë urdhër të përkohshëm ndalues lidhur me rreth tre hektarët tokë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar.

Gjykata e Apelit kishte kthyer dy herë çështjen në rivendosje, ku po kërkohej sekuestrimi i përkohshëm i kësaj prone, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje. Apeli në dy rastet kishte gjetur se aktvendimet e shkallës së parë kishin shkelje esenciale dhe ishin kontradiktore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera