Peci kërkon angazhim të lobit shqiptar në Amerikë: Ende nuk kemi kryer punë me Rusinë
Autori: Gazeta inFokus 12:39 | 23 January 2022
Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm në luftën diplomatike të Serbisë dhe Rusisë ndaj vendit. Mobilizimi dhe angazhimi i lobit shqiptar në Amerikë po vlerësohet të jetë i domosdoshëm nga drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, i cili thotë se Kosova nuk ka kryer ende punë me Rusinë.
Në një intervistë për KosovaPress, ish-ambasadori Lulzim Peci thotë për KosovaPress se derisa Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, veprimtaria e lobit shqiptar në ShBA duhet të jetë shumë aktive në arritjen e synimeve të politikës së jashtme.
Kritika ka për institucionet e Kosovës, për të cilat vlerëson se nuk kanë bërë pothuajse asgjë në dokumentimin e krimeve të luftës, gjë të cilën e ka shfrytëzuar Serbia dhe Rusia për të përhapur dezinformata te vendet që nuk kanë njohuri për Kosovën. Megjithatë, përgëzon Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), për siç thotë ai, parandalimin e propagandës serbe dhe ruse në vend.
Sipas tij, Kosova duhet të ndjekë shembullin e Izraelit sa i përket dokumentimit të krimeve të luftës së fundit.
“Serbia… mund të tentojë të tentojë të bëjë ndryshim të historisë për vete, mirëpo historinë e luftës në Kosovë e ka vështirë që ta ndryshojë. Mirëpo, në anën tjetër, efekti i saj propagandistik mund të luajë rol, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse nëse plasohen këto dezinformata, në shumë shtete ku politikanët nuk kanë njohuri të thella për rajonin, ato fillojnë dalëngadalë që të blihen dhe ndoshta edhe të vihen në dyshime për vet intervenimin e NATO-s këtu, për luftën në ish-Jugosllavi, për luftën në Kosovë… Prej Traktatit të Shën Stefanit (1878) e këtej, ne kemi të bëjmë me një mekanizëm propagandues kundër shqiptarëve, por edhe popullatave të tjera në ish-Jugosllavi”, thotë ai.
Sa i përket luftimit të propagandës serbe, eksperti i sigurisë thotë se për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë shumë më tepër ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare që udhëhiqet nga Natasha Kandiq sesa institucionet e Kosovës, ndërkohë që tregon se çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë rast.
“Mendoj që ne duhet ta ndjekim shembullin e Izraelit, si në dokumentimin e krimeve, ashtu edhe në aspektin artistik, sepse sidomos filmat luajnë një rol të madh. Mirëpo, ne nuk guxojmë këtu që ta kopjojmë Serbinë. Nëse bëjmë filma propagandistik, ne do ta humbim luftën. Filmat duhet ta kenë dimensionin artistik duke prezantuar mirëfilltë atë që ka ndodhur këtu. Kurse, në anën tjetër, në aspektin e dokumentimit, shteti jonë ka mbetur shumë mbrapa, gati asgjë s’ka bërë. Është krijuar një institut për krimet e luftës në Ministrinë e Drejtësisë, ka pasur një përpjekje edhe më herët, por lirisht mund të themi, dhe me kompetencë të plotë, që për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë shumë më tepër ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare që udhëhiqet nga Natasha Kandiq sesa institucionet e Kosovës. Këtu duhet të investohet shumë sepse kjo na duhet për referencën historike dhe mbamendjen e asaj që ka ndodhur”, thotë ish-ambasadori derisa thekson se ndërkombëtarët të parët kanë dënuar krimet serbe në Kosovë.
Sipas tij, nevojitet një koordinim ndërinstiutucional në luftimin e propagandës ruse.
“Në Kosovë nuk ka fare koordinim apo institucione të ndërtuara, të cilat do të merren me këtë luftë hibride diplomatike të Serbisë por edhe të Rusisë ndaj Kosovës në mënyrë sistematike, dhe që e tërë kjo të artikulohet në narrativa të politikës së jashtme të Kosovës. Ne një diçka të tillë nuk kemi ndërtuar ende, dhe mendoj që kjo është njëra ndër sëmundjet kronike të qeverisjes në Kosovë, jo vetëm të tanishmes, kjo i ka rrënjët e thella, që prej vitit 2008 e këtej. Mjafton ta përmendim që në MPJ ende nuk e kemi as deskun për Rusinë. Nuk mund të merremi me Rusinë nëse nuk merret në dikush në baza ditore me të. Do të thotë këtu, kemi mungesë shumë të madhe të ndërtimit institucional, ndërsa në anën tjetër, këtu rol të madh ka Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por po ashtu edhe inteligjenca ushtarake e Kosovës që tani funksionon brenda Ministrisë së Mbrojtjes”, thotë Peci.
Në këtë mes, eksperti i çështjeve të sigurisë, Lulzim Peci thotë se përjashtim ka për AKI-në, pasi siç thotë ai, falë punës së kësaj agjencie propaganda ruse në Kosovë ka rezultuar të jetë e pasuksesshme.
“Unë mendoj që AKI-ja ndoshta e ka rolin primar si pararojë me këtë luftë hibride. Vet fakti që deri më tani propaganda ruse në Kosovë, por edhe operativët e ndryshëm rusë nuk kanë pasur sukses në operacionet e tyre të planifikuara, tregon që AKI-ja ka qenë shumë e suksesshme në trajtimin e kësaj problematike, e cila ka karakter afatgjatë dhe ka filluar kohë më parë. Mirëpo, vet natyra e AKI-së nuk i lejon një shpërfaqje publike, kështu që puna e saj nuk njihet mirë nga opinioni publik për sa i përket kundërvënies së luftës hibride të Rusisë dhe të Serbisë ndaj Kosovës. Mirëpo, unë personalisht mendoj që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, deklaron ai.
Peci shtoi se Kosova duhet të ndërtojë kapacitete si në fushën e shtetit, po ashtu edhe në fushën e gazetarisë dhe të shoqërisë civile, të ndërtojë ekspertizën sa i përket Rusisë, pasi me këtë të fundit do të ketë ballafaqim për një periudhë të gjatë.
Sipas tij, rol të veçantë në këtë mes ka edhe lobi shqiptar në Amerikë, për çka thotë se është tragjedi që nuk ekziston siç ka qenë më parë.
“Kosova ka pasur lobin më të fortë në ShBA dhe lobi kosovar ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë vend, që prej filleve të prezantimit të çështjeve të Kosovës në fund të viteve të 80-ta, mirëpo kanë bërë edhe më herët. Mund të themi që roli i lobit shqiptar në ShBA ka pasur po aq rol sa edhe vet politika në Kosovë në arritjen e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sidomos rolit primar që e ka pasur Amerika në atë kohë. Është vërtet një tragjedi që tanimë nuk ekziston siç ka qenë më parë. Unë këtu mendoj që duhet bërë përpjekje që ky lob, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Amerikë, të energjizohet dhe t’i kthehet punës së tij, të cilën e ka bërë më parë, sepse storia e Kosovës ende nuk është e përfunduar, dhe derisa Kosova të bëhet anëtare e NATO-s lobi dhe veprimtaria e tij në ShBA duhet të jetë shumë aktive për arritjen e këtyre qëllimeve të politikës sonë të jashtme, të cilat kanë karakter ekzistencial për vendin tonë”, thotë ai.
Drejtori i institutit KIPRED tërheq vërejtjen se Rusia do të vazhdojë luftën e vet propagandistike edhe pasi që të arrihet marrëveshja me Serbinë.
“Duhet të kemi parasysh që Rusia do të vazhdojë luftën e vet propagandistike kundër Kosovës edhe nëse arrihet marrëveshja me Serbinë dhe kjo do të intensifikohet në të ardhmen, sidomos pasi Rusia është shumë kundër zgjerimit të NATO-s edhe në Ballkan. Pasi, në momentin kur Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s, praktikisht Rusia do të humbë influencën e saj në rajon dhe ndikimi i saj do të kufizohet në Bosnje dhe në Serbi, deri diku ndoshta me një ndikim më të vogël në Mal të Zi. Mirëpo, për shkak se Mali i Zi është anëtar i NATO-s do të jetë më vështirë për Rusinë që ta bëjë këtë… Unë mendoj që Rusia qëllim të vetin mund të ketë që edhe kur të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të insistojë që Kosova nuk duhet të jetë anëtare e NATO-s, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund të mbajë në dorë rajonin dhe ta shtyjë influencën e saj në këtë pjesë të Evropës. Kosova është vetëm një kartë e Putinit në lojën e tij të madhe gjeopolitike, jo domosdoshmërisht Rusia është kundër Kosovës, mirëpo është kundër Kosovës për shkak të interesave të saj në rajon, për ta mbajtur atë të destabilizuar”, thotë ish-ambasadori.
Të tjera
-
BE-Qeverisë: Për zbatimin e marrëveshjes për normalizim duhen hapa konkretë, jo veç deklarata
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Festohet njëvjetori i Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar
Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar sot feston një vjetorin e ha...
-
Ushtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ushtrojnë bashkë, synim i FSK-së integrimi në NATO
Në kuadër bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës...
-
Konjufca bisedon me delegacionin e Azisë Jugore për njohjen e Kosovës nga vendet mosnjohëse
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim delegacionin n...
-
Stano mirëpret deklaratat e qeverisë për zbatim të marrëveshjes, por kërkon veprim
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbat...
-
Sërish dështon votimi i buxhetit në Prishtinë
Për të tretën herë ka dështuar votimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në ...
-
ASK: Deficit tregtar prej 10,4% në muajin tetor 2024, krahasuar me 2023-tën
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat ...
-
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
Huti kësaj radhe vjen në ARTMOTION n’pikë të ditës, me super ofertë në Pakon ...
-
Ademi e Foda optimistë pas shortit të ‘play-off’-it për promovim në Ligën B
Në selinë e UEFA-s në Nyon është hedhur sot shorti për play-off të Ligës së K...
-
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Problemet me energji elektrike kanë vazhduar edhe sot si shkak i erërave të f...
-
Punëtoret teknike në Kuvend refuzojnë takimin me anëtarët e Komisionit për të drejtat e njeriut
Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës kanë refuzuar të marri...
-
Sa importon dhe eksporton energji elektrike Kosova?
Importi i energjisë elektrike në shtator të vitit 2024 ishte 166.73 GWh, kurs...