Lajme

“Daçiq është kriminel lufte dhe duhet të dalë para drejtësisë”, “të thërrasin Slloba i vogël” – përplasja e ashpër në Këshill të Sigurimit

Autori: Gazeta inFokus 09:40 | 28 April 2023

Përplasje të ashpër ka pas të enjten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërmjet ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përplasjes së ashpër i parapriu deklarata e ministrit serb se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se nuk do ta konsiderojë shtet.

Madje, ai tha se “Kosova është Serbi”.

-Advertisement-

“Nuk e konsiderojmë shtet Kosovën. Secili shtet e ka “Kosovën e vet”, për këtë arsye secili shtet po çuditet se si duhet t’i qasemi këtij problemi. Ne mendojmë se Kosova është Serbi. Ju nuk pajtoheni. A duhet të fillojmë luftën? Duhet t’u rikujtojmë të gjithëve se Vuçiq nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje”.

“Ne verbalisht jemi pajtuar për diçka. Escobar thotë se Asociacioni duhet të bëhet me ose pa Kurtin. Ne nuk dëshirojmë që dikush të mos i përmbush obligimet e veta e të shpërblehet për mospërmbushje të tyre”, tha ai.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Gërvalla, duke thënë se Serbia nuk po mund të pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur.

Ajo e quajti Daçiqin “Sllobodan i vogël”.

“Ju me deklarimet tuaja vetëm sa e treguat që pse njerëzit në Serbi ju kanë quajtur ‘Slloba i vogël’, ‘Sllobodani i vogël’. E kuptoj që jeni i zemëruar dhe këtë gjuhë të juaj e njoh që moti. Ju duhet t’u tregoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999…”, u shpreh Gërvalla.

Gjatë diskutimeve për raportin e ri gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë e akuzuan njëri-tjetrin se po e bllokojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe ta bllokojë progresin në dialog.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në fjalimin e Gërvallës u vërejt se Kosova “nuk do në fakt një dialog. Ata duan vazhdimësinë e luftës, të konflikteve”.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi krimet ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së vitit 1999 dhe e krahasoi luftën në Kosovë me pushtimin aktual rus në Ukrainë, teksa tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova ka dialog me Serbinë për normalizim të raporteve dhe asnjëherë për statusin e saj.

“Kosova sot është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo do të thotë se ne jemi duke biseduar me fqinjin tonë shumë problematik lidhur me normalizim të raporteve tona, nuk është dialog lidhur me statusin e Kosovës sepse kjo është një gjë e kryer, e njohur nga më shumë se 115 shtete anëtare të OKB-së. Por është një diskutim në Bruksel për normalizim të raporteve tona”, ka shtuar ajo.

Duke replikuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, zëvendëskryeministrja e Kosovës ka thënë se duke i dëgjuar deklaratat e liderëve serbë, shtrohet pyetja se a ka apo jo marrëveshje në mes të palëve.

“Kur po ju dëgjojmë sot, dhe ditët e fundit presidentin tuaj, me të vërtetë shtroj pyetjen a kemi fare marrëveshje apo nuk kemi marrëveshje nga Brukseli dhe Ohri. Me sa e kam të qartë kemi marrëveshje dhe jemi shumë të përkushtuar të zbatojmë atë që jemi dakorduar në Bruksel dhe në Ohër. Por, unë kam dyshime, pasi dëgjova gjitha këto deklarata të cilat më shumë janë për publikun e brendshëm sesa që i takojnë këtij organi të respektuar siç është Këshilli i Sigurimit. Por ne duhet të vazhdojmë, dhe do të vazhdojmë bisedimet, dhe jam e sigurt se, me këtë elitë pulitke të Serbisë apo të tjera, do të normalizojmë raportet tona, sepse nuk ka alternative tjetër”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së tha më tej se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq është përgjegjës për krime lufte të kryera në Kosovë.

Gërvalla tha se “Serbia nuk ka nxjerrë mësime nga historia. Ata që janë përgjegjës për gjenocidin janë ende në krye të qeverisë serbe”.

“Presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq, ishte ministër i propagandës për kriminelin e luftës Millosheviq gjatë gjenocidit kundër Kosovës. Dhe në një farë mase ai ende vepron më shumë si një ministër propagande, në vend të një presidenti”.

Ajo tha se “krahu i djathtë i të ashtuquajturit ‘Kasapi i Ballkanit’, kriminelit të luftës Millosheviq, i cili është përgjegjës për luftërat dhe gjenocidet serbe në Bosnje-Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë, është njeriu i cili sapo foli para meje. Ky njeri ka gjak pafund në duart e tij, ashtu si presidenti i tij. Nuk ka pasur asnjë fjalë për keqardhje. Në vend të kësaj, ka përbuzje për viktimat, shtrembërim të së vërtetës dhe nderim të vrasësve masiv. Fasada e një politikani ndonjëherë këngëtar nuk e ndryshon të vërtetën historike”.

“Do ta them në shqip dhe do ta them si një fjali të vetme edhe në serbisht: Ivica Daçiq është përgjegjës për vrasje masive, përdhunime si mjet lufte si dhe për krime lufte, dhe ai duhet të sillet para një gjykate për krimet e luftës. Daçiq ishte krahu i djathtë i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Ai e nderoi atë si një hero dhe u bë pasardhësi i tij. Ai dhe Vuçiq ishin aleatët më të ngushtë të Millosheviqit. Ata janë bashkëpunëtorë të gjenocidit”, tha Gërvalla, transmeton Telegrafi.

Më tej ajo tha se “Daçiq ishte nga viti 1992 deri në vitin 2000 krahu i djathtë i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ai e festoi atë si një hero dhe u bë pasardhësi i tij. Ai dhe Vuçiq ishin aleatët më të ngushtë të Millosheviçit. Ata janë bashkëpunëtorë në gjenocid”.

“E megjithatë, ja ku jemi ulur përballë tij. Ne do të negociojmë me të dhe me bashkëpunëtorin e tij Vuçiqin. NE do të negociojmë sepse jemi ne ata që duam të ruajmë paqen dhe të arrijmë një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit. NE, viktimat e gjenocidit dhe brutalitetit, kemi nderin dhe dëshirojmë të vendosim paqen jo vetëm për ne, por edhe për rajonin. Jemi ne populli i Kosovës”, tha ajo.

Gërvalla ka theksuar se Kosova është për paqen, andaj edhe pse ka përballë zyrtarë serbë si Vuçiq dhe Daçiq do të ulet të negociojë me ta.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se raporti i prezantuar ka gabime dhe sa disa ngjarje të rëndësishme mungojnë, teksa shtoi se “këto mangësi nuk janë të reja”.

“UNMIK është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Kosova ka bërë përmirësime të ndjeshme në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, “duke përforcuar ndjeshëm rrugën drejt integrimit evropian”.

Gërvalla gjithashtu tha se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus Vassily Nebenzia, ia mohoi asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip. Nebenzia e mohoi këtë duke thënë se Gërvalla do të ishte lejuar të fliste në shqip nëse do të kishte insistuar.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që po mbahet në New York, ministres së Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiqit iu lejua që të flas në gjuhën serbe, por ministres Gërvalla iu ndalua të flas në gjuhën shqipe, edhe pse ajo bëri një kërkesë për këtë gjë.

Këtë e bëri të ditur vet ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, e cila nisi fjalimin e saj, duke thënë se meqenëse Daçiqi kishte refuzuar të flas në gjuhën angleze siç ndodh zakonisht në seancat e Këshillit të Sigurimit, dhe mbajti fjalimin në gjuhën serbe, kërkesë për të folur në gjuhën e shtetit të saj kishte bërë edhe ajo, por se kjo e drejtë iu mohua.

Nga Këshilli i Sigurimit, i kërkuan asaj që fjalimin ta mbajë në gjuhën angleze.

Megjithatë ministrja Gërvalla nuk u pajtua me këtë standard të dyfishtë, dhe trajtim të pabarabartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera