Lajme

Fjalët e Kurtit në takim me kryetarët e komunave, “mirëseardhje të veçantë” për të sapozgjedhurit në veri

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 15 May 2023

Kryeministri Albin Kurti i ka pritur sot në një takim “koordinues” kryetarët e komunave.

Asociacioni i Komunave kishte listuar disa tema të cilat u diskutuan, ndër të cilat çështja e tatimit në pronë, pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Agjencia e Pyjeve, buxheti i komunave, procedurat e rekrutimit në shërbimin publik, e të tjera.

Në fillim, Kurti iu uroi mirëseardhje “të veçantë” kryetarëve të sapozgjedhur të katër komunave në veri të vendit.

-Advertisement-

Deklarata e plotë e Kurtit:

Të nderuar ministra,

Të nderuar kryetarë të komunave të Kosovës,

I nderuar Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Agim Aliu,

Të nderuar zëvendësministra dhe nënkryetarë,

Mirë se po takohemi në mbledhjen e katër të këtij formati, e në të pestin në qoftë se llogarisim edhe takimin tematik për efiçiencën e energjisë, të cilin e mbajtëm së fundmi, me 6 prill të këtij viti.

Një mirëseardhje e veçantë për kryetarët e sapo zgjedhur të komunave në veri të vendit, të cilët po na bashkëngjiten për herë të parë.

Takimet koordinuese në mes të nivelit qendror dhe atij lokal janë takimet ku ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve, e rrjedhimisht edhe temat, të cilat trajtohen janë më të dobishmet dhe kanë fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Krahas bashkëpunimit në fushën e mjedisit, në kuadër të “Kartës së Komunën së gjelbër dhe të qëndrueshme” dhe atë të efiçiencës së energjisë, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike, më lejoni që të theksoj se është lajm i mirë për të gjithë kandidimi i vendit ton për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Një ngjarje e tillë, përveç se mundësi e mirë për të përmirësuar infrastrukturën publike, ajo paraqet një platformë ideale për afirmim të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye,  Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një projekt i sektorit të sportit. Ato duhet të shikohen si projekt zhvillimor shtetëror dhe mobilitet për rininë tonë.

Koncepti i organizimit të këtyre lojërave në Kosovë, parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë investimin dhe mobilizimin në shumë komuna, e me theks të veçantë në shtatë komunat më të mëdha në vend.

Ditëve në vazhdim, ekipi koordinues i kandidaturës së Kosovës, do t’ju kontaktoj dhe do t’ju informojë më shumë për konceptin dhe për detajet e tjera të ndërlidhura me projektin.

Herën e fundit u takuam për të diskutuar një temë specifike, atë të energjisë së ripërtrishme, ndërsa sot nga Asociacioni i Komunave janë listuar disa tema, të cilat janë me rëndësi për nivelin lokal; që nga tatimi në pronë, pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Agjencia e Pyjeve, e deri tek buxheti i komunave dhe procedurat e rekrutimit në shërbimin publik.

Për të gjitha këto, natyrisht dhe për tema të tjera të ngjashme, unë jam këtu sot bashkë me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcin, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Pecin, dhe Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobrën, që të bashkëbisedojmë dhe diskutojmë drejt zgjidhjeve.

Para se t’ia kaloj Kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës z. Agim Aliut, më lejoni që të rikujtoj se para tre javëve, Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisjeje se sa asaj të mëparshme.  Që do të thotë se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat, që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi mes të gjithë neve.

Ju faleminderit, e fjala është për juve kryetar Aliu!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera