Apeli ndryshon vendimin e Themelores, dënohet me 1 mijë euro gjobë i akuzuari për dhënie ryshfeti
Autori: Gazeta inFokus 09:32 | 03 June 2023
Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari për dhënie ryshfeti, Hasan Selimi, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë, pasi ka gjetur se është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit.
Me vendimin e 23 shtatorit 2022, ndaj të dënuarit Selimi, Apeli ka vërtetuar vetëm dënimin me gjobë prej 1 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 5 gusht 2022, në rigjykim, e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë të akuzuarin Hasan Selimi, për dhënie ryshfeti.
Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë i akuzuari Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që Apeli t’i shqiptojë dënim më të butë.
Sipas vendimit të Apelit ankesa nuk është e bazuar, me arsyetimin se pretendimet ankimore të të akuzuarit për një dënim me të butë nuk qëndrojnë, pasi Themelorja me rastin e caktimit të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit konform nenit 69 dhe 70 të KPRK-së.
“Një vlerësim të tillë të rrethanave relevante për matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm e pranon edhe kjo gjykatë dhe gjen se rrethanat e pretenduara në ankesën e të akuzuarit veç se kanë qenë objekt vlerësimi nga gjykata e shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, në këtë rast, ka bërë shkelje të Ligjit Penal në dëm të të akuzuarit, duke i shqiptuar dënim komulativ, sepse për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal të vitit 2013, parashihet dënimi me gjobë ose me burg dhe jo dënimi me burg dhe me gjobë, siç ka përcaktuar shkalla e parë.
Tutje, Apeli ka vlerësuar se dënimi me gjobë prej 1 mijë euro ndaj të akuzuarit Selimi, është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit si ekzekutor, intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.
Ndryshe, të akuzuarit Selimi i është shqiptuar dënimi i njëjtë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë edhe më 18 shkurt 2022, kur në atë kohë, nga gjyqtari i rastit Radosllav Markoviq ishte shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë.
Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljeve të Ligjit Penal dhe vendimit mbi sanksionin penal, dhe i akuzuari Hasan Selimi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.
Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, sepse aktgjykimi i ankimuar ishte përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370, par.7 të KPPK-së, e cila përfshin dhe zbatimin e dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.
Apeli kishte gjetur se përkitazi me dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, me gjobë dhe me burg, sipas nenit 429, par.1 të KPRK-së, është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit, pasi që dispozita e lartcekur për këtë vepër penale parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, dhe jo të dy dënimet siç ka vepruar gjykata e shkallës së parë.
Ndryshe, gjyqtari Markoviq kishte njoftuar se ka vendosur në mënyrë të njëjtë edhe në rigjykim, për arsye se versioni i gjuhës serbe i Kodit Penal të vitit 2013, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” parasheh dy lloje të dënimeve, pra dënim me burgim dhe dënim me gjobë.
Ndryshe, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për veprat penale dhënie e marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumentit zyrtar në të njëjtin akt akuzues me Hasan Selimin, ngarkohen edhe Vlora Ibrahimi, Donika Sylejmani dhe Kujtim Shaqiri, ku për këtë të fundit është veçuar procedura që në nëntor 2021, ndërsa për dy të akuzuarat Ibrahimi dhe Sylejmani nga gjyqtari Markoviq u veçua procedura më 16 shkurt 2022 gjatë shqyrtimit fillestar në të cilin munguan dy të lartpërmendurat.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 qershor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Selimit, Vlora Ibrahimit, Donika Sylejmanit dhe Kujtim Shaqirit.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, Hasan Selimi akuzohej se në tetor të vitit 2016, i ka dhënë para në vlerë prej 300 euro personit zyrtar, Vlora Ibrahimi, si pronare e autoshkollës “Klinton” dhe NN personit, me qëllim që i njëjti të kryejë procedurat dhe të pajiset me patentë shofer të kategorisë “B” në mënyrë të kundërligjshme, pa mbajtur orë praktike dhe teorike, e po ashtu të mos hyjë në test teorik, ndërsa u premtoi se do t’ua japë edhe 500 euro tjera kur të pajiset me patentë shofer.
Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënie e ryshfetit” nga neni 429, par.1 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Vlora Ibrahimi thuhet se në cilësinë e pronares së autoshkollës “Klinton” në bashkëpunim me NN personin me qëllim që të fitojë në mënyrë të kundërligjshme, ka pranuar para në cilësinë e personit zyrtar në bashkëpunim me NN personin, shumën e parave në vlerë prej 300 euro si dhe ka pranuar premtimin se të njëjtit do të pranojnë edhe 500 euro të tjera në mënyrë që mos të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.
Tutje në aktakuzë thuhet se Vlora Ibrahimi ka regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë “B” për patentë shofer personin Hasan Selimi dhe të njëjtit në këmbim të parave të lartcekura i ka mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike si dhe ka lëshuar dokumentin “Libreza e kandidatit” për aftësim të kandidatit, ku aty thekson se kandidati ka mbajtur orët praktike si dhe orët teorike, duke i vërtetuar me nënshkrimin e vet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e njëjta akuzohet se në fund ka lëshuar dokumentin “Vërtetim”, mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, ku me këto veprime e njëjta ka përgatitur dosjen si të vërtetë për ta proceduar në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par.1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, par.1 të KPRK-së.
Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës Donika Sylejmani akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, si instruktore e vozitjes pranë autoshkolles “Klinton” në Mitrovicë, në dokumentin “Libreza e kandidatit” ka theksuar se kandidati Hasan Selimi ka mbajtur orët praktike, duke e vërtetuar me nënshkrimin e vet si dhe në dokumentin “Vërtetim” mbi aftësimin e kandidatit Hasan Selimi, duke nënshkruar se është aftësuar kandidati Selimi, ku ky i fundit në polici ka mohuar se ka mbajtur këto orë praktike.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni 434, par.1 të Kodit Penal.
Ndërsa, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Kujtim Shaqiri po akuzohet se më 31 janar 2017, në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë me rastin e organizimit të dhënies së provimit teorik për patentë shofer, ka tentuar të vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.
Tutje thuhet se me dokumentin e rrejshëm – letërnjoftim të falsifikuar, kishte tentuar të hyjë në test teorik për kategorinë “B” në njësinë e patentë shoferëve në Mitrovicë për kandidatin Hasan Selimi, me qëllim që personi zyrtar të vendosë në regjistër kinse Selimi ka kryer testin teorik.
Mirëpo, thuhet se gjatë kontrollit së ekzaminerëve, është vërejtur dhe i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Kujtim Shaqiri, ngarkohet se me datën dhe vendin e njëjtë si më lartë me dije ka përdorë dokumentin publik – Letërnjoftimin e falsifikuar në emër të Hasan Selimit, ashtu që të njëjtin ia ka prezantuar personit zyrtar pranë njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë edhe pse e ka ditur se i njëjti është i falsifikuar.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 389, par.2 të Kodit Penal.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...