Pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën, Kelmendi: Kemi luftuar edhe në kohën e Millosheviqit ta ruajmë fjalën e lirë, mendimin e lirë
Autori: Gazeta inFokus 15:04 | 15 June 2023
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullim të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Kelmendi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook është shprehur se s’ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës, duke specifikuar se puna e mediumit është publike, edhe me qasje kritike pavarësisht kush është në pushtet e kush në opozitë.
Ai tha se breza gazetarësh luftuan me çdo kusht edhe në kohën e Milosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive, për ta ruajtur lirinë e pavarësinë, fjalën dhe mendimin e lirë.
“Shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta arritur lirinë. Breza gazetarësh kemi luftuar më çdo kusht edhe në kohën e Millosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive ta ruajmë lirinë e pavarësinë. Fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni”, ka thënë Kelmendi.
Lexoni të plotë reagimin e Kelmendit:
”Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!
T’i bimë shkurt: Nuk ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës. Klan Kosova është medium i Kosovës, me mbi 200 të punësuar qytetarë të Republikës së Kosovës, me nja 100 mijë orë transmetimi të lajmeve dhe programeve të tjera që promovojnë dhe angazhohen për të mirën e Kosovës.
Puna e Klan Kosovës është publike. Në ekran, në radio, në portal, në rrjete sociale.
Dhe, natyrisht, si çdo media e lirë dhe në vend demokratik, Klan Kosova ka edhe qasje kritike ndaj fenomeneve të ndryshme në shtet e shoqëri, pavarësisht kush është në pushtet e kush në opozitë.
Për këtë arsye, Klan Kosova sot është mediumi më i përcjellur në Republikë.
Çka i bjen kjo?
Përpjekje për frikësim.
Nëse këtë ia bëjmë një medie si Klan Kosova, paramendojeni sa çka iu bëjmë të tjerëve.
Shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta arritur lirinë. Breza gazetarësh kemi luftuar më çdo kusht edhe në kohën e Millosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive ta ruajmë lirinë e pavarësinë. Fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni.
Një pushtet i cili synon ta heshtë median, fjalën e lirë, kap institucionet për ta çuar misionin deri në fund. Fillimisht me një portal spekulativ udhëhequr nga militantë partiakë, pastaj në organet rregulluese të medias me njerëz që i kanë instaluar aty.
Por ne kemi menduar se jetojmë në demokraci.
Se mbyllja e gojës së medias ndodh vetëm në vende si Rusia e Bjellorusia, Serbia e Koreja e Veriut, jo në Kosovën tonë, jo në popullin të cilit askush asnjëherë nuk ka mundur t’ia mbys idealin për të jetuar të lirë.
E as që do ta mbys dikush, ndonjëherë.
Ka ndodhur edhe një herë gjatë punës sime si gazetar që një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një media. Ishte viti 1999.
Kurse pushteti ishte ai i Milosheviqit. Edhe atëbotë ishte gjetur një pretekst. Dy shkrime të botuara, të cilat në fakt ishin përkthime nga agjencia serbe e lajmeve, Beta. Me këto Milosheviqi e çoi në gjyq “Kohën ditore” me synim mbylljen. Pastaj me 24 mars, forcat e tij hynë ne redaksi, e vranë rojën dhe shkatërruan gjithçka. Përkohësisht Milosheviqi e mbylli median, por pas disa javësh vazhduam punën në Tetovë dhe ja ku jemi edhe sot, të gjithë gazetarët, duke i dhënë profesionit më të mirën, por duke e bërë edhe Kosovën më median më të mirë në rajon.
Kisha menduar se ajo kohë nuk do të kthehej asnjëherë më. Kisha menduar se liria kishte ardhur përfundimisht me 12 qershorin e 1999.
Nga dje, kjo arritje e brezave është nën kërcënimin më serioz ndonjëherë. Në Kosovën që e pretenduam të lirë.
Por, gazetarët kosovarë e kanë dhënë provimin. Jo një herë. Shumë herë.
Mjerisht, Kosovës i është dhënë damka më e madhe, se ka pushtete që synojnë të mbyllin media. Si në Rusi e Bjellorusi, si në Serbi e Kore të Veriut.
Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!”.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...