Edhe pas afro tre muajsh, Gjykata ende nuk e ka përpiluar aktgjykimin ndaj ish-ministrit Nenad Rikalo dhe të tjerëve
Autori: Gazeta inFokus 12:49 | 26 August 2023
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe pas më shumë se dy muaj e gjysmë ende nuk ka arritur të përpilojë aktgjykimin me shkrim në çështjen penale ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.
Lidhur me këtë rast, më 1 qershor 2023 ishte bërë shpallja e aktgjykimit ku ishin dënuar me tri vite burgim ish-ministri Rikalo dhe me dy vite e gjashtë muaj burgim ish-sekretari Halimi, kurse u liruan nga akuza Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.
Të kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i ish-ministrit Rikalo, avokati Miodrag Brkljaq dhe mbrojtësja e të liruarit nga kjo akuzë Leon Thaçi, avokatja Fehmie Gashi-Bytyqi, deklaruan se nuk kanë pranuar aktgjykimin.
Po ashtu, edhe prokurorja e rastit Habibe Salihu ka konfirmuar se ende nuk ka pranuar me shkrim aktgjykimin në fjalë.
Ndryshe, i ngarkuar me gjykimin e kësaj çështje penale kanë qenë gjykatësit nga Departamenti Speciale me kryetar të trupit gjykues, gjykatësin Mentor Bajraktari dhe anëtarë gjykatësit, Suzana Çerkini dhe Violeta Namani.
Lidhur me mospërpilimin e aktgjykimit, gjykatësi Bajraktari ka sqaruar për “Betimi për Drejtësi” se ka kërkuar afat shtesë nga kryetarja e Gjykatës, për faktin se lënda është voluminoze dhe i duhet ende kohë për përpilimin e tij.
Sa i përket afateve kohore për përpilimin e aktgjykimit bazuar në Kodin e Procedurës Penale, në nenin 368, pika 1 thuhet se gjykatësi i vetëm ose kryetari i trupit gjykues është i obliguar që në afat prej 15 ditësh nga dita e shpalljes së aktgjykimit ta përpilojë të njëjtin.
Mirëpo, ky Kod ka paraparë edhe afatin shtesë për përpilim të aktgjykimit që mund ta kërkojë gjykatësi i vetëm ose kryetari i trupit gjykues prej 60 ditësh pas shpalljes së aktgjykimit, e që në rastin konkret del se është tejkaluar edhe afati shtesë prej 60 ditësh.
Krejt kjo pasi që shpallja e aktgjykimit në këtë rast, është bërë me 1 qershor 2023 dhe deri me ditën e shtunë të 26 gushtit 2023 kanë kaluar 86 ditë dhe ende aktgjykimi në rastin konkret nuk është përpiluar dhe si afat i fundit për përpilimin e aktgjykimit del të ishte data 31 korrik 2023.
“1. Aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e shpalljes. Kur rasti është i ndërlikuar, siç është përkufizuar në nenin 19 nën paragrafin 1.2 të këtij Kodi, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga kryetari i gjykatës që të zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë (60) ditë nga shpallja e tij. Anëtari i trupit gjykues mund të jep mendim të ndarë, mospajtues ose pajtues për çështjet juridike ose faktike dhe mendimi i tillë i bashkëngjitet aktgjykimit”, thuhet në nenin 368, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale të vitit 2022.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.
Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vetë të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.
Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’iu mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.
Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.
Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.
Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.
Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’iu mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”.
Të tjera
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...
-
Takohen gruaja më e shkurtër dhe ajo më e gjatë në botë, fjalët që thanë për njëra-tjetrën pas takimit
Jyoti Amge dhe Rumeysa Gelgi, janë pjesë e librit të rekordeve “Guiness”. E p...
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...