Lajme

Aliu: Kemi mbi 352 mijë ndërtime pa leje, banimi kolektiv kryesisht ilegal – ky është çmimi për m2 i legalizimit

Autori: Gazeta inFokus 12:52 | 12 October 2022

Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas mbledhjes së qeverisë ka dalë në konferencë për media ku ka folur për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Në konferencë Aliu tha se në vendin tonë janë mbi 352 mijë objekte pa leje, duke theksuar se banimi kolektiv është kryesisht ilegal.

Në këtë paraqitje para mediave, ministri Aliu u bëri thirrje të gjithë pronarëve të aseteve të ndërtuara e të cilat i kanë të palegalizuara të aplikojnë për legalizim.

“Ta shfrytëzojnë mundësinë me aplikimin për legalizim dhe trajtimin e tyre. Janë vetëm katër formularë që duhet të plotësohen dhe në rast se ka probleme të natyrës pronësore ato do të futen në listat e pritjes”, tha Aliu.

-Advertisement-

Ai tha se çmimi për legalizim është shumë i ulët.

“Prandaj ky ligj është një mundësi e mirë që të gjitha këto ndërtime të legalizohen, është një shansë e re, çmimi është i ulët 1 euro për 1m2 për ndërtimet individuale, kur falsim për ndërtimet kolektive është 2 euro për m2”, u shpreh ai.

Ai tha se vetëm komuna e Prishtinës i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje.

“Vendim i rëndësishëm sot në mbledhje ishte edhe votimi për plotësimin e projektligjit numër “06L024” për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm meqë lidhet me zhvillimin ekonomik në vend dhe në fushën e planifikimit hapësinor, lidhet me pronat e ndërtesave që posedohen sot në vend, të cilat janë ndërtu pa leje. Dua të përkujtoj që në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vendin tonë figurojnë rreth 352 mijë e 386 ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Vetëm komuna e Prishtinës i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Kjo nënkupton që nga stoku ekzistues i ndërtimeve, nënkupton që janë mbi ¾ e ndërtimeve pa leje. Jemi në përgatitje finale për draftimin e planit hapësinor të Kosovës të cilin kohë më parë e kemi kalu në Kuvendin e Kosovës. Duhet të përcillet trajtimi i ndërtimeve pa leje”, tha ai.

Ministri tha se numri numri i përgjithshëm i aplikimeve për legalizim ka qenë i vogël.

“Banimi kolektiv është banim kryesisht ilegal, edhe në rastet kur kemi ndërtesa që kanë marrë leje, ato ndërtesa nuk kanë arritë me bë banimin teknik për shkak se kanë bë tejkalime dhe rrjedhimisht të tilla konsiderohen si ndërtime pa leje. Banorët të cilët i kanë ble ato banesa, nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë ato në kadastër sepse procesi i dokumentimit të një ndërtese nuk ka përfundu sepse ato nuk janë pranuar teknikisht dhe çka ndodh tash, investitori mund ta ketë marrë përfitimin e vetë, tash kemi mbërri në fazën që banori mund të dënohet sepse nuk mund ta regjistrojë pronën e tij në kadastër dhe nuk mund ta hipotekojë në bankë”, shtoi ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera